Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe ministri i Punëve të Brendshme serbe, Aleksandër Vulin, po kërcënojnë Kosovën në vazhdimësi.

Serbia kohën e fundit është armatosur fuqishëm, e cila ka kryer ushtrime ushtarake disa herë afër kufirit të Kosovës. Kjo është cilësuar si provokim dhe kërcënim i hapur për Kosovën.

Në lidhje me kërcënimet serbe, ish-eprori i lartë i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari, thotë se Vuçiqi po e kërcënon Kosovën në mënyrë të hapur.

Sipas tij, deklaratat e Vuçiqit, i cili po thotë, se çka po na ofron Kosova që ta njohim si shtet është kurth i Serbisë, e cila do të kërkoj veriun dhe ekstra territore të tjera për serbet, si dhe kishat e manastiret në Kosovë.

“Sa i përket kërcënimeve ushtarake nga 5 brigadat serbe, 4 prej tyre që janë afër territorit të Kosovës, ato munden me hy në aventurën ushtarake vetëm me ndihmën dhe vendosjen e ushtrisë Ruse në Serbi dhe në veriun e Kosovës, ku me ndihmën edhe të Kinës trupat ruse do të tentohen në OKB të trajtohen si paqeruajtës, sipas Rezolutës 1244. Njëjtë veproi edhe me luftën në Azerbajxhan dhe Armeni”, thotë Miftari.

Miftari ka folur edhe për armatimin serb.

Sipas tij, Serbia sot ka më shumë tanke aktive se sa Franca dhe shumica e shteteve të NATO-s.

“Miget 29, raketat Buk3/2 dhe Pancerat 1, Mig /29 helikopterë tani edhe tentimi me ble aeroplanë Su 24, pastaj dronët CH-92A, plus 18 raketa ajrore-tokësore FT-8C, pastaj dronë turk Bajraktar 2 e dhjetëra tanke dhe autoblinda ruse që i kanë marr dhuratë nga Putini, janë shenja se Serbia llogaritë dhe e njeh vetëm gjuhën e forcës ushtarake”, thotë Miftari.

Ai shton se është gabim të mendohet se Serbia është bërë demokratike.

“Serbia është si në kohën e Millosheviqit, pasi ministrat e tij janë në pushtet sot dhe mos të ishte NATO dhe Shqipëria në NATO, ne do të kishim jo vetëm provokime por edhe sulme të hapura ushtarake sidomos në veriun e Kosovës”, thotë Miftari. Ai pohon se, Kosova së pari duhet me forcua ligjin dhe prioritetet të jetë Kosova në NATO me marrëdhënie ekstra strategjike me miqtë tanë si Amerikën, Gjermaninë, Britaninë, Izraelin, Turqinë e të tjera. “Në fund, Lëvizja Vetëvendosje nëse vjen në pushtet, kjo nuk do t’i shkojë për shtati Serbisë dhe Listës së tyre në Kosovë, pra Listës Serbe”, përfundon Miftari.