Hapja e një zyre ruse në Serbi është pritur me shqetësim të madh nga Bashkimi Europian.

Peter Stano, zëdhënës i diplomacisë dhe shefit të sigurisë së Bashkimit Europian, thotë se BE ka përcjellë me shqetësim të madh raportimet rreth hapjes së zyrës ruse nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë në Beograd.

Qëllimi i hapjes së kësaj zyre thuhet se është forcimi i lidhjeve ushtarake të Rusisë me Serbinë.

Reagimi i Stanos ishte i qartë rreth këtij veprimi të Serbisë.

“Serbia e ka identifikuar integrimin në BE-së si përparësi strategjike dhe pritet që të përafrojë në mënyrë progresive politikat e saj në përputhje me politikat dhe pozicionet e miratuara nga Bashkimi Evropian” tha Stano.

Ai shtoi se bashkëpunimi ushtarak midis vendeve evropiane, duhet të jetë në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare.

Dje nëpër mediat e Serbisë u raportua se Ministria Ruse e Mbrojtjes ka dhënë një njoftim për hapjen e zyrës së saj në Beograd.

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë konfirmoi procedurën ligjore që kishte nisur në lidhje me hapjen e zyrës ‘pas një marrëveshje midis qeverive të Serbisë dhe Rusisë’.

Qëllimi i pranisë së zyrës së Ministrisë Ruse të Mbrojtjes në Serbi thuhet se është të ofrojë mbështetje dhe të përshpejtojë procesin e bashkëpunimit ushtarak-teknik në përputhje me marrëveshjen e dy vendeve.