“Dashuria për atdheun ia kalon çdo dashurie tjetër”
Marin Barleti

Shkruan: Anton CEFA

Shqiptarët që heret kanë qenë të ndërgjegjësuar për atdheun, e kanë pasur të qartë përkatësinë e tyre etnike, e kanë shfaqur me dashuri e krenari si dimensionin kryesor të shpirtit të tyre, e kanë ndjerë me dhëmbje, i janë përkushtuar me dëshirë, kanë jetuar dhe kanë luftuar me idealin e atdheut në gji.

Ndjenja e kombësisë nuk ka qenë kurrë për shqiptarët thjesht një refleks vetëdijeje për origjinën e lashtë, për gjuhën gjenuine, nëpërmjet së cilës ata përvijuan kufijtë e vendit të vet, për formimin e tyre psikik, në dallim nga popujt e tjerë, për kulturën e përbashkët, pavarësisht dallojave krahinore që ekzistonin dhe e pasuronin atë, për historinë, etj. , elemente që u jepnin atyre njësinë fizike dhe shpirtërore të kombit.

Ajo ka qenë ndjenjë e fuqishme që i ka mbushur zemrën, i ka frymëzuar shpirtin dhe i ka mprehur vullnetin për t’u vënë në shërbim të atdheut me të gjitha aftësitë e mundësitë.

Vetëdije dhe ndjenjë shkojnë bashkë: sa më tepër që të njohësh vlerat e një dukurie të çfarëdoshme, aq më tepër e don dhe e çmon. Vetëdijësimi për përkatësinë etnike dhe vetëdijësimi për vlerat etnike janë kusht sine qua non për ta dashur dhe vlerësuar atdheun, për të krijuar atë predispozicion shpirtëror që të bën të përpiqesh dhe të luftosh për atdheun, të flijohesh për të.

Kjo ndjenjë e magjishme, gjithnjë e ngrohtë e zemrës shqiptare, ka ushqyer ideale të larta atdhetare dhe ka bërë që në shpirtin shqiptar të përndrisin në një zjarr të përbashkët ndjenjë dhe ideal, ideal dhe ndjenjë.

Rreth shek. XIV, populli ynë filloi ta identifikojë veten përmes gjuhës edhe si semantikë fjale, ta quajë veten shqiptar, në kuptimin e atij që flet shqip, qartë, kuptueshëm; duke e dalluar veten prej folësve të gjuhëve të huaja. Gjurma e parë e emrit shqiptar del në dritë në mbarim të shek. XIV, në një valle që këndohet në Zadrimë.

1). Ka pasur gjashtë mendime të ndryshme për burimin e këtij etnonimi, por më i pranueshmi është ky që thamë më lart, të cilin e ka shtruar në sofrën e dijes Gustav Meyer dhe e ka përkrahur Sufflay.

2). Hipoteza e dytë e lidh zanafillën e emrit tonë kombëtar me fjalën shqipe, shqiponjë.

Nuk dihet me saktësi se kur e pse filloi të përdoret ky emërtim si emër kombësie. Ka mendime se ai u bë popullor në kohën e dyndjeve të fiseve barbare në Ballkan

3) ose në kohën e ndarjes së theksuar krahinore e administrative që solli pushtuesi osman.

4) Sido që të jetë, fakt është që vetëdija dhe nënvetëdija popullore e ndjeu nevojën e shprehjes së identitetit dhe unitetit nëpërmjet identifikimit me këtë emër të ri që lidhej me gjuhën, elementin më të dallueshëm të një kombi; aq më tepër që ky emër lidhej edhe me shqipen, shpendin mbretëror, madhështor, me të cilin është përkëdhelur dhe përkëdhelet edhe sot e kësaj dite sedra ynë kombëtare.

Veç kë saj, shqipen shqiptari e ka edhe në Flamurin kombëtar, për të cilin ka një nderim të veçantë, pothuaj mistik, e ka për zemër, si simbol të unitetit kombëtar; sepse kudo që jetojnë shqiptarët, në trojet tona të lira apo të robëruara, apo në diasporat e shpërndara “të gjakut tonë të shprishur”, ata i përnjësohen dhe i përbetohen me lotë në sy këtij Flamuri.

Si një popull i lashtë, me një përvojë jetësore e historike të pasur, me urtësinë që e ka karakterizuar, populli ynë nuk e ka identifikuar kurrë veten nga besimi, në ndryshim me sllavët, grekët, bullgarët, etj.,por nga përkatësia etnike, duke i dhënë kombësisë përparësinë, siç i takon: si element i pandryshuar, i patjetërsueshëm.

E kemi çekur edhe në ndonjë rast tjetër, por e ripërsërisim këtu shprehjen emblematike shumëkuptimplote të Hobhaus-it për këtë karakteristikë të spikatur të shpirtit shqiptar, të konstatuar prej tij në dhjetëvjeçarin e parë të shek. XIX: “Kur banorët e provincave të tjera të Turqisë pyeten se ç’janë, ata të përgjigjën: “jemi muhamedanë” ose “jemi të krishtërë”, ndërsa banori i këtij vendi përgjigjet: “unë jam shqiptar”

5). “Kjo ndjenjë e fuqishme për atdheun, e ka theksuar ai, vihej re “në tërë popullin” dhe në një mënyrë të atillë që bënte “të zhduket në një masë të madhe ai dallim i madh, që vihet re në pjesë të tjera të Tuqisë midis pasuesve të dy feve të ndryshme”.

6). Është kuptimplote përgjigjja për këtë çeshtje e Ismail Qemalit dhënë një gazetari anglez, pas Shpalljes së Pavarësisë:
-Si do t’i bashkoni në një shtet katolikët e Veriut me myslimanët e Shqipërisë së Mesme dhe me ortodoksët e Jugut?- pyeti gazetari.

Mos kini frikë, zotëri! Ata janë bashkuar e bërë njësh prej kohësh nëpërmjet kultit të të njëjtit atdhe, të cilin e kanë në zemër prej shekujsh. – u përgjigj Ismail Qemali.

7) Gjatë shekujve të pushtimit osman, edhe pse një pjesë e popullsisë u kthye në besimin e pushtuesit, shqiptarët luftuan së bashku kundër tij.

Është e hershme vetëdija e kombësisë dhe ndjenja që e ka shoqëruar atë; ajo u ka qëndruar kohërave të vështira që ka kaluar vendi, është kalitur sidomos në periudhën e lavdishme të luftës së popullit tonë nën udhëheqjen e Skënderbeut, dhe është çelnikosur më tej në shekujt XVI-XVIII, në kohën e kryengritjeve masive kundër sundimit osman, në vitet e Lidhjes së Prizrenit dhe, më së fundi, në vitet e rezistencës kundër pushtuesve italo-gjermanë.

Janë pikërisht vetëdija e përkatësisë etnike dhe ndjenja e shqiptarësisë gjeneratorët e luftave shekullore të popullit tonë për të mos iu nënshtruar armikut dhe për t’u bërë ballë përpjekjeve të gjithnduerta të asimilimit të huaj.
Historia e popullit tonë është histori e luftave të vazhdueshme për të mbrojtur lirinë, dinjitetin, gjuhën, zakonet e traditat e trashëguara prej të parëve.

Gjurmë të pashlyera ka lënë kjo histori në kulturën popullore, sidomos në atë shpirtëroren, në radhë të parë tek kënga popullore. “Karakteri dhe historia e një populli pasqyrohen më së miri në poezinë popullore”, ka shkruar Çabej.

8) Megjithëse në ciklin e këngëve legjendare të Mujit e të Halilit del e turbullt kuptimësia e atdheut, kreshnikët shqiptarë e veçojnë etnikisht veten e tyre nga të huajt: shkjau, latini, maxhari, turku.

“Gjak as fis na me shkja nuk kemi”, thuhet në një rapsodi. Kreshnikët luftojnë për lirinë dhe tokën e tyre. Në qendër të këtij eposi madhor qëndron konflikti shqiptaro-serb.Në betejat e tyre, rapsodët popullorë mishëruan qëndresën e armatosur kundër përpjekjeve sllave për t’u shtrirë në viset tona.

Kreshnikët e dallojnë veten e tyre nga të huajt veçanërisht prej vityteve të tyre të veçanta e fisnike, të cilat i mbajnë për të shenjta, dhe siç pohojnë ata vetë i kanë trashëgim prej të parëve; jetojnë e luftojnë sipas brumosjes së tyre morale dhe zakoneve të tyre, krenohen për to, i qëndrojnë besnikë deri në shuarje.

“Se ne t’ parët nji kanu na kan lanë / Armët me dhanë përpara, mandej gjan”, i thotë Gjergj Elez Alija Balozit; “Tjetër t’mirë ne t’parët nuk na kan lanë, / kurrnja nesh veç mos me dekë në t’shtrueme, por me shpata m’u pre tuj këndue”, i thotë Halili Krajlit në prag të shuarjes.

“Deka ma e ambel s’asht se n’luft’ m’u pre, / n’ luft’ m’u pre pa i lanë marre vedit”. Ata janë të ndërgjegjshëm se të huajt nuk i njohin zakonet e tyre: në këngën “Lule Frangu”, thuhet për gogët (latinët): “ata s’dijn’ besë, as s’kan trevezë”, pra, nuk janë besnikë dhe as mikpritës.

9) Dashuria për atdheun u ka dhënë frymë të gjallë, frymë shenjtërimi, epikës historike që i është kushtuar luftës për liri të atdheut. Poezia popullore ka shoqëruar çdo fakt historik, ka përjetësuar bëmat heroike të luftëtarëve të lirisë të të gjitha kohërave, u ka thurur himne udhëheqësve të kryengritjeve popullore, dëshmorëve të rënë për hir të kësaj dashurie dhe të idealit kombëtar, duke shërbyer njëkohësisht si burim njohjeje historike dhe frymëzimi për breznitë e ardhshme.
Një mori të pafund këngësh, populli ynë i ka kënduar dhe i këndon Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut, gjithë heronjve të asaj epopeje madhështore që udhëhoqi ai. Përndrisin në këto këngë me një shkëlqim rrezatimi të rrallë dashuria e popullit tonë për atdheun dhe lirinë, krenaria kombëtare, adhurimi për Skënderbeun dhe luftëtarët e tjërë të lirisë.
Barleti na ka treguar që shqiptarët e kishin zakon të trashëguar të këndonin ndër gosta trimëritë e të parëve të tyre dhe t’u thurnin lavdi atyre. Për një gjë të tillë ka folur, në mënyrë të veçantë, historiani venedikas, humanisti Antonio Sabelico, i cili përmend që në vitin 1847 se “ . . . populli, i mahnitur nga adhurimi i lartë i këtij burri (Skënderbeut), sikur të shikonte tek ai diçka që kalonte mundësitë njerëzore, e lartësonte kujtimin e princit të dashur me këngë solemne.

Më kanë treguar burra të denjë për t’u besuar se mu në mes zjarrit të luftës, kur gjithçka shungullonte nga armët e barbarëve (turqve), grumbuj vajzash e kishin zakon të mblidheshin çdo ditë në sheshe, kryqëzime rrugësh të qyteteve, ku ai kish sunduar dhe të këndonin lavditë e princit të tyre të shuar, ashtu siç bënin edhe të vjetrit në gostitë e heronjve të mëdhënj” 10). Për një dukuri të tillë, më pas për to do të na flasin Barleti, Marin Bici, Frang Bardhi, etj.
Me interes është një këngë kushtuar udhëheqësit të kryengritjes popullore kundër politikës centralizuese të Tanzimatit, në zonën midis Kurveleshit, Delvinës, Çamërisë, Gjirokastrës dhe Vlorës, në vitin 1847:
“Gryk’ e Kuçit, gryk’ e keqe,
Një mijë e treqind dyfeqe,
Ç’i mban Gjoleka me vete!
U trete, Gjolek’, u trete!
E sos lëftove për vete,
Po për gjithë vilajete,
Për nizam’ e për xhelepe . . .
S’e për mua e për ti,
Po për gjithë Shqipëri!”11).

Vargu i fundit, që këngëtari anonim e ka vendosur në këngën kundër Reformave të Tanzimatit, na dëshmon më së miri që shqiptari ka jetuar gjithnjë me një ndërgjegje kombëtare të zgjuar, bile para se të formohej në radhët e intelektualëve tanë një ideologji e çlirimit kombëtar. Populli e ka pasur gjithnjë të qartë qëllimin për të cilin ka luftuar:

“Shqipëri, o shkëmb e gur,
Vriite, prite për flamur:
Ata hiq e tine vurë”.

Ose:

“Bini djem! thot Ramadani,
Bini se na shkoi vatani”.

Nga ushtria madhore e vargjeve të thurura për luftëtarët e lirisë të të gjitha kohërave, po veçoj vetëm pak vargje nga një këngë kushtuar Sefë Koshares, pjesëmarrës i epopesë së luftës për ruajtjen e trojeve tona, kryesuar nga Lidhja e Prizrenit. Si u kap i plagosur dhe nuk pranoi para Dervish Pashës të dënonte veprimtarinë e Lidhjes, u var në mes të fshatit, në maje të një lisi, për t’u përjetësuar në vargjet e rapsodit dhe në zemrat e të gjitha breznive shqiptare:

“Sef Kosharja, i par’ i fisit,
Hije t’paska dega e lisit!
Hije m’ka, o djemt e mi,
Se kam lanë shpirtin për Shqipni”

Jo vetëm epika historike, por edhe gjinitë e tjera të folklorit si ninullat, fjalët e urta, gojëdhanat, etj., e kanë pasqyruar ndjenjën shqiptare të atdhetarizmit.
Tek fjalët e urta që ka krijuar populli ynë gjatë shekujve është vlerësuar kjo ndjenjë si një ndjenjë njerëzore nga më sublimet, është çmuar ai që lufton dhe flijohet për atdheun: “Kush ka ndrru jetë për atdhe, nuk ka vdeekë, por ka le”; ka kumtuar me anën e tyre mesazhe të ndritura për breznitë e ardhme: “Duaje atdhenë si shqiponja folenë”, “Në kufijt e arës vdis, po kufirin mos e lsho!”; ka shprehur idenë e sakrificës si domosdoshmëri për të punuar për atdheun: “Po s’u dogj shtëpia, s’bëhet Shqipëria”; ka treguar vlerën e njeriut në marrëdhënie me atdheun: “Mos punofsh për atdhe, s’përmendesh mbi dhe”; ka vënë në dukje, bile nëpërmjet armikut, qëllimin e lartë të shqiptarit për të mbrojtur atdheun: “Arnaut, he arnaut, në vend të bukës blen barut”; ka hjedhur idenë e ëmbëlsisë së jetës në atdhe, ku është “Balta ma e ambel se mjalta”, etj.
Në ninullat që nënat shqiptare u kanë kënduar fëmijëve, kanë shprehur gjithnjë dëshirën që ata ta duan atdheun dhe t’i shërbenjë atij kur të rriten, të bëhen trima si Skënderbeu. Po jap këtu vetëm një këngë që nëna drenicare i ka kënduar birit të saj:

“Gjinin bir qi un ta dhashë
Nja dy fjalë t’i them qitash
Rritju nanës ti, o trim,
Për vatanin, o gëzim,
Shpirtin nan-o duhet falë
Sikur gjyshi yt, o djalë,
Se dushmani ne na pjekë
Nën sun (sundim) t’tij dhe gjarpni hjekë” 12).

Mjeda e ka përgjithësuar artistikisht aq bukur këtë synim edukativ të nënave në poemin “Liria” e cila i bën jehonë kryengritjes së Malësisë së Madhe nën udhëheqjen e Dedë Gjo Lulit, në vitin 1911: “ . . . Qe nder djepa rrisin / nanat e Hotit djelmënin ushtore, / e idhnim n’anmikun neper gji ju qisin.”

* * *

Po aq sa poezia popullore, edhe letërsia e shkruar, duke ecur, në përgjithësi, në vazhdën e së pares, ka pasqyruar ndjenjën e lartë të dashurisë për atdheun dhe idealin kom bëtar.
Në gjithë veprimtarinë letrare e shkencore të humanistëve tanë të mëdhenj si një fill drite ndriçon kjo dashuri, dëshira për ta parë atdheun të lirë e të begatë.

Po përmend Barletin, një ndër më të shquarit në rreshtin e gjatë të humanistëve tanë, që dhanë një kontribut të vlertë në Rilindjen europianne.

Në hyrjen e kryeveprës së vet “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, që i kushtohet Ferdinand Kastriotit, nipit të Skënderbeut, ai ka shpjeguar arsyet që e shtynë të ndërmerrte këtë vepër: ndjenja e detyrës patriotike për të përjetësuar luftën e heroit dhe të popullit të tij dhe njëkohësisht për t’i shërbyer së vërtetës si detyra më e lartë e historianëve.”

13).
Është bërë proverbiale shprehja e çiltër që tingëllon si programatike e Buzukut në veprën e tij “Meshari”, e para vëpër në gjuhën tonë që kemi në dorë, të cilën ai e shkroi “En së dashunit së botës sanë”, pra për dashurinë ndaj vendit dhe popullit të vet. Është pikërisht ky qëllim i lartë që i paraprin vargut të shkrimtarëve tanë të letërsisë së vjetër shqipe: Budit, Bardhit, Bogdanit, dhe gjithë letërsisë sonë të mëvonshme.
Dashuria e pakufishme për Shqipërinë është lejtmotivi i gjithë veprës së Naimit, apostullit të shqiptarizmës, grishje e hapët për çlirimin e atdheut nga sundimi turk, dëshirë e flakët për ta parë të lirë, të begatshëm, të qytetëruar, të lumtur. Në “Historinë e Skënderbeut”, që “është quajtur me të drejtë ‘testamenti politik’ i Naimit 14), duke himnizuar heroin e kombit, poeti ia shtron vetvetes kështu detyrën e madhe:

“T’i ap dritë Shqipërsië
Nga shpirti i ndritshëm i tija.” 15).

Ja edhe pak vargje me shumë dashuri dhe zotim:

“Shqipëri, o jetëgjatë,
ty të kemi mëmë e atë
dhe për ty do të luftojmë
gjersa të të trashëgojmë.
………………………

Shqipëri, të qofsha falë,
të kam mëmë e më ke djalë.”16).

E gjithë vepra e At Gjergj Fishtës, Poetit Kombëtar, i është kushtuar lirisë, begatisë, qytetërimit të atdheut. Kushtrimi luftarak burrëror për çlirim ka qenë limfa e motiveve fishtiane:

“Bini, Toskë, ju, bini Gegë!
Si dy rrfe , qi shkojnë tue djegë
A ngadhnjyes a t’gjith deshmorë!
Trima, mbrendë! Me dorë?, me dorë!” 17).

Në veprën e tij janë skalitur me dorën mjeshtërore të poetit traditat më fisnike të popullit tonë, ato virtyte që karakterizojnë fizionominë e vërtetë të kombit; dhe një ndër to nderimi sublim për ata që punuan, luftuan dhe vdiqen për atdheun:
“O ata t’lumtë qi dhane jetën,
O ata t’lumtë qi shkrine vehten
. . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . .
Lehtë u kjoftë mbi vorr ledina,
Butë u kjoshin moti e stina,
Ak’lli, bora e serotina,
E der’ t’kënojë n’mal ndoj Zanë,
E der’ t’ketë n’det ujë e ranë,
Der’ sa t’shndrisin diell e hanë,
Ata kurr mos u harrojshin,
N’kangë e n’valle por u kndojshin.” 18).

Që kur u ngjiz shpirti i shqiptarit, shkelqei te ai si një fill i artë rrezatues ndjenja e ngrohtë e dashurisë së atdheut dhe përndritën në flakurime farfuritëse idealet më fisnike në shërbim të tij. Këto virtyte kombëtare, diktatura me ideologjinë e vet të kuqe internacionaliste i topiti, por kurrë nuk ia arriti t’i shkimbë.

Dhe as partitizmat e politikës aktuale pa idealet e mësipërme dhe me flamuj materializmash, konsumizmash, interesash personale, etj., nuk do të munden të çnatyralizojnë ato virtyte të përjetshmme e të fisme të shqiptarit, dhe sidomos dashurinë e shenjtë për atdheun; sepse:
“Kriter për veprimet tona kemi dashurinë për atdheun, dashurinë pa kufi, pa kushte, dashurinë si ajo e mëmës për fëminë e saj . . . Kundrejt atdheut kemi vetëm detyrë, asnjë të drejtë, përveç të drejtës që ta adhurojmë” 19), siç e ka përcaktuar Mithat Frashëri hapësirën kuptimore të ndjenjës sonë ndaj atdheut Mithat Frashëri.

REFERENCA E SQARIME

1). Atë Marin Sirdani, “Ndriçime të historisë, të kulturës dhe të artit shqiptar”. Zgjodhi dhe përgatiti për shtyp Anton Nikë Berisha, “Shpresa”, Prishtinë, 2002, f. 113-114.
2). Po aty, f. 114-116.
3). “Emni Shqyptar, shkruan Sirdani, nuk kundrrohet në kurrnji shkrimtar perpara të XVIII qindvjetë. Se si e kur hini në perdorim n’anekand Shqypnin, në mal e vrri si emen i perbashkët kombsije, nuk dihet, por mbasi perdoret pa perjashtim deri nder vendet ma të izoluemet e dheut t’onë, do të caktohet së pakut para ardhjes së Turkut nder kto vende, e ka gjasë se ka hi në përdorim që me kohë t’invazioneve të popujve barbarë në dhena të Ballkanit, pse atëherë kanë pasë ma nevojë se kurdoherë t’onët me pasë nji emen të përbashkët kombsije per me u nda prej sa e sa popujve qi u pershkojshin neper vende të tyne e u perzieshin me bashkatdhetarët e tyne”. Atë Marin Sirdani, vepër e cituar më lart, f. 114.
4). Dhimitër S. Shuteriqi shkruan: “ . . . në shekullin XVII – XVIII, populli nisi t’i thotë vetes “shqiptar”, sipas gjuhës “shqip”, ta identifikojë veten përmes gjuhës. Arsyet duhen kërkuar te theksimi i ndarjes krahinore dhe administrative që solli pushtimi i gjatë osman” (“Ndjenja e kombësisë te shqiptarët në shekujt e parë të pushtimit osman”, gazeta “Drita” 8 gusht 1982, f. 13).
5). Hobhouse, J. C. A journey through Albania and other provinces oh Turkey in Europe and Asia, to Costantinople, during the years 1809 and 1810, London, 1813, p. 148. Cituar sipas Shpëtim Memës, “Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e udhëtarëve anglezë”, Shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1988, f. 70.
6). Hobhouse, J. C., vepër e cituar, f. 70.
7). Banush I. Lami, “Një bitinar i mërguar”, Shtypshkronja “Kotti”, Korçë, 2001, f. 138.
8). Eqrem Çabej, “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”, Përgatiti për shtyp Brikena Çabej, MÇM, 1994, f. 37.
9). Biblioteka Françeskane “Át Gjergj Fishta”, Kolana e shkrimtarëve françeskanë, “Visaret e Kombit”-Kangë kreshnikësh dhe legjenda, Botimi III, Mbledhë dhe redaktue nga Át Bernardin Palaj dhe Át Donat Kurti, Botime Françeskane, Shkodër, 2007.
10). M. Antoni Sabellici, Historiae Rerum Vennetarum. Basileae 1556, f. 922-923 (Botim.i parë 1487), cituar sipas Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore, “Epika historike – 1” Tiranë, 1983, përgatitur nga Qemal Haxhihasani, “Hyrje”, f. 23-24.
11). Citimet e vargjeve të këngëve popullore historike janë marrë nga vëllimet “Epika historike – 1” dhe “Epika historike – 2”, botim i Akademisë së Shkencave të RPS të Shqipërisë, botuar në Tiranë, përkatësisht në vitet 1981 dhe 1983, përgatitur nga Qemal Haxhihasani.
12). Anton Nikë Berisha, “Qasje poetikës së letërsisë gojore shqipe”, Ndërmarrja botuese “Rilindja”, Prishtinë, viti 1998, f. 136-137
13). Akademia e Shkencave e RPSSH, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Shtypur në Kombinatin Poligrafik, Tiranë, 1985, Zëri “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, autori Aleks Buda, f. 375.
14). Akademia e Shkencave të R. P. S. të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, “Historia e letërsisë shqiptare”, Tiranë, 1983, f. 212.
15). Po aty, f. 217.
16). Riprodhim me kujtese.
17). Don Viktor Sopi “At Gjergj Fishta – Kthjellon terrin e mjeruar – Antologji”, Shtypshkronja “Dukagjini, Pejë, Boton “Rrezja”, Bishtazhin, 1997, f. 122.
18). Idem, f. 193.
19). Uran Butka, “Gjeniu i Kombit”, Botimi i parë, “DRIER”, viiti 2000, f. 473