Një nga mbledhjet me rëndësi të veçantë në veri të vendit ka qenë ajo e “Dheut” kryesues, i të cilit do të ishte trimi, atdhetari, Ramadan Zaskoci.

Luma kishte një rol shumë të rëndësishëm pasi prej andej do të kalonte edhe ushtria e shkiaut serb. Roli që ky kuvend ka luajtur në luftën kundër pushtuesve është gjithashu shumë i rëndësishëm. Në këto mbledhje merrnin pjesë përfaqësuesit e krahinës.

Ato kishin të drejta dhe detyra. Zgjidhnin një kryesi prej 18 burrash me pleq, më trima dhe më të zotët e fjalës, mendjes dhe pushkës.

Aty bisedohej për problemet më të rëndësishme të krahinës e lidhej besë për një afat të caktuar. Kur popullit i kanosej ndonjë rrezik, atëherë jepej kushtrimi në 7 e 70.

Në fillim të vitit 1903, në Bicaj u mbajt mbledhja e “Dheut”. U zgjodh kryesia prej 18 vetësh, kryetar u zgjodh me i shquari, Ramadan Zaskoci. Ndërsa anëtarë Islam Spahia, Ramadan Ciku, Ymer Sufa, Ramadan Kovaci etj. Vendimet që u morën u përmblodhën në një dokument të njohur me emrin “Masbatae” dhe u morën këto vendime.

Populli i Lumës është i vendosur për të jetuar sipas zakoneve të trashëguara prej të parëve
Populli i Lumës nuk pranon urdhra të reja të qeverisë turke, as të mytesafirit të Prizrenit e kajmekamit (nenprefektit) të Bicajve.
Populli i Lumës njeh vetëm vendimet e 18 burrave të kryesisë që janë zgjedhur njëzëri prej “DHEUT”.
Ramdan Zaskoci udhëhoqi e drejtoi mbledhjet e “DHEUT” në Lumë nga 1903 derisa u vra në vitin 1914, duke i sjell dëme të mëdha dhe të pallogaritshme forcave osmane dhe serbe në luftrat e zhvilluara gjatë viteve 1903, 1904, 1907, 1909, 1910. S’ka pëllëmbë toke në Lumë e në Kosovë ku të mos ketë shkelë këmba e Ramadanit në luftrat e ndryshme për mbrojtjen e vatanit.

Do të mbeten në kujtesë e brez pas brezi luftrat e popullit të Lumës, sidomos ato 1912-13 kundër pushtuesve serbë. Kur luftimet ishin në kulmin e tyre e zhvilloheshin beteja të përgjakshme, thikë më thikë e trup më trup, lumjanëve të udhëhequr nga Ramadan Zaskoci, Islam Spahia e Ramadan Cejku u vijnë në ndihmë me qindra luftëtarë nga Dibra, Reci e Dardha me në krye Elez Isufin, Cuf Xhelilin Xhafer Deden, të cilët kishin edhe 3 topa të zënë nga ushtria turke dhe pas 3 ditësh luftime të papara në histori, ushtria serbe jo vetëm që u shpartallua, por lanë në fushën e betejës 12000 (dymbedhjete mije) të vrarë, betejë të cilën populli e ka përjetuar: “Luma e sheja kullojnë gjak; po i thonë drinit nimona pak.

Dhe më poshtë kënga vazhdon: “ djemt e Lumës hiq s`kanë dert nga një luftë e bëjnë për vjet”.

Pra populli nëpërmjet këngës ka shkruar historinë e vet dhe u jep pavdekësinë dëshmorëve e heronjëve duke ruajtur të gjallë deri në ditët e sotme trimërinë, heroizmin dhe patriotizmin e tyre.

Në fund të korrikut të vitit 1913 u zhvillua mbledhja e “DHEUT” në Bicaj dhe u vendos të lidhet besa për të organizuar luftën e armatosur kundër pushtuesve serbë, dhe të siguronin lidhjen e besës edhe me krahinat e tjera të Hasit, të Malziut dhe të Dibrës e të kërkohet ndihmë nga qeveria e Vlorës.

Përfaqësuesit që morën pjesë në këtë mbledhje nisën për Vlorë kryetarin e “DHEUT”, Ramdan Zaskocin, nga Luma, Rexhep Bajraktarin e Hasit dhe Jusuf Elezin nga Dibra për t’u takuar me kryetarin e qeverisë shqiptare të Vlorës, Ismail Qemalin.

Këta arritën në Vlorë më 12 gusht 1913 dhe u takuan me Ismail Qemalin.

Megjithëse qeveria e Vlorës në atë kohë nuk kishte fuqi ushtarake e mjete financiare, kryetari i qeverisë, Ismail Qemali, u premtoi se do të bënte të gjitha përpjekjet për të ndihmuar popullsinë e krahinave të Lumës, Hasit e Dibrës në luftën kundër pushtuesve serbë.

Dihet mirëfilli se Lufta e Parë Ballkanike shpërtheu në tetor 1912 nga shtetet e “Aleancës Ballkanike” që e përbënin Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia.

Në këtë luftë Shqipëria akoma pa u çlirua përfundimisht nga pushtimi pesëshekullor i perandorisë osmane, u detyrua t´ia kthente armët pushtuesve të rinj edhe pse për shqiptarët ishte një periudhë jashtëzakonisht e disfavorshme, pas kryengritjes së përgjithshme të verës 1912.

Në gjysmën e dytë të tetorit 1912, ndërsa vazhdonin operacionet pushtuese të ushtrisë serbe mbi tokat shqiptare, në Kosovë e gjetiu, në krahinën e Lumës, të Opojës, Vërrinit, Gorës, Hasit, Dibrës… u organizuan kuvende të shumta dhe në sajë të kushtrimit të lëshuar nga mbledhja e jashtëzakonshme e komitetit ”Shpëtimi” të mbajtur në Shkup, me 14 tetor 1912, filloi mobilizimi i përgjithshëm për ta përballuar agresionin pushtues serb.

Në javën e parë të nëntorit, armata e III serbe, pasi pushtoi Rrafshin e Kosovës dhe atë të Dukagjinit, synonte pushtimin e Shqipërisë Veriore dhe të Mesme për të dalë në brigjet e detit Adriatik.

Qysh më 5 nëntor 1912, kur gjenerali famëkeq Bozhidar Jankoviç hyri në Prizren me regjimentet e Divizionit ”Shumadia-1”, nisi rigrupimin e forcave të tij për operacionet drejt Adriatikut.

Për të realizuar këtë plan ushtarak, komanda serbe kishte krijuar dy njësi të veçanta, që morën emrin si ”njësitë e bregdetit” dhe repartet e këtyre njësive u përzgjodhën nga divizionet ”Shumadia-1” dhe “Drina-2” të dislokuara në Prizren e Gjakovë.

Për të evituar çdo rrezik që mund të kërcënonte të ashtuquajturit ”njësitë e bregdetit”, që do të operonin në drejtim të Adriatikut, nëpërmjet Luginës së Drinit (Lumës), komanda e armatës së tretë krijoi ”repartin e Lumës”, i cili mori për detyrë të pushtonte këtë krahinë dhe krahinën e Hasit, Vërrinit, Opojës, Gorës…, të çarmatoste shqiptarët dhe të godiste pa mëshirë çdo rezistencë të tyre.

Në repartet ushtarake, për pushtimin e Lumës, u angazhuan rreth 16 mijë trupa, pasi sipas të dhënave të komandës serbe, pa “përuljen e Lumës” dhe zotërimin e brigjeve të Drinit nuk mund të realizoheshin planet strategjike të proklamuara nga qeveria serbe e Nikolla Pashiqit.

Për këtë qëllim, gjenerali Jankoviç iu drejtua popullit të Lumës me një letër ku kërkonte të plotësohen këto kërkesa:

Që paria, hoxhallarët dhe të pasurit të vijnë në bisedime pa armë;

Paria të garantojë dorëzimin e pushkëve nga fshatrat e veta, nëse duan të jetojnë në ”rehati” me ne, e ky është kushti kryesor;

T´i çarmatosin shqiptarët e ardhur nga Kosova, llapjanët, hasjanët, prizrenasit, dukagjinasit etj., të cilët ndodhen në mesin e tyre dhe ata që kanë luftuar kundër nesh;

Ta dorëzojnë, ose së paku të tregojnë ku ndodhet Isa Boletini, ta dorëzojnë Ramadan Zaskocin, Riza Beun, Islam Spahiun nga Kolesjani dhe Bajram Daklanin;

Që parija t´i prijë ushtrisë serbe dhe të informojnë për lëvizjen e rezistencës përreth, dhe

Që çdo fshatë t´i japë nga 5 vetë peng e të qëndrojnë në Prizren, që të jemi më të sigurt. Nëse këto kushte nuk plotësohen, tërë pasuria dhe fshatrat kanë për t´u bombarduar.

Këto kushte ultimative në asnjë mënyrë s´u pranuan nga populli dhe paria e Lumës dhe trevat të tjera përreth, andaj si rrjedhim soldateska serbe nisi operacionet ushtarake për pushtimin e Lumës dhe të krahinave të tjera përreth.

Qëndresa shqiptare përballë operacioneve pushtuese serbe

Përballë operacioneve pushtuese të ushtrisë serbe, u gjendën mijëra luftëtarë shqiptarë të krahinave të Lumës, Hasit, Vërrinit, Opojës e Gorës, si dhe të atyre që ishin tërhequr nga thellësitë e Kosovës, pas pushtimit të saj.

Me këtë rast malet e larta të Pashtrikut ( ku shtrihej krahina e Hasit dhe Malësia e Gjakovës), si dhe degëzimet natyrore të Sharrit (malet e Gjalicës (Pikllimës) dhe të Koretnikut, matanë Drinit të Bardhë), ku gravitojnë fshatrat e trevës së Vërrinit, të Opojës dhe të Gorës, nga fortesa natyrore u shndërruan në fortesa lufte.

Beteja e parë e përgjakshme në “Qafë të Zhurit”

Beteja e parë e përgjakshme në kufijtë e Lumës u zhvillua në “Qafë të Zhurit” dhe vijoi deri në grykën e Morinës. Në këtë lokalitet ushtria serbe për 2-3 ditë rresht pësoi goditje të rëndë, duke lënë në fushëbeteja shumë të vrarë e të plagosur dhe armë.

Pas këtij dështimi, ushtria pushtuese serbe në shenjë hakmarrje, në fshatin Zhur i mori peng 37 shqiptarë, të cilët më pas i dërguan në Prizren me qëllim që të ushtrohet presion në popull, për të mos e përkrahur edhe më tutje kryengritjen.

Ushtria serbe pas një riorganizimi me reparte të reja u nis sërish në drejtim të Lumës. Forcat shqiptare, tani përballë reparteve të divizionit ”Shumadia-1”, për të mos u dëmtuar u tërhoqën duke zhvilluar luftime sporadike, përgjatë brigjeve të Drinit të Bardhë dhe shpateve të Koretnikut e të Gjallicës, në mënyrë që të bëhej një përgatitje sa më e mirë për një qëndresë më të fuqishme.

Repartet serbe me goditjet e vazhdueshme që i bënin luftëtarëve lumjanë, nga fusha e Morinës e deri në Përbreg, hap pas hapi u futën në brendësi të Lumës, deri në Bicaj dhe u dislokuan në hapësirat fushore të këtij fshati.

Tërheqja e luftëtarëve shqiptarë u bë jo vetëm për shkak të epërsisë serbe në numër të ushtarëve dhe në armatim të rëndë, por me këtë rast u përdor procesi luftarak taktik: qëndresa – thyerja – tërheqja, si ligje objektive të luftës, për ta futur armikun nëpër kurthe, në mënyrë që ta ndëshkonin më pas me mënyrat e tyre origjinale të luftimit.

Këshilli komandues i luftës i përqendruar në Tabe (Qafë të Kolesjanit), me kohë kishte siguruar prapavijën edhe në tërthoren: Përbreg – Gjegjën – Bardhoc – Morinë – Vërmicë – Shkozë – Dobrusht – Zhur – Vërri (Billushë – Jeshkovë-Lez…), e cila njëkohësisht luante rol të dyfishtë:

mbështetje të sulmit mbi forcat armike dhe
mbrojtje e prapavijës – të shpinës së luftëtarëve në Lumë, ndërsa fshatrat e Dollovishtit e të Opojës siguruan krahët e mbështetën veprimet në Grykën e Vanjave, në Qafën e Zbinecit e të Llapushnikut. 6
Në mëngjesin e 15 nëntorit 1912, Këshilli i Luftës dha urdhër për të sulmuar repartet serbe nga disa drejtime të frontit. Falë konfiguracionit të terrenit malor, motit të keq (me shi e bubullima) edhe pse të varfër në mjete lufte, lumjanët të lëshuar si ortek mbi forcat armike, në kodrat e Kolesjanit arritën t’i asgjësojnë qindra ushtarë serbë, ndërsa nga radhët e tyre ranë dëshmorë: Ibrahim H. Zeqiri – bajraktar i Radomirës, Nexhip Dullë Visha nga Kolesjani, Rexhep Jonuz Taci, Selman Asllan Nërguti, Halim Shehu e Daut Basha nga Shtiqni etj.

Ndërkohë, për shkak të rezistencës së fuqishme, forcat serbe u tërhoqën nga Kolesjani dhe kodrat e Gabricës dhe u pozicionuan në brigjet jugore të Shejës dhe në brigjet lindore të Drinit të Zi, ndërsa forcat shqiptare kaluan në vijën: fshati Mustafaj – Osmanaj – Bushat (Kodra e Bushatit).

Këshilli i luftës, pas një rigrupimi të forcave shqiptare në teren, më 16 nëntor pa ndërprerje vazhdoi mësymjen drejt forcave serbe dhe përleshjet gjakosëse u zhvilluan kryesisht në krahun e majtë të përroit të Shejës.

Pikërisht në këto çaste kritike për kurorëzimin e suksesit, në Lumë arritën qindra dibranë në krye me udhëheqësit e shquar Elez Isufin, Isuf Xhelilin, Xhafer Dodën etj., të cilët në fushat e betejës sollën edhe 2 – 3 topa që dikur ua kishin zënë turqve.

Ushtria serbe e qëlluar (sulmuar) nga të gjitha anët, në panik braktisi fushëbetejën, duke lënë edhe shumë të vrarë e të mbytur në Dri dhe në përroin e Shejës.

Për të përfituar nga situata e krijuar, Këshilli i luftës tashmë nga Kolesjani ishte zhvendosur në fushën e Zborit – Nangë, dhe aty përcaktoi dy drejtime sulmuese (me 3 grupe) për ndjekjen e mëtejshme të pushtuesve serbë:

– Grupi i parë: u drejtua në krahun e majtë nëpër rrugën këmbësore që të shpinte nga Nanga në Gostilë – për në Kullë të Lumës;

– Grupi i dytë: në rrugën këmbësore që të çonte nga Nanga në Shtiqën, Përbreg e deri në Morinë,

– Grupi i tretë: (në rolin e rezervës) u përdor si mbështetje për të dy krahët (grupet) e sulmit.

– Ndërkaq, forca tjetër goditëse që kishte të bënte me fatin e Betejës së Lumës, ishte organizimi i qëndresës në të dy krahët e Drinit të Bardhë:

Në tërthoren Përbreg – Gjegjën – Bardhoc – Morinë – Qafa e Zhurit – Vërri (Billushë) – Guri i Zi (Opojë) – Sharr dhe
në krahun tjetër Has (Pashtrik) – Malësi e Gjakovës.
Për të penguar shkuarjen e forcave të reja serbe nga Prizreni në drejtim të Lumës, luftime të ashpra u zhvilluan edhe në trevën e Vërrinit. Në vijën Dobrusht – Qafa e Zhurit – Billushë – Lez – Leskovec, pati luftime ballore dhe anësore. Repartet serbe në këto luftime përpiqeshin që të shpërthejnë vijën frontale në Vërri, me qëllim depërtimin në Opojë e Gorë prej nga mendohej të sulmoheshin nga prapa lumjanët, mirëpo nuk patën sukses.

Në kulmin e qëndresës për vdekje a liri, Këshilli Komandues i Luftës që përbëhej nga Ramadan Zaskoci, Islam Spahia, Hoxhë Mehmeti, Elez Isufi, Ramadan Çejku, Ramadan Kovaçi, Kadri Shahini, Jemin Gjana etj, sipas vendimeve të marra në një mbledhje, më 17 nëntor 1912 nisën operacionet goditëse në të gjitha frontet e luftës. Malësorët lumjanë, të ngujuar nëpër kullat e fshatrave: Nangë, Gostil, Shtiqën, Përbreg dhe në shpatet lindore të Gjallicës e Koretnikut (Pikllimës) si dhe në brigjet e të dy Drinave (të Ziut e të Bardhit), e të ngazllyer nga fitorja e bujshme e Qafës së Kolesjanit, forcat e armikut u sulmuan nga të dy krahët (lindje-perëndim) dhe u ndoqën këmba-këmbës.

Repartet ushtarake serbe u përpoqën të rigrupohen e të pozicionohen sërish në Kodrën e Galipës e në Zbor të Nangëve, por këto përpjekje gjithashtu dështuan keq. Repartet shpartalluese serbe, pasi humbën edhe në këtë fushëbetejë qindra ushtarë të tjerë, braktisën edhe vijën mbrojtëse Shtiqën – Drini i Zi.

Në këto sulme lumjanët trima veprojnë rrufeshëm, dhe gjatë luftimeve bien dëshmorë: Abaz Zezi, Baftjar Tahiraj, Baki Maliq Domi, Bektash Gjoka, Dervish Trota, Dullë Dema, Halil Dema, Halil Himaj, Hasan Shabani, Ismail Neziri, Jashar Shehu, Mehmet Allaraj, Mehmet Limani, Muharrem Mema, Mustafë Dogjani, Ramadan Koldashi, Rrustem Shehu, Shaqir Basha, Shaqir Dauti, Tahir Smajli, Zenel Mema, Haziz Xhaferi, e shumë të tjerë.

Luftimet përfundimtare u zhvilluan në brigjet e lumenjve Drini i Bardhë – Drini i Zi, ndërsa ato me të përgjakshmet në Kullë Lumë.

Mbeturinat e reparteve serbe që i shpëtuan asgjësimit në rajonin e Bicajt, së bashku me repartet e rajonit të Kullës së Lumës, kishin arritur të dilnin në bregun e kundërt të lumit Luma, poshtë Përbregut, dhe të pozicionohen në vijën: Përbreg – Kulla e Lumës.

Për këto ngjarje, burimet serbe thonë se “gjatë tërë ditës së 17 nëntorit 1912 u zhvilluan luftime të rënda midis aradhave serbe e shqiptarëve, që sulmonin nga të gjitha anët, veçanërisht nga bregu i majtë i lumit Luma, duke rrezikuar forcat serbe që të hidhen në Dri e të shkëputeshin nga Prizreni.

Më i forti qe zjarri i shqiptarëve nga bregu i djathtë i Drinit të Bardhë. Edhe togjet gjuajtëse që u dërguan në atë krah nuk mundën t´i largojnë prej andej lumjanët e hasjanët, të cilët me një zjarr anësor të fuqishëm u shkaktuan humbje të rënda forcave serbe. Në këto rrethana, bateria e gjymtuar e topave malorë nuk mundi të zinte pozicione e të aktivizohej në luftime”.

Kapja e Kullës së Lumës me luftime të përgjakshme shënonte pragun e fitores së betejës. Forcat shqiptare, në mbrëmjen e ditës së 17 nëntorit, pasi arritën të pozicionohen në vijën: Drini i Bardhë – Uki i Vjerrë – Gjegjën – Shpati perëndimor i Koretnikut – Bardhoc, sulmuan karvanin me qerre, me kafshë tërheqëse të mbeturinave serbe që tentonin të tërhiqeshin në drejtim të Prizrenit.

Në këto luftime të përgjakshme kur hordhitë barbare serbe vërtet patën humbje të mëdha në ushtarë e në materiale lufte, u martirizuan edhe shumë lumjanë, si: Halil Taci (Gjegjën), Hamza Dema (Morinë), Hazir Mhola (Bicaj), Isuf Ramadani (Morin), Jemin Dema (Bardhoc), Jakup Tota (Barruç), Liman Çejku (Lusën), Ramadan Nerguti (Gjegjë), Rrahman Duraku (Morin), Selim Gërmizi (Bardhoc), Sinan Çejku (Lusën), Shaban Coka (Ujmisht), Shaqir Nerguti (Gjegjën), Zenel Nerguti (Gjegjën), Bajram Ramadani (Përbreg) e shumë të tjerë. Në Betejën te vendi i quajtur “Uki i Vjerrë” u plagos edhe udhëheqësi i moshuar lumjan Islam Spahia, i cili nuk iu nda luftës që nga Qafa e Kolesjanit e deri në Bardhoc.

Me luftën te “Uki i vjerrë“ mbaron seria e betejave të përgjakshme në Lumë, ku rezultoi me shkatërrimin e forcave serbe dhe dëbimin e atyre pak mbeturinave (njësive serbe) deri afër Prizrenit.

Humbjen e madhe të ushtrisë serbe, në Lumë më qartë e ka shprehur në kujtimet e veta Kosta Novakoviç, pjesëmarrës në ato luftime.

Novakoviç ka shkruar: ”Unë nuk do të zë në gojë detyrën e parë të repartit tonë të Lumës – çarmatimin e Lumës, që ai nuk arriti ta kryejë, kështu që në rastin tjetër do të kthehem në punën e tij dhe të komandantëve, punë të cilën e paguam me jetën e njerëzve, duke humbur shumë municione, ushqim dhe kafshë… pas disfatës së plotë në Lumë, pas katër netëve të pandërprera pa gjumë, pas tërheqjes nga pozita afër fshatit Bicaj, pas kalimit në ujë deri në brez, reparti i Lumës, i cili u përforcua edhe me një batalion, më 18 nëntor u detyrua të tërhiqet i shpartalluar e rraskapitur deri në pikën e fundit dhe mbërriti në fshatin Zhur, 8 km larg Prizrenit…”

Sukseset e arritura në këto ditë luftimesh nxorën në pah aftësitë dhe taktikën e zgjuar të luftëtarëve shqiptarë, të cilët duke u mbështetur në kushtet konkrete të vendit dhe në traditat e të parëve tanë, shpartalluan pushtuesit serbë, të shumtë në numër dhe të armatosur me armë më moderne të kohës.

Po kështu, studimet e bëra, tradita gojore, por edhe folklori ynë popullor (këngët historike), japin disa të dhëna për numrin e ushtarëve serbë të vrarë në Lumë.

– Sipas opinionit të lumjanëve, numri i serbëve të humbur ka qenë 16 mijë.

– Sipas të dhënave nga historia ushtarake serbe, ky numër shkon deri në 18 mijë.

– Sipas studiuesit Essat Bilali, në revistën ”Shqiptari i Lirë” dhe shumë studiuesve tjerë shqiptarë, shifra sillet në 12 mijë ushtarë serbë që i lanë kockat e tyre në Kullë Lumë.

Përjetësimi i Betejës së Lumës nga rapsodi popullor

Rapsodi popullor këtë ngjarje historike e përjetësojë edhe përmes vargjeve si:

”Ka hi serbi n´at´Prizren,

po i thot`Lumës: ”Lirom ven!”

Nuk jam mbreti, po jam Luma,

t´mushi gjiksin plot me plumba!”

Kur vikati Islam spahija:

”Bini djem, se shkoi Shipnija!”

“Bini djem-thrret Ramadani

-bini djem se shkoi vatani!”

Gryka e Shejës po rredh gjak,

po i thot Drinit: ”Ndihmom pak

Ndihmom pak, n´dash me m´ndihmue,

kllade t´mdhaja jam tuj çue”.

Krajli i serbit ban: ”Medet,

m´faroi Luma askerin krejt!

ma faroi askerin e ngrat

burrat me pushk`e grat me spatë”.

“Kadal, krajl u mlofsh me morre,

dymdhetmi t`metën pa vorre!”

Djemt´e Lumës hiq s´kan dert,

ka ni luftë bajn´vjet për vjet,

luft´ me krajl e luft´ me mbret…”

(…)

Hasi shpat e gur e kep

vend për vend pushka kërset

shkoj kukuja shpi për shpi

I preu Hasi 3 mijë shkijë…”

(…)

Krejt Opoja u mlu n`zi

Prej Prizrenit ter n´Dri

Tre ditë luftë e tre ditë zi

u vranë shkije përmi tre mijë…” 15

Ndonëse në mëngjesin e 18 nëntorit 1912, mori fund beteja e Lumës, ku forcat shqiptare triumfuan kundër armatës III serbe, në Manastir zhvillohej një betejë tjetër ndërmjet forcave shqiptare dhe reparteve të armatës I-rë serbe, që në histori njihet si Beteja e Manastirit.

Në këtë kuadër vlerësojmë se Beteja e Lumës, Beteja e Manastirit si dhe rezistenca shqiptare në veri (Shkodër) dhe në jug (Janin) kanë rëndësi të madhe historike, për faktin sepse në një mënyrë a tjetër, krijuan rrethana të favorshme për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar në Vlorë, më 28 nëntor 1912, ku u shpallë Pavarësia e Shqipërisë.

Bazuar tek shkrimi i Sheradin Berisha dhe Uk Sianani

Th.Muzaku: Politika e serbisë Kundrejt Shqipërisë gjatë Luftës Ballkanike, Tiranë 1987, fq.145; /K.Novakoviq: Nëpër Shqipëri (Kujtime)
”Dy Drinat”,1 ,1998, fq.32; /B.Ratkoviq: Prvi Ballkanski rat, Beograd 1978, fq.261. Sh.Hoxha: Luma në luftrat për liri, Tiranë 2002, fq.173.

Dr.Xh.Shala: Marrëdhëniet shqiptaro – serbe 1912-1918, Prishtinë 1990, fq.64
Sh.Hoxha:Luma në luftrat për liri, Tiranë 2002, fq182; /Sh.Braha: Gjenocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare (1884-1990), Gjakovë 1991, fq.148
Dr.V.Kasapi: Mrekulli e natyrës, Kështjellë e historisë, Tiranë 1998, fq.69
Po aty
Xh.Martini: Elez Isufi, Tiranë 1994, fq.29
7.Dr.V.Kasapi, vepër e cituar, fq.72

Xh.Martini, vep.e cit. fq. 29/Q.Mataj: Hoxhë Mehmeti 1867-1927, Kukës 2002, fq.135