Dy të rinj nga Afganistani janë arrestuar në Shëngjin pasi nuk ishin në listën e të evakuuarve. Të rinjtë kërkuan të futeshin në kampin pritës me dokumente të falsifikuara, duke vënë në alarm sigurinë. Por burimet kanë bërë  të ditur se pas verifikimit rezultuan se ata kishin bërë dokumente të parregullta me qëllim largimin nga Shqipëria.

Forcat e sigurisë të Shqipërisë janë vënë në alarm prej dy afganëve që kanë kërkuar të hyjnë në kompleksin në Shëngjin ku qëndrojnë bashkëkombësit e tyre.

Mësohet se dy persona, Sajed Salem, 23 vjeç dhe Sajed Kalanta, 27 vjeç janë arrestuar pasi u janë gjetur dokumente të falsifikuara.

Pas verifikimeve ata nuk kanë rezultuar në listën e personave të cilët kanë ardhur në vendin tonë pas evkuimit nga Kabuli me ndërmjetësimin e SHBA-së.

Ndaj menjëherë është bërë ndalimi i tyre.

Por edhe vetë deklaratat e policisë kanë qenë kontraditore.

Në sqarimin e dhënë për televizionin Ora News saktësohet se nuk bëhet fjalë për emra që kanë ardhur rishtas.

Por dy nga 1 mijë afganët që qëndrojnë në Shëngjin kanë bërë dokumente të falsifikuara për tu larguar nga kampi dhe për t’iu drejtuar shteteve të Bashkimit Evropian.

Megjithatë gjithë situata mbetet e paqartë se cila nga dy deklaratat e policisë është e vërtetë, apo dhe ku i falsifikuan dokumentet dy të rinjtë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës së bashku me aleatët kanë evakuuar mijëra qytetarë nga Afganistani, kryesisht ish-bashkëpunëtorë, që kur vendi ra në dorën e talibanëve.