Shkruan: Ilirjan GJIKA

ër Apoloninë janë botuar një sërë librash historikë me autorë emra të njohur të arkeologjisë shqiptare të cilët mbajnë përgjithësisht titullin ‘’Apolonia e Ilirisë’’. Ndërkohë që ne ndryshe mund ta quajmë qytetin antik me plot të drejtë si ‘’Apolonia e Jonit’’. Këtë emërtim e mbështesim tek dëshmitë historike të së kaluarës. Duke i renditur faktet një e nga një, fillimisht e nisim me njoftimin se gjatë antikitetit, vija ndarëse midis deteve të Jonit dhe Adriatikut ndodhej pranë Epidamnit (Durrësit), ndryshe nga përcaktimi i sotëm, i cili si vijë ndarëse midis dy deteve merr atë që ndodhet midis kepit të Gjuhëzës në gadishullin e Karaburunit dhe Otrantos në Itali.

Po kështu, autorët antikë si Herodoti, Pausania, Lukiani, Aristoteli, Vib Sekuestri, Foti dhe Theofrasti e quanin këtë qytet, “Apolonia e Jonit”. Ndërsa Klaud Eliani përdorte për këtë qëllim termin “Në pellgun e Jonit”. Po kështu Dion Kasi e quante kanalin e sotëm të Otrantos ngushtica e Jonit, kurse Plini thoshte se “në detin Jon tremijë hapa larg Orikut gjendet ishulli i Sazanit”. Në vijim të këtij argumenti apoloniatët këtë emërtim ja rezervonin vetë qytetit të tyre. Jo pa qëllim, mbishkrimi i monumentit që ata ngritën në qytetin Olimpia të Peloponezit, për nder të fitores mbi amantët e Thronit të cilin na e jep Pausania, theksonte se: “Këtu gjendemi si dhuratë e Apolonisë, ndërtuar pranë Jonit nga Apoloni flokëgjatë”.

Apolonia

“Qysh nga viti 2006, Apolonia kjo qendër arkeologjike e Shqipërisë funksionon si park arkeologjik kombëtar dhe është i hapur për t’u vizituar nga turistë vendas dhe të huaj. Ndërkohë që, çdo verë aty zhvillohen ekspedita arkeologjike, të cilat së bashku me muzeun dhe manastirin mesjetar krijojnë të gjitha kushtet që, në këtë “qytet antik” të zhvillohet një turizëm i mirëfilltë kulturor dhe historik, ku karakterin shlodhës të të cilit ja shton edhe natyra e bukur e peisazhit përreth.

E çdonjëri prej atyre që vjen këtu për herë të parë, ose për të disajtën herë, nuk mund t’i shkojë mendja sesi kanë qenë monumentet e Apolonisë atëherë kur kazma e arkeologut nuk kishte nisur të trokiste në tokë. E ndodhur vetëm 10 km në perëndim të qytetit të Fierit, në Apoloni mund të shkosh shumë lehtë. Vetëm 10-15 minuta udhëtim me makinë nga ky qytet përmes Myzeqesë së vogël dhe të shfaqen përpara një varg kodrash në kurriz të të cilave gjendet qyteti antik. Pikërisht këtu ndodhet “miniera” më e pasur dhe më e madhe arkeologjike e Shqipërisë, e cila ruan në vetvete një të njëqindën e asaj që është zbuluar deri më sot”.

Ndërkohë mund të themi se Apolonia antike, që jetoi për 11 shekuj midis viteve 620 p.k dhe 479 ishte një qytet shtet që lindi si produkt i proçesit të kolonizimit të madh grek të shekujve VIII-VI p.k, në brigjet e Ilirisë, të cilat banoheshin nga bashkësia fisnore e taulantëve. Stefan Bizantini një prej autorëve antikë thotë se: ajo ishte qyteti më i madh dhe më i rëndësishëm nga të 30-të kolonitë greke, që u themeluan përgjatë bregdetit të Mesdheut, me emrin e perëndisë Apolon (Stephani Byzantini De Urbibus et Populis. 110). Me kalimin e kohës Apolonia do të shndërrohet në një qytet “të madh dhe rënd- ësishëm” siç e quante me të drejtë oratori dhe politikani romak në vitin 43 p.k Ciceroni (Ciceronis in Marcum Antonium Philippicae. XVI). Në hapësirën e saj do të veprojnë personazhe të famshëm të historisë antike si Glaukia, Pirrua i Epirit, mbretërit Kasandër dhe Filipi i V-të Maqedonisë, apo strategët dhe shtetarët romakë si Jul Çezari, Pompeu, Mark Antoni, Oktavian Augusti, etj. Nga Apolonia niste dega jugore e rrugës Egnatia, e cila ishte arteria më e rëndësishme rrugore që lidhte perëndimin me lindjen. Zhvillimi ekonomik, politik dhe kulturor i Apolonisë pasqyrohet nga shkrimet dhe njoftimet e shumë autorëve antikë, nga mund të përmendim dëshmitë e Hekateut, Herodotit, Tukiditit, Skylaksit, Aristotelit, Polibit, Skymnit, Ciceronit, Çezarit, Tit Livit, Plinit, Strabonit, Plutarkut e deri tek Stefan Bizantini, etj.

Kolonizimi

Në shekujt VIII-VI p.k e gjithë Greqia u përfshi nga një dukuri ekonomike, politike dhe shoqërore që njihet në histori me emrin “kolonizimi i madh Grek” (Shaban Dervishi. Greqia e Lashtë. Tiranë 2001. fq.70). Ky proçes emigrimi përfshiu pothuajse të gjitha shtresat e popullsisë të poliseve greke, duke nisur nga disa shkaqe ku dy ishin më kryesoret, ai ekonomik dhe ai me karakter politik. Gjatë viteve 750 pk-550 p.k, Apolonia e Jonit rritja demografike që përfshiu gjithë Greqinë krijoi probleme mbipopullimi dhe vështirësi jetese. Kjo gjë solli prishjen e raportit midis prodhimit bujqësor dhe rritjes së popullsisë. Duke patur një reliev kryesisht kodrinor-malor, Greqia kishte fare pak toka bujqësore, të cilat nuk mund të përballonin me prodhimet e tyre, nevojat jetike të një popullsie që shtohej vazhdimisht nga pikpamja demografike. Gjithashtu mund të themi se, specializimi i bujqësisë greke drejt kultivimit të frutikulturës, vreshtarisë dhe ullinjve, që favorizohej edhe nga karakteri i terrenit bënte të nevojshme importimin e drithërave të bukës.

Por një problem tjetër i mprehtë ekonomik ishte dhe sigurimi i lëndëve të para minerale, aq të nevojshme për zejtarinë, ashtu siç ishte edhe zotërimi i tregjeve për tregtimin e tyre. Ndërkohë që problemeve të karakterit ekonomik i shtoheshin edhe ato që buronin nga politika. Të rrëzuar nga pushteti, grupe të ndryshme të polisit shikonin si të vetmen mënyrë për t’i shpëtuar hakmarrjeve dhe persekutimeve nga grupet rivale, largimin nga atdheu. Kështu rreth vitit 775 p.k, kishte nisur krijimi i pikave tregtare, të cilat më vonë u shndërruan në ngulime të këtyre emigrantëve, që më vonë u quajtën koloni (Edëin Jacques. Shqiptarët. SH B Kartë e Pendë. Tirane 1998. fq.108). Duke qenë një popull lundërtar, grekët ngarkuan në anijet e tyre atë pjesë të inventarit të duhur të mjeteve dhe plaçkave dhe u nisën për t’u vendosur në ato vende të përshtatshme që kishin përcaktuar.

Kontigjenti i tyre përbëhej nga: emigrantë ekonomikë, disidentë politikë, të dëbuar, aventurierë dhe njerëz të të gjitha kategorive (Edëin Jacques. Shqiptarët. fq.109). Përgjatë detit Mesdhe kolonizimi u krye në tre drejtime si në perëndim, ku u përfshi Italia, Siçilia dhe Franca e jugut, Ballkani perëndimor dhe verilindja përgjatë deteve të Zi dhe Marmara. Drejtimi i katërt ishte ai i jug-lindjes si në Siri, Feniki, Azi e Vogël dhe Egjipt. Kolonitë lindën në bregdet si porte detare në territore përgjithësisht të mbrojtura natyrore (Shaban Dervishi. Greqia e lashtë. Fq. 74). Kolonizimi në brigjet e Ilirisë u bë në konflikt me Liburnët, të cilët i shihnin grekët si konkurentë tregtarë për zotërimin e Adriatikut (Aleksandra Mano. Aspekte të kolonizimit Helen në Ilirinë e jugut. Iliria 2, Tiranë 1984. Fq 3-22).

Fillimisht kolonitë, u krijuan nga iniciativa private e atyre grupeve të caktuara, të cilat ishin më të prekurat nga proceset shoqërore. Më pas ky proçes u drejtua nga vetë poliset, duke krijuar edhe strukturat përkatëse që drejtoheshin nga nëpunës të caktuar të quajtur “oikistë” (Shaban Dervishi. Greqia e Lashtë. Fq 74). Okistët organizonin emigrantët që do të linin “qytetin nënë” (metropolin), për t’i udhëhequr ata drejt kolonisë së re që do të lindte. Ata përcaktonin edhe vendin e ngulimit dhe gjithçka që do të duhej rreth qytetit të ardhshëm. Kolonizimi nuk ishte pushtim, por një tip marrëveshje me popullsinë e vendit ku do të ngrihej ngulimi. Ishte interesi i kësaj të fundit për artikujt e zejtarisë dhe bujqësisë greke si: metalet, qeramikën, vajin, verën, etj., që t’i lejonte grekët për të krijuar ngulimet e tyre. Kolonitë e reja mbajtën kontakte të ngushta me “poliset-nëna” duke ruajtur lidhjet ekonomike, politike, kulturore e fetare. Zhvillimi dhe fuqizimi i tyre si polise të reja, solli tendencën e pavarësisë nga metropoli, gjë që pati si pasojë luftëra civile dhe konflikte ushtarake. Në shumicën e rasteve kolonitë që u krijuan administroheshin vetë dhe ishin të pavarura.

Mitologjia

Apoloni ishte njëri prej 12 perëndive të Olimpit, i cili kish lindur ashtu si e motra, Artemisa, nga martesa e Zeusit me Latonën (Todi Dhama. Fjalor i Mitologjisë. Tiranë 1987. Fq 36-37). Ai lindi në ishullin e Delosit sepse e ëma ndiqej nga zemërimi i perëndeshës Hera, e cila kishte dërguar për ta vrarë atë përbindëshin Piton. Pasi lindjes së tij, Zeusi i dhuroi Apolonit të vogël një karrocë që tërhiqej nga mjelmat me të cilat ai do të udhëtonte vazhdimisht.

Pasi u rrit dhe u edukua ne Olimp, ai u nis drejt dragoit Piton për tu hakmarrë ndaj përndjekjeve që i kish bërë dikur të ëmës. Këtë përbindësh të tmerrshëm Apoloni e vrau në malin Parnas. Ndërkohë që jetën e tij të mëvonshme do ta pasonin aventura të shumta. Ndër to mund të përmendim vrasjen e viganëve Olt dhe Efialt, të cilët kërcënuan Olimpin, selinë e Zeusit dhe të perëndive të tjera. Një tjetër vrasje që Apoloni kreu ishte edhe ajo e satirit Marsian nga Frigia, i cili i shpalli garë Apolonit se cili do t’i binte me bukur flautit. Pas konkursit muzat ja dhanë fitoren Apolonit, i cili sipas kushtit të garës i ropi Marsianit lëkurën.

Të shumta ishin edhe historitë e dashurive të tij, siç ishin ato me nimfat: Dafina, Klita, Kasandra dhe Klarida. Këto martesa zemëruan Zeusin i cili i inatosur e goditi me rrufe Asklepin, djalin e Apolonit dhe Klaridës. Në shenjë hakmarrje ndaj të atit dhe perëndive Apoloni vrau ciklopët dhe për këtë veprim ai u dëbua nga Olimpi. Gjatë qëndrimit në tokë, midis njerëzve ai kreu shumë veprimtari të dobishme, ku u kujdes për kopetë e dhënve të mbretit të Thesalisë Admetit, ndërtoi muret e qytetit të Trojës dhe lidhi miqësi me perëndinë tjetër: Hermesin, me të cilin kreu shumë aventura. Pasi përfundoi dënimin Apoloni u rikthye në Olimp pranë hyjnive të tjera, duke nisur të ushtronte funksionet e tij si perëndi e dritës, poezisë, muzikës, oratorisë, profecisë, mbrojtës i qyteteve, kolonive dhe udhëtarëve.

Kulti i Apolonit nderohej në një sërë orakujsh, ku më i famshmi ishte ai i Delfit. Ndërkohë në botën antike ekzistonin shumë forma të bestytnive dhe imagjinatës njerëzore, të cilat kishin krijuar një tjetër përfytyrim ndaj ngjarjeve të së kaluarës. Në atë periudhë ishte bërë traditë që shumë polise, qytete dhe koloni, tja dedikonin themelimin e tyre personazheve të mitologjisë. Këtë traditë e gjejmë jo vetëm në kolonitë greke të bregdetit, por edhe në qytetet Ilire. Kështu, lidhur me këtë dukuri, Apollodori, një tjetër autor i antikitetit na citon një legjendë apoloniate, ku sipas së cilës: “Pasi vdiq Helefenori në Trojë, populli i tij u zhvendos në gjirin e Jonit, duke u vendosur në Apoloninë e Epirit” (Apollodorus. Epitome, VI. 15-15b.). Interesante është se nga legjenda apoloniate u ndikuan edhe fqinjët Ilirë, sidomos dy bashkësitë kufitare të bylinëve dhe amantëve. Kështu, Stefan Bizantini tek vepra e tij: “Mbi qytetet dhe popujt” na njofton se, “Bylisi ishte themeluar nga Neoptolemi i biri i Akilit” (Stefanus Bizantus. De Urbibus et Populis. 110 ). Ndërsa fqinjët amantë që jetonin përgjatë luginës së lumit Shushica (Kelydnos), aludonin se, qyteti i tyre ishte krijuar nga abantët e Eubesë, që ishin vendosur pas luftës së Trojës.

Legjenda të tilla që fantazonin themelimin nga heronjtë e Trojës, mbartnin edhe kolonitë e tjera të bregdetit si Oriku, Butrinti dhe Foinike (Finiqi). Themelimi Përpara themelimit të kolonisë së Apolonisë, tregtarët grekë ishin shfaqur në brigjet e Ilirisë, duke krijuar kontakte shkëmbimi me fiset Ilire. Këto pika kontakti të quajtura “emporiume” i shërbenin tregtisë tranzite. Ato ishin ngritur edhe në rajonin midis Semanit dhe Vjosës, përgjatë grykëderdhjeve të këtyre lumenjve (Neritan Ceka. Ilirët. Tirane 2001. fq.50). Funksionimi i tyre krijoi mundësinë e ngritjes të një ngulimi të përhershëm tregtar, i cili do të bënte këmbimin e mallrave midis tregut grek dhe atij ilir. Korkyra dhe Korinti kishin kontradita midis tyre, sepse nisën të rivalizonin njëra-tjetrën lidhur me kontrollin e kolonive, përgjatë Jonit dhe Adriatikut lindor. Megjithatë për themelimin e Apolonisë, këto dy polise u treguan partnerë me qëllim që të ushtronin të drejtat koloniale (Aleksandra Mano. Aspekte të kolonizimit helen në Ilirinë e jugut. Iliria 2. Tiranë 1984. Fq 3-22). Një hipotezë tjetër që ekziston për themelimin e qytetit është se, Apolonia mund të jetë ngritur nga kolonistë të ardhur nga Epidamni, të cilët e njihnin vendin dhe e përcaktuan saktë vendodhjen e kolonisë së re (Histori e Shqipërisë. U SH T. Vëll I.Tiranë 1959. Fq 67). Sipas Strabonit, ngulimi u ngrit 60 stade greke ose 9 km nga deti, dhe, 10 stade apo 1.5 km larg bregut verior te Vjosës, nëe një varg kodrash pranë bregut. Kolonistët e parë që u vendosën ishin korintas, të cilët mund të ishin të përndjekur politikë nga tirani Periandër në vitet 627-585 (Plutarku. De sera num.vind.7). Ata nuk ishin veçse 200 vetë dhe drejtoheshin nga oikisti Gylak (Stefanus Bizantus. De Urbibus et Populis. 110). Të dhëna të tjera të marra prej autorëve antikë si: Plutarku dhe Stefan Bizantini theksojnë se, përpara themelimit të Apolonisë në këtë vend ekzistonte një vendbanim i ilirëve taulantë. Kjo gjë vërtetohet edhe nga materiali arkeologjik i gjetur, i cili dëshmon se ky vendbanim ekzistonte qysh nga periudha e bronzit të vonë (Neritan Ceka. Myzafer Korkuti. Arkeologjia. Tiranë 1993. fq 135).

Objektet e zbuluara këtu si: enë qeramike, sopata dytehëshe dhe heshta hekuri janë tipike të kulturës Ilire. Kolonistët e parë u vendosën në këtë vend me marrëveshje me Ilirët, sepse krerët taulantë ishin të interesuar për zhvillimin e këmbimit me tregtarët grekë. Pas përvojës pozitive të kolonisë së parë Epidamnit, që ishte një shembull i mirë bashkëpunimi ata i lejuan Korintit dhe Korkyrës të ngrinin edhe këtë koloni të dytë në territorin që banohej prej tyre, përgjatë bregdetit nga Vjosa në Durrës. Ndërkohë që, një grup i dytë të ardhurish vërshoi në Apoloni nga Korkyra, Kikusi, Dysponti si dhe vetë Korinti. Emigrantët nga Kikusi dhe Dysponti erdhën këtu pas shkatërrimit të qyteteve të tyre nga Polisi i Elidës (Straboni. Lib VIII. 3). Kolonët grekë të aftë për punime irrigacioni ndërmorrën projekte për kanalizimin dhe bonifikimin e fushës. Nëpërmjet kësaj ndërmarrje ata e bënë vendin të banueshëm duke krijuar një qytet të mirëfilltë që në fillimet e tij numëronte rreth 10 000 banorë (Neritan Ceka. Apolonia e Ilirisë. Shtëpia Botuese 8 Nëntori. Tiranë 1982. fq.133). Kolonistët grekë sollën me vete edhe institucionet, gjuhën, besimin, traditat dhe kulturën e tyre. Kjo gjë përcaktoi edhe modelin politik të Apolonisë që nisi funksionimin si polis, i cili përbëhej nga qyteti dhe territori përreth. Ai ishte një shtet sovran dhe kishte të drejtën e zhvillimit të marrëdhënieve me jashtë si dhe të bënte luftra në mënyrë të pavarur.

Tradita e themelimit të kolonive përmbante si rregull që ato të quheshin me emrin e një perëndie kulti ose të oikistit, drejtuesit të kolonistëve të parë. Mbi këtë ide ekziston hipoteza se emri i parë i këtij qyteti ka qenë Gylakea, i cili më vonë do të zëvendësohet nga emri Apolonia (Stefanus Bizantus. De Urbibus et Populis. 110). Ky ndërrim emrash mund të ketë ndodhur nga ndikimi që kishte tempulli i Apolonit, që ngritën Korintasit për nder të qytetit të origjinës së tyre. Mund të ketë qenë fama e madhe që mori kjo faltore, e cila i dha emrin përfundimtar kësaj kolonie. Nuk është çudi se, një dukuri e tillë ndodhi edhe në qytetin simotër të Epidamnit, i cili më vonë u quajt Dyrrah. Ndërsa hipoteza e dytë lidhet me bekimin që morën kolonistët e parë nga orakulli i Apolonit në Delf, kur shkuan për të marrë profecinë e tij. Ka gjasa që këtu, atyre t’u jetë sugjeruar që koloninë ta quanin me emrin e Apolonit. Ndërkohë që sot rreth 500 m në perëndim të mureve rrënojë të Apolonisë ruhet emërtimi Magjyle, që mund të të jetë mbetja e emrit të parë të këtij qyteti, Gylakea.