134 mijë euro paga janë dhënë nga Ministria e Arsimit edhe në vitin 2019 për 32 punëtorët që nuk dolën në punë.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se  MASh edhe këtë vit ka paguar disa punëtorë që janë kontraktuar në ministri në bazë të një marrëveshjeje Kosovë-Serbi në vitin 2015 për të shuar të ashtu quajturën “Mbrojtja Civile”.

Në MASh, pas një procesi të rekrutimit me akt emërime ishin integruar 32 nënpunës të komunitetit serb, ish pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile”.

Auditori ka bërë të ditur se këta punonjës ishin planifikuar të sistemohen nëpër komunat në pjesën veriore të Kosovës, ndërsa për pagat e tyre janë shpenzuar 134 mijë e 657 euro.

“Megjithatë, në aktemërimet e tyre, të punësuarit janë sistemuar në pozita të caktuara brenda departamenteve përkatëse në ministri. Për këta punonjës, MASh, nuk ka dëshmi për ta konfirmuar paraqitjen e tyre në vendin e punës për t’i kryer detyrat për të cilat janë të ngarkuar me kontrata, përderisa ishte bërë pagesa e rregullt e pagave të tyre. Vlera financiare për shpenzimet e pagave për vitin 2019, për këta 32 zyrtarë ishte 134,657€”, thuhet në raportin e Auditorit.

Sipas Auditorit kjo ka ndodhur për shkak se nuk janë zbatuar kontrolle menaxheriale për të siguruar se të gjithë të punësuarit janë të pranishëm në vendin e punës gjatë orarit të punës dhe arsyeve tjera, përfshirë edhe rrethanat politike.

Pagesat e pagave pa vijushmëri në punë sipas Auditorit ka shkaktuar dëmtim buxheti si dhe mos arritje të objektivave të përcaktuara me marrëveshje, pra integrimin e këtij komuniteti në sistemin e Republikës së Kosovës.

Auditori ka rekomanduar që ministr të ndërmerr të gjitha veprimet për të siguruar vijueshmërinë e rregullt në punë të këtyre punonjësve, duke bërë monitorimin e vazhdueshëm siç parashihet me aktet ligjore.

“Për shkak të kompleksitetit të këtij problemi, ministri duhet ta adresoj këtë çështje edhe në Qeveri”, thuhet në rekomandim.

I njëjti rekomandim ishte dhënë për disa vite nga Auditori i Përgjithshëm për Ministrinë e Arsimit dhe disa institucione tjera që po ashtu kanë të punësuar ish- pjesëtarë të Mbrojtjes Civile.