Profesori universitar, Blerim Latifi, ka thënë se pas djegies së posterit të fushatës mediale “Liria ka emër” mund të jetë shenjë e fillimit të zbatimit të ndonjë skenari për t’I rindezur sherret etnike në Kosovë.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Latifi ka thënë se situata në të cilën ndodhemi është idelae për të gjitha ato forca që duan ta shohin Kosovën në tym e flakë.

Ai tutje ka shtuar se klasa politike është krejtësisht e ngulfatur nga mllefet personale dhe partiake, dhe sipas tij secili politikan që ka një ndjenjë elemnetare përgjegjësisë ndaj këtij vendi, do të duhej te kuptone se Serbia do të mundohet ta kanalizojë këtë mllef në drejtim të strategjive të saj në destabilizimin dhe rrënimin e shtetit të Kosovës.

Ky është postimi i tij i plotë:

Në fillim të kësaj jave që po kalon një dorë e padukshme, në afërsi të Graçanicës, dogji një poster të fushatës mediale “Liria ka emër”. Dje, siç raportuan mediat, po ashtu, një dorë e padukshme e dogji flamurin serb në qendër të Grançanicës. A janë këto shenja të fillimit të zbatimit të ndonjë skenari për të rindezur sherret etnike në Kosovë? Nuk po dua të sugjeroj një përgjegjje të menjëhershme, por situata në të cilën ndodhemi është ideale për të gjitha ato forca që duan ta shohin Kosovën në tym e flakë.
Klasa politike në Kosovë është krejtësisht e ngulfatur nga mllefet personale e partiake.Vetëvendosje! nuk do as të shoh, e as të mendoj, asgjë përtej mllefit të saj për largimin nga pushteti në pranverë të këtij viti. PDK dhe mbështetësit e saj janë të mllefosur tej mase me faktin se dy liderët e saj u morrën nga Gjykata Speciale. Qytetarët e Kosovës janë tej mase të mllefosur me qeverinë e dobët të LDK-së, e cila nuk është në gjëndje të kaloj as ligjin e rimëkëmbjes ekonomike, ligj i cili do duhej të kalonte me urgjencë.Bizneset janë të mllefosura nga qeveria dhe masat e saj anti-covid, të cilat janë duke i falimentuar. Secili njeri me mend në kokë do duhej të ndjehej i shqetësuar nga ky mllef i akumuluar, i cili i ngjan një trotili të vendosur në themelet e një ndërtese. Dhe secili politikan, që ka sadopak mend në kokë dhe një ndjenjë elementare përgjegjësie ndaj këtij vendi, do duhej të kuptonte se Serbia do të mundohet ta kanalizojë këtë mllef në drejtim të strategjive të saj për destabilizimin dhe rrënimin e shtetit të Kosovës.