Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, ka deklaruar sot se Bashkimi Evropian në këtë moment “nuk po bën asgjë, ose po bën shumë pak” rreth çështjes së Kosovës.

“S’kam asgjë të mirë të them për sjelljen e Evropës, për sjelljen e BE-së, dhe mbi të gjitha mendoj se ajo [marrëveshja e Brukselit] është çështje e BE-së. Nënshkrimi i tyre është në marrëveshjen e Brukselit”, tha Bërnabiqi.

Ajo shtoi se Kosova qartë po e shkel marrëveshjen e Brukselit, sepse “në veri nuk do të duhej të ishin njësitet speciale ROSU” dhe se “as pas nëntë vjetësh nga nënshkrimi i asaj marrëveshjeje nuk është formuar” Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Kryeministrja serbe vlerësoi se BE-ja “jo vetëm që po toleron të mos zbatohet marrëveshja e Brukselit tash e nëntë vite, por po hesht ndaj shkeljes së saj të qartë”.

“E më pas [BE-ja] thotë në njëfarë takimi në New York ku isha edhe vetë unë ‘çfarë do të mund të bënim që të shkojmë deri te de-eskalimi’. Do të mund ta respektonin fjalën e tyre, këtë do të mund ta bënin. Për fillim, pas pra gati nëntë vjetësh, të thoni, pasi që jeni garantues i marrëveshjes së Brukselit, të garantoni zbatimin e saj, dhe krejt kjo që e kemi tani do të zhdukej për pesë minuta”, deklaroi shefja e qeverisë serbe.