Emisari i BE-së për dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, Mirosllav Lajçak, e ka rënduar shumë kryeministrin Albin Kurti pas deklaratave të këtij të fundit se “dialogu nuk është prej prioriteteve kryesore”.

Lajçak ka thënë se ka shërbyer për një kohë të konsiderueshme si ministër i Qeverisë së Sllovakisë dhe se nga ajo eksperiencë ka mësuar që “nuk je ti që zgjedh prioritetet, por ato të zgjedhin ty”.

Kjo sipas Lajçakut vlen edhe për dialogun Kosovë-Serbi, duke specifikuar se të gjitha prioritetet që Kurti ka përmendur janë të ndërlidhura me rrugën evropiane të Kosovës dhe dialogun.

Sipas tij, dialogu nuk është diçka që mund të pres dhe të anashkalohet.

“Unë kam qenë ministër në vendin tim për një kohë të gjatë. Dhe nuk është që t’i i zgjedh prioritetet, por prioritetet të zgjedhin ty. Dhe kjo vlen edhe për dialogun gjithashtu. Dialogu nuk është diçka që mund të pret, është i pranishëm në gjithçka që bën. Ne mbështesim prioritetet siç është krijimi i vendeve të punës dhe drejtësia”, ka thënë Lajçak.