Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rakiqi ka dhënë detaje rreth takimit të djeshëm në mes të Kosovës dhe Serbisë, të mbajtur në rezidencën e ambasadorit amerikan në Beograd, Anthony Godfrey.

Rukiqi ka konfirmuar se delegacioni nga SHBA-ja i ka kërkuar atij që t’i bashkëngjitet amerikanëve për ta diskutuar rreth projekteve të rëndësi ekonomike për regjionin.

“I kemi trajtuar barrierat që ekzistojnë në mes të dy vendeve në kuptim të këmbimeve tregtare e kështu me radhë. Fokusi i diskutimeve tona kanë qenë që të dyja vendet me përfituar më shumë për projektet, strukturën e tyre, financimin. Unë kam dhënë propozimet e mija sa i përket projekteve që janë me rëndësi vitale për Kosovën”, ka thënë kryetari i OEK, për Indeksonline.

Ndër të tjera, Rukiqi ka përmendur tri projektet madhore, të cilat, sipas tij, do të realizohen shumë shpejt.

“Projekti i Brezovicës, projekti në fushën e minierave si dhe projekti në fushën e energjisë, që lidhet me rrjetet e gazit”, ka deklaruar ai.

Ndryshe, dy odat ekonomike, të Kosovës dhe Serbisë janë pajtuar që të krijojnë një grup punues, i cili do të ndihmojë qeveritë e të dyja shteteve për të zbatuar projektet e marrëveshjes së Uashingtonit nga 4 shtatori.

Kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA, Adam Boehler, deklaroi se Kosova dhe Serbia me marrëveshjen për normalizim ekonomik, kanë “të mirën e popullit dhe jo politikës”.

“Dua të shpreh mirënjohjen për Prishtinë dhe Beogradin që kanë vendosur në të mirën e popullit dhe jo politikë sepse në fund të fundit, normalizimi ekonomik do të thotë investim. Kjo nuk është një situatë kur një vend humb e një tjetër fiton”, tha Boehler.