Kryeministri Kurti ka thënë se e ka pranuar flamurin aktual të Kosovës, porse nuk e ka fshehur dëshirën që ta ndryshojë atë.

“Unë e kam pranuar këtë flamur. Ndryshimi i madh ka ndodhur në vitin 2010, kur ne kemi vendosur të hyjmë në zgjedhje. Ai është thelbi i ndryshimit tonë, që besoj se nuk është ndryshim thelbësor. Kemi shumë punë të tjera, a do të kisha dëshiruar të kemi një flamur tjetër, po”, ka deklaruar Kurti.

Më tej, ai ka thënë se Kosovës nuk i duhet një pavarësi në letër.

“Ne qysh në vitin 2006 kemi tërhequr vërejtjen se nuk na duhet një pavarësi në letër. E kam thënë se flamur ka edhe Vojvodina, por kjo s’do të thotë se je shtet. Kur flamuri i Kosovës vendosej me idenë më shumë pavarësi nga Shqipëria se sa nga Serbia. Gjatë mandatit tonë do të punojë komisioni shtetëror që do të mbajë mbledhje herë në Prishtinë e herë në Tiranë. Nuk e përjashtojmë një referendum nëse afrohemi një ditë”, është shprehur Kurti.