Gjatë vitit 2020 janë prodhuar rreth 50 miliardë maska mbrojtëse dhe vlerësohet se 1.5 miliardë copë kanë përfunduar në oqeane, bazuar në të dhënat e grupit “Oceans Asia”.

Në raport janë zbuluar të dhënat rrëqethëse të ndotjes së oqeaneve gjatë pandemisë, duke marrë parasysh sasinë e maskave që kanë përfunduar në ujëra. Vlerësohet se për pastrimin e mbetjeve të maskave plastike nevojiten deri në 450 vite.

Gjithashtu në raport thuhet se rreth 3 për qind nga 52 miliardë maska të prodhuara, do të përfundojnë në ujërat tona. Këto janë të dhëna shqetësuese sepse mbetjet plastike brenda një vit u marrin jetën rreth 100 mijë krijesave të detit, gjitarë, breshka dhe mbi një milion zogj të detit dhe shumë peshq.

Mbetjet plastike jo vetëm që ndikojnë në jetën e detit, por edhe në komunitetet që jetojnë pranë brigjeve, peshkim dhe ekonominë e vendeve.

Sasia e mbetje plastike është rritur dukshëm gjatë vitit të kaluar për shkak të pandemisë së koronavirusit, duke marrë parasysh se mbajtja e maskave është e detyrueshme në shumicën e vendeve të botës.