Më 1 dhjetor 1909 u hap Normalja e Elbasanit, një arritje e madhe e kohës në përhapjen e arsimit, dijes dhe kulturës. Njihet si shkolla e parë kombëtare pedagogjike në Shqipëri e cila u krijua në bazë të vendimeve të Kongresit Kombëtar të mbajtur në Elbasan në 2-8 shtator të atij viti.

Shkolla i hapi dyert për herë të parë me 140 nxënës nga e gjithë Shqipëria, gjysma ishin nga Kosova e Çamëria.

Si e para shkollë e mesme kombëtare në gjuhën shqipe u bë vatër e përgatitjes së mësuesve shqiptarë në gjuhën shqipe. Drejtori i parë ka qenë Luigj Gurakuqi. Si mësues kanë punuar personalitete të arsimit kombëtar si Hafiz Ibrahim Dalliu, Aleksandër Xhuvani, Simon Shuteriqi, Salih Çeka, Filip Leci, Kristo Dako, Kostaq Cipo, Ahmet Gashi, Kolë Prela, Mahir Domi, Eqrem Çabej, Luigj Filaj, Thanas Floqi, Vasil Qirjaku e të tjerë.


Ajo u mbyll gjatë vitit 1912 dhe u çel pas luftrave Ballkanike, më 1913-1914, në kohën e Qeverisë së Vlorës dhe të Princ Vidit. Ajo u mbyll përsëri gjatë Luftës së Parë Botërore dhe u hap në vitin 1921. Nga viti 1921 ajo funksionoi rregullisht deri në vitin 1943, kur një numër i madh nxënësish i braktisën bankat e shkollës për të marrë pjesë në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare. Nga radhët e normalistëve të Elbasanit ranë 63 dëshmorë.

Në tetor 1923, pranë shkollës Normale hapet shkolla Ushtrimore, si nevojë e aftësimit profesional të nxënësve kandidatë dhe dalja e maturantëve të parë më 1924, janë ngjarjet më të shënuara në fillimet e historisë së kësaj shkolle. Drejtori i parë i shkollës Ushtrimore ka qenë Sulejman Harri me mësues Fadil Gurmani, Ahmet Duhanxhiu, Karl Ljarja, Ibrahim Berrania, Shaban Arra, Gani Daiu, Skënder Sejdini, Sotir Papahristo e të tjerë, që me mendim kohor didaktik sollën përvojën e shkollave Austriake, Gjermane, Zvicerane e të tjera shkolla perëndimore. Gjithashtu vitet në vijim si mesues shembullor i fizikës dhe matematikës dallohet Shefqet Peni.

Në 1993, u rikonceptua ringritja e Normales së Elbasanit për të dhënë me vërtetësi vlerat dhe kontributin. Kjo u bë e mundshme edhe nga bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave dhe institucionet e tjera studimore kombëtare, si dhe figura personalitete, kryesisht ish- normalistë. Në fundshekullin e XX ai u vendos në katin e dytë të shkollës në një mjedis prej 80 m² të rikonstrukturuar Posaçërisht për muze.

Muzeu ka një fond prej mbi 5000 dokumentesh origjinale e fotokopje, të marra nga AQSH dhe të institucioneve të tjera studimore.

Janë edhe rreth 500 portrete, përfaqësues të brezave normalistë. Në vitrina tërheqin vëmendjen dhjetëra dosje dokumentesh, albumesh fotografikë, relikt të shumëllojshme, botime të së kaluarës dhe të së tashmes, revista, regjistra, portokolle të këshillit pedagogjik, kujtime të ish normalistëve. Fondi plotësohet me kujdesin e historianit të shkollës Genc Trandafili, që hulumton në dobi të pasurimit të muzeut.