Ambasadori jorezident i Izraelit në Maqedoni të Veriut, Dan Oryan në një intervistë të martën mbrëma, ka theksuar se Kosova nuk është vend mysliman por vend me shumicë myslimane.

I pyetur se pse presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pas nënshkrimit të Marrëveshjes në Ëashington e cilësuan Kosovën si vend mysliman, Oryan tha se kjo është interpretuar në këtë mënyrë për shkak se për Izraelin është me rëndësi që një vend ku ka shumë myslimanë të pranoj Jerusalemin si kryeqendër.

“Fillimisht, kryeministri e tha shumë qartë se Kosova do të jetë… supozoj se e keni fjalën për këtë, vendi i parë mysliman që do të hapë ambasadë në Jerusalem dhe arsyeja është se ju duhet të kuptoni se si e shohim ne këtu për shumë vite”, ka thënë ai.

Oryan ka sqaruar se për Izraelin, fakti se deri më tani pak vende e kanë njohur si kryeqytet është shqetësues.

“Dhe në një mënyrë kur pamë që një vend që ka shumicë myslimane, sigurisht që nuk është vend mysliman , por një shumicë myslimane që e thotë shumë qartë se ne do të hapim Ambasadë në Jerusalem ka qenë shumë e rëndësishme për ne, dhe supozoj se për këtë qëllim është interpretuar në këtë mënyrë, por kuptimi sigurisht nuk është që Kosova është një vend mysliman. Por fakti që ka kaq shumë myslimanë, dhe prapë e kanë kuptuar që kjo është vendlindja jonë dhe që kjo është zemra e popullit hebraik është me rëndësi për ne”, ka thënë ai.