Policia e Kosovës dhe Inspektorati kanë marrë aksion të madh në tërë territorin e Kosovës, ku kanë mbyllur dhjetëra kafiteri, krejt kjo si shkak i mundësisë së përhapjes së infeksionit me COVID-19, shkruan Gazeta Metro.

Siç është bërë e ditur sot, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës nga 1608 mostrat e testuara ka regjistruar 418 raste pozitive të virusit SARS COV-2 (infeksionit Covid-19).

E duket se shpërthimi i rasteve të reja me COVID-19, ka bërë që Policia dhe Inspektorati të marrin një aksion në tërë Kosovën.

Sipas burimeve të Metros brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme, bëhet e ditur se aksioni po zhvillohet në tërë Kosovën dhe janë mbyllur dhjetëra kafiteri.

Kjo mbyllje po ndodh për shkak të mundësisë së përhapjes së infeksionit me koronavirus, transmeton Metro.

Ndërkaq sot Ministria e Shëndetësisë me anë të një njoftimi për media ka njoftuar se Komiteti për vlerësimin dhe koordinimin e situatës epidemiologjike rreth Covid-19 do të mblidhet nesër për të shqyrtuar propozimet e reja të Ministrisë së Shëndetësisë për aplikimin e disa masave me qëllim që të parandalohet përkeqësimi i situatës epidemiologjike që do të mund të çonte te kufizimet ekstreme.