Argjenta Bursnt, shqiptarja nga Gjilani tashmë 4 muaj është bërë pjesë e forcave amerikane.

Ajo ishte shpërrngulur në Amerikë gjatë vitit 2013 dhe vitin e kaluar mori edhe nënshtetësinë amerikane.

“Jam kadete në US Army qe 4 muaj, dëshira për t’i shërbyer shtetit amerikan më ka bërë t’i bashkohesha ushtrisë”, ka thënë ajo.

“Amerika ka qenë dhe vazhdon të jetë mikja më e mirë e shqiptarëve që nga lufta dhe pas saj. Kam ëndërruar për këtë ditë dhe jam shumë krenare të jem pjesë e ushtrisë amerikane”, ka thënë ajo.

Argjenta tregon se angazhimi i saj nuk ka qenë i lehtë.

“Në fillim nuk ka qenë e lehtë. Gjithçka në ushtri është proces i gjatë dhe kërkon vëmendje të veçantë dhe përgatitje mendore e fizike. Ka qenë shumë e vështirë në fillim, sepse edhe vajza ime është 4 vjeçe dhe kërkon shumë vëmendje. Pastaj punoj me orar të plotë si Military Advisor for City University of Seattle, ku ndihmoj ushtarët amerikanë për edukim”, ka vlerësuar ajo.

Kadetja e cila u rrit në Kosovë, thotë se ndihet me shumë fat që ka për çdo gjë mbështetjen e familjes.

“Jam shumë me fat që kam mbështetje nga familja dhe më ndihmojnë shumë në këtë aspekt. Synim imi është të punoj shumë dhe të vazhdoj shërbimin në ushtrimë amerikane dhe të rritem në pozitë sa më të lartë që ta bëjë krenare vendin tim sa më shumë”, thotë Argjenta.

Ajo thotë se në të ardhmën planifikon t’u ndihmojë edhe ushtarëve dhe oficerëve të Kosovës, duke kujtuar faktin se ndihet mirë që përfaqëson vendin e saj si shqiptare.