Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka njoftuar se kanë mirëpritur ekipin e ekspertëve epidemiologjikë dhe mjekësorë të institutit gjerman të shëndetit publik “Robert Koch Insitute”.

Zemaj ka thënë se ky institucion i drejtuar nga dr. Andreas Jansen do të qëndrojë në Kosovë për dy javë për të ofruar ndihmë për nevojat e luftës kundër COVID-19.

“Ky mision i ekspertëve, i drejtuar nga dr. Andreas Jansen, ka ardhur në vazhdën e zgjerimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave në fushën e mjekësisë dhe do të qëndrojë në Kosovë për dy javë për të ofruar ndihmë për nevojat e luftës kundër COVID-19. Ardhja e ekspertëve gjermanë është e lidhur me letrën drejtuar presidentit të institutit ‘Robert Koch’ – RKI, prof. dr. Lothar H. Wieler, që një ekip ekspertësh nga instituti të vijë për një mision vlerësues në lidhje me situatën pandemike COVID-19 në Kosovë”, ka shkruar ai në një postim në “Facebook”.

Ai thotë se mbështetja që merret nga Gjermania është e vlefshme për shtetin tonë.

“Shkëmbimi i eksperiencave dhe thellimi i mëtejshëm i bashkëpunimit me mjekësinë gjermane dhe shtetet e tjera kundër kësaj sfide është i domosdoshëm. Ndihmat si kjo dhe mbështetja që marrim nga Gjermania për ne janë shumë të vlefshme dhe bujare, asnjëherë nuk do të harrojmë këtë solidaritet gjerman, që forcon marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy shteteve tona”, tha ai.