Tërmeti i 26 nëntorit la pas mijëra ndërtesa e pallate të shkatërruar e dëmtuar rëndë.

Shumë ekspertë të huaj mbërritën në vend për të bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga lëkundjet e fuqishme, për t’i ardhur në ndihmë palës shqiptare.

Një ndër ta është inxhinieri rumun i strukturave, Cezar Aanicai, i cili ka konstatuar se situata pas tërmetit në Shqipëri i duket mjaft e rëndë.

I ftuar në “News24″ ai tha se nuk ka parë askund tjetër çarje të mureve në ndërtesa si në Shqipëri.

Ai u shpreh:

Dua të qartësoj diçka, unë jam inxhinier strukturash. Kam pasur një aktivitet didaktik prej 25 vitesh e jam përfaqësues i qeverisë së Rumanisë, pjesë e Inspektoratit Shtetëror të Strukturave. Nuk jam sizmolog, që t’ju flasë nëse do të ketë lëvizje tektonike. Tërmetet në sipërfaqe janë të vështira dhe ky ishte një tërmet me sipërfaqe të pakët e ka pasur edhe pasoja të rënda. Çdo tërmet ka disa gjatësi valës, të cilat udhëtojnë me shumë kilometër. Tërmetet në Rumani lejojnë që strukturat të sillen në mënyra të ndryshme, sepse lëvizin sipas valëve. Në rastin e Shqipërisë, kemi pasur valë 10 km në thellësi e këto valë shkatërrojnë shpesh strukturat. Nuk kam parë kurrë çarje të tilla.”
Eksperti rumun theksoi ndërtesat kanë pësuar dëmtime serioze, sidomos në zonën e Vorës. Ai u shpreh i habitur pasi ndërtesat dukeshin mirë nga jashtë, por kishin pësuar dëmtime nga brenda.

Ai tha:

Kam parë ndërtesa që nga jashtë duken mirë, por në brendësi janë të shkatërruara. Mendoj se kontrolli rigoroz ka munguar. Në Vorë kam vënë re ndërtesa me shkatërrime të mëdha. Por ndërtesat e mira kanë mbijetuar. Në Shqipëri ka inxhinierë po ashtu tepër të mirë. Gjatë bisedës me inxhinierët, ata ishin shumë të mirë, por ka edhe gabime, gjë që ndodh edhe në Rumani. Kam parë një ndërtesë në Marikaj që më ka habitur nga zgjerimi i shkatërrimit. Tullat ishin shkatërruar thuajse totalisht. Terreni ishte ndërtuar mbi truall të dobët. Gabimet e bëra kanë bërë që të ketë pasoja. Ekziston një problem legjislativ që duhet rregulluar, në sensin e një kontrolli më të madh në cilësi në ndërtime. Por ka edhe ndërtime që janë bërë në rregull. Edhe në Rumani nuk është sistemi perfekt, por arrijmë të menaxhojmë situatën në momente të caktuara. Edhe Shqipëria edhe Rumania kanë kaluar në periudhën e komunizmit. Sistemi komunist, me gjithë problemet e veta patjetër, arriti që të ketë një sistem ndihmë që të përçojë siguri në ndërtesa, në vlerësimin e kualitetit. Kolonat janë më të rëndësishme sesa muret.”
Aanicai sugjeroi se ndërtesat e dëmtuara rëndë nga tërmeti duhet të shkatërrohen ose rindërtohen.

Eksperti rumun shtoi:

Kam mbetur i habitur se nga jashtë ishte mirë, por kur hyje në brendësi ishte katastrofë. Disa ndërtesa kanë çarje të dukshme. Probleme kanë qenë katet e sipërme. Në Vorë kam parë dy ndërtesa shumë të shkatërruara, pasi kishin dëmtime në strukturë. Në vlerësimin tim, disa ndërtesa atje nuk duhet të përdoren më. Duhet vendim për shkatërrim ose rindërtim. Personat nuk mund të qëndrojnë në këto ndërtesa, pasi rreziku është i lartë.”