Banka e Shqipërisë, si autoritet qendror bankar shtetëror, ka vendosur sot që bankat e nivelit të dytë të ngrijnë pagesat e kësteve të kredive për një periudhë tremujore.

Kjo masë merret në kuadër të situatës së emergjencës së krijuar nga coronavirusi, që ka prekur edhe Shqipërinë.

Vendimi duhet të zbatohet nga të gjitha bankat dhe për të gjitha kreditë. Kjo masë parashikohet që në radhë të parë të shmangë radhët që krijohen nëpër sportelet e bankave dhe për këtë qëllim.

Nga ana tjetër, masa e ngrirjes së pagesës së kësteve të kredive mendohet edhe si një lehtësim për qytetarët dhe bizneset, të cilëve do t’u ndërpriten apo reduktohen mundësitë e aktivitetit ekonomik, si pasojë e ndalimeve të urdhëruara nga qeveria, raporton Shqiptarja.com.

Në bazë të vendimeve më të fundit të qeverisë, shumë ndërmarrje do të mbyllen apo reduktojnë aktivitetin, duke bërë që shumë biznese dhe qytetarë të kenë mundësi më të kufizuara për të shlyer detyrimet financiare ndaj bankave.

BSH vendosi që për këtë qëllim bankat të mos aplikojnë penalitetet ndaj klientëve, të tilla si kamatë vonesa, e masa të tjera.