Shkruan Prof. Zymer Mehani

Edhe në Halabak, në Tërrnavë dhe në Bellopojë si kudo në trevën e Llapit, pas Luftërave Ballkanike (1912/13) e sidomos pas viteve 1918-22, Jugosllavia monarkiste vendosi disa familje serbe e malazeze.1)

Para vitit 1914 në këto anë (edhe në Halabak) nuk kishte asnjë shtëpi serbo-malazeze. Kolonistët e parë vijnë më 1914, mbështetur në dekretligjin e nxjerrë po në këtë vit. 2)

Kolonizimi me sllavë do të përshpejtohej gjatë dhe pas vitit 1919, kur mbreti Aleksandër, më 6 prill të atij viti lëshoi një proklamatë, në të cilën thoshte: “Unë dua që të merret menjëherë në dorë zgjidhja e drejtë e çështjes agrare).3) Kjo proklamatë pastaj mori formën e ligjit në Parlamentin Serb dhe në këtë mënyrë vazhdoi edhe më tej procesi i kolonizimit i viseve tona me serbë dhe malazezë.

Kolonistët vazhdonin të instaloheshin në trevat tona edhe gjatë viteve ‘20 e ‘30, kur u ndaheshin toka të papunuara dhe male, që konsideroheshin si “mera” në emër të Reformës agrare.

Edhe gjatë viteve 30-40 në emër të së ashtuquajturës Reformë agrare, kolonistëve që vendoseshin në Kosovë u ndahej tokë e punueshme, që u merrej me dhunë fshatarëve

shqiptarë, me qëllim që shqiptarët t’i braktisnin trojet e tyre stërgjyshore dhe të shpërnguleshin për në Shqipëri apo në Anadoll.

Pas ripushtimit të Kosovës nga SKS-ja, pushteti serb nuk lejoi hapjen e shkollave shqipe. Edhe ky pushtet do t’i mbyllte ato shkolla të pakta që i kishin hapur shqiptarët gjatë viteve 1916-18 nën okupim të Austro-Hungarisë. Ato shkolla do t’i mbyllnin formacionet e armatosura, që ishin të angazhuara për një punë të tillë, si ushtria, xhandarmëria, garda policore etj.

Okupatorët e Mbretërisë Serbo – Kroate – Sllovene ndërmorën hapat më radikalë ndaj mësuesve shqiptarë, të cilët i burgosi, i internoi dhe i ekzekutoi pa farë mëshire.

Dr. Abdulla Vokrri konstaton se “atij që i gjendej libri shqip në këtë periudhë, e paguante me kokë-, për të vazhduar më tej se -libri shqip ishte privilegj vetëm i atyre që shkolloheshin përtej kufirit të Mbretërisë SKS).4) Nga kjo mësojmë se pushteti serb tentonte ta zhdukte edhe tërë dokumentacionin pedagogjik, d.m.th të zhdukte çdo gjurmë që do të dëshmonte se këtu në këto treva ishte mësuar ndonjëherë në gjuhën shqipe.

_________________________

1) Kosovka Ristiq:”Malo Kosovo”(Antopografska studija), Prishtinë 1971, fq.260. Në këtë vepër konstatohet se në këto vise (të Llapit-shënimi im) banorë serbë e malazezë nuk kishte fare para vitit 1912. Gjithnjë sipas saj, në vise të Llapit (edhe në Halabak sh.im) më 1912, e sidomos pas 1918-tës vendosen familje koloniste serbe e malazeze.

2) Abdulla Rr. Vokrri “Shkollat dhe arsimi në anën e Llapit…”, fq.52

3) Hajredin Hoxha “Përparimi”, nr.1, 1970, fq. 316

4) Abdulla Vokrri “Shkollat dhe arsimi në anën e Llapit…”, fq. 53