Shkruan: Kevin S. Myrto

( Pjesa e parë )
Perandoria Bizantine ka qënë një ndër perandoritë më të vjetra e më jetëgjata që ka njohur historia e botës sonë. Qeverisja e saj shtrihej mbi territore shumë të gjera e zotërimet e saj qenë të panumërta. Mirëpo si çdo perandori tjetër, edhe ajo njohu kulmin e lulëzimit të saj e më pas erdhi gradualisht në rënie deri në zhdukjen e saj përfundimtare në vitin e largët 1453 kur sulltani I osmanëve, Mehmhet Fatihu II, arrin të pushtojë kryqëndrën e saj që ishte njëkohësisht edhe qëndra e botës, qytetin e lavdishëm të Konstandinopojës. Ishte pikërisht ky çast që do të ndryshonte fatet e botës, tashmë nga muret legjendare të Konstandinopojës do të zhdukeshin njëherë e mirë perandorët famëlartë të saj, Justiniani, Diokleciani, Kostandini etj, prezenca e të cilëve do ti mbetej vorbullës së historiës. “Konstandinët e rinj” që morën në duar qytetin, I përkisnin botës muslimane dhe si të tillë, ata do të zbatonin rregullat dhe zakonet e veta duke e bërë islamin fenë kryesore dhe parësore përballë vendasve ortodoksë. Rënia e Konstandinopojës në duart e osmanëve muslimanë do të shihej në Europën e krishterë si një gjëmë e madhe për fatin e saj dhe të ardhmen që e priste përpara. Bizantinët nuk ishin të vetmit fajtorë që lejuan rënien e Perandorisë së tyre madhështore, faj të madh në këtë pjesë pati edhe vete Europa e cilia shpesh nuk arrinte të siguronte në kohë ndihmat që u duheshin bizantinëve për të përballuar sulmet osmane, çka do të çonte në përçarjen e botës së krishterë duke hapur kështu një shteg të sigurt kalimi për osmanët dinakë.

I. Bursa, Nikea, Nikomedia: Një trio osmane.
Me vdekjen e Osmanit, themeluesit e Perandorisë Osmane, vendin e tij do e mbajë njëri ndër djemtë e tij, Orhani. Shumë pak kohë pas marrjes së pushtetit nga ana e tij, ky nuk do të vonojë të marrë fitoren e parë përballë bizantinëve. Qyteti I Bursës, I cili ndodhej I rrethuar prej disa vitesh, do tu dorëzohej më në fund osmanëve më 6 prill 1326. Ky ishte një hap I madh I cili I dha mjaft kredibilitet Orhanit duke e kthyer atë në një rrezik të lartë për Perandorinë Bizantine e cila humbi një pjesë të rëndësishme të territorit të saj. Duke parë gjendjen alarmante dhe rrezikun osman gjithmonë në rritje, Perandori Androniku III vendosi të udhëtojë personalisht për të marrë pjesë në betejën e Pelekanon ku edhe do të plagosej nga trupat osmane. Androniku III u mund ndërsa në krahun tjetër, Orhani më të vetët, tashmë superior, do të lakmonin akoma më shumë territore të Bizantit. Pasojat e humbjes në Palekanon do ti vuante qyteti historik I Nikeas, I njohur për rëndësinë e tij në hsitorinë e krishtërimit, I cili iu dorëzua Orhanit në mars të vitit 1331. Pasi mori Nikean, trupat e Orhanit do të rrethonin qytetin e Nikomedias. Të frikësuar përballë kësaj situate, e cila po e rëndote gjithnjë e më tepër gjëndjen e Perandorisë Bizantine, perandori Androniku III vendos të kërkoj fillmet e bisedimeve me osmanët për të vendosur paqen mes tyre e cila do të dakortësohej në vitin pasardhës 1333. Efektiviteti I kësaj paqeje nuk do të zgjaste më tepër se katër vite pasi me 1337 osamanët marrin në duart e tyre qytetin e Nikomedias.

II. Kantakuzenët: “krushq nga halli”.
I dëshpëruar, I trishtuar dhe I pa shpresë Androniku III ndërron jetë në qershor të vitit 1341. Tashmë veç rrezikut osman, Perandorisë Bizantine do ti shtoheshin edhe rreziqet e brëndshme të shkaktuara nga vdekja e Perandorit dhe fronit të tij I cili kishte mbetur bosh. Trashëgimtari I tij I ligjshem, Joani V Paleolog, ishte ende shumë I vogël për të zënë vendin e të atit ndaj këtë detyrë e merr përsipër Joan Kantakuzeni me cilësinë e regjentit. Nuk do kalonte shumë kohë nga marrja e detyrës kur Joan Kantakuzenit do ti deklarohej luftë e hapur nga nëna e Joanit V Paleolog dhe mbështetësve të saj. I ndodhur në këtë situatë, Kantakuzeni do të ndihmohej nga emiri turk I Ajdinit, miqësi kjo që nuk do të zgjste shumë pasi pas pak kohe ky I fundit do të gjente vdekjen. I mbetur vetëm sërish dhe përballe rrezikut të hapur, Kantakuzenit I nevojitej një aleat I ri dhe I fortë.
I vetmi individ që I përmbushte kushtet që I nevojiteshin Joan Kantakuzenit ishte Orhani, I cili ishte njëkohësisht edhe fqinji më I afërt I tij. Gjatë periudhës së viteve 1344-1345, Kantakuzeni u ndihmua prej Orhanit në pushtimin e disa qyteteve në Detin e Zi. Për ta lidhur sa më fort aleancën me Orhanin e për të forcuar marrdhëniet me të, Joan Kantakuzeni vendos të martojë bijën e tij, Teodorën me këtë turk të fuqishem. Si rezultat I kësaj martese, Orhani e ndihmoi vjehrin e tij që të mundte kundërshtarët e tij të përbetuar. Më I fituar akoma nga kjo martesë doli Orhani, pasi trupat e tij tashmë filluan të kalojnë lirshëm në Ngushticën e Dardaneleve. Viti 1352 nuk do të ishte një vit fort I mirë për bizantinët. Joani V Paleolog tashmë I rritur dhe në kërkim të fronit të babait, lufton kundër Mate Kantakuzenit, djalit të Joan Kantakuzenit, për ta përzënë nga Adrianopoja. Duke qënë se nuk ia arriti dot qëllimit, Joan V Paleolog thërret në ndihmë Venedikun prej të cilëve merr hua 20.000 duakte ari në këmbim të ishullit të Tenedos. Për të përforcuar më tej shpurrën e tij, ai kërkon shërbimet e serbëve dhe bullgarëve të cilët I përgjigjen thirrjes së tij. Në krahun tjetër, Mate Kantakuzeni duke parë lëvizjet e kundërshtarit thërret në ndihmë aleatin e tij osman, Sulejmanin, djalin e Orhanit. Beteja mes palëve u zhvillua pranë qytetit të Dimetokës ku trupat e Joan V Paleolog u shpartalluan keqas. Mateu fitoi por kjo nuk do të mjaftonte për ngjarjet që do të rridhnin me pas.
Viti 1355 do të ishte një vit I mbarë për Joan V Paleolog. Më në fund ai arriti të hynte në Konstandinopojë për të marrë atë që I takonte dhe në dhjetor të po atij viti Joan Kantakuzeni I rrethuar nga të gjitha anët, abdikoi nga froni dhe vendosi të vishej murg, mbase për ti shpëtuar dënimit me vdekje nga Joan V Paleolog. Sapo ky I fundit mori pushtetin, u kujdes që të prishte mbështetjen që gëzonte Mate Kantakuzeni nga trupat osmane. Nuk vonoi shumë dhe rasti I erdhi në dorë. Halili, një prej djemve të Orhanit, udhëheqësit osman, do të rrëmbehej nga piratët në brigjet e Izmirit. Pasi u zbulua vendodhja e tij, Orhani duke mos patur në zotërimet e tij një flotë detare, detyrohet ti kërkojë ndihmë Joanit V Paleolog cili vendos ta ndihmojë por me kusht që ai të heqë dorë nga mbështetja për Mate Kantakuzenin. Halili do të lirohej gati një vit më vonë qysh nga kapja e tij, duke I paguar një shumë të madhe dhe duke I siguruar nje titull të lartë, udhëheqësit të vendit ku ai mbahej rob. Për të forcuar më tej miqësië me Orhanin, Joani V Paleolog propozoi që të dyja palët të lidheshin akoma më shumë me njëra-tjetrën me anë të martesës së një prej vajzave të tij me djalin e Orhanit, Halilin. Dhe ashtu ndodhi!