Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendimin për rrëzimin e Qeverisë Hoti, duke e shpallur të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifi. Për këtë arsye, zgjedhjet parlamentare në vend do të mbahen brenda 40 ditëve. Por, a do të mundë të votojnë në këto zgjedhje të akuzuarit e Speciales që gjenden në Hagë?

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Salih Mustafa, Nasim Haradinaj e Hysni Gucati po qëndrojnë në paraburgim në Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë. Ndaj tyre po zhvillohet një proces gjyqësor, pas konfirmimit të aktakuzave nga Dhomat e Specializuara të Hagës.

Ndërkohë, gjatë kohës kur ata po qëndrojnë në Hagë, në Kosovë po vazhdojnë zhvillimet politike.

Për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Qeverisë Hoti, pasi vota e deputetit Etem Arifi është shpallur e pavlefshme, në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e parakohshme.

Këto zgjedhje, për herë të parë do të mbahen pa prezencën e ish-Presidentit Hashim Thaçi, kryetarit të PDK’së, Kadri Veseli, ish-shefit te Grupit Parlamentar të VV’së, Rexhep Selimi, ish-kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi, ish-eprorit të UÇK’së Salih Mustafa dhe krerëve të OVL-UÇK’së Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Por, a do të mund të votojnë në zgjedhjet e parakohshme ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës?

Në një përgjigje, zyra për informim e Dhomave të Specializuara ka deklaruar se kjo çështje do të adresohet sipas ligjeve dhe rregulloreve të Kosovës në lidhje me zgjedhjet dhe kanë thënë se do të ofrojnë përkrahje për t’u mundësuar të akuzuarve që të votojnë.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës do ta adresojnë këtë çështje sipas ligjeve dhe rregulloreve të Kosovës në lidhje me zgjedhjet. Nëse kërkohet në mënyrë specifike, Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Qendra e Ndalimit e Dhomave të Specializuara të Kosovës do të ofrojnë përkrahje për organizimin praktik të realizimit të procedurave të votimit”, kanë deklaruar nga Dhomat e Specializuara.

Se të akuzuarit e Hagës mund të votojnë e thotë edhe Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

Elezi deklaroi se sipas nenit 96 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme votuesi i cili gjendet jashtë Kosovës, mund të votojë nëse ka aplikuar për votim jashtë Kosovës.

“Në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, në nenin 96 është përcaktuar mënyra e votimit jashtë Kosovës. Sipas këtij neni, votuesi me të drejtë vote i cili përkohësisht mungon në Kosovë mund të votojë për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës nëse ai ose ajo ka aplikuar suksesshëm për votim jashtë Kosovës dhe ka votuar në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe rregullat e KQZ-së”, ka deklaruar Elezi.