Në poligonin e stërvitjeve kolektive taktike të FSK-së në Babaj të Bokës, është realizuar Stërvitja fushore “Ujku Alfa-1” me demonstrimin stërvitor pesëditor të shkathtësive operuese të njësiteve të Komandës së Regjimentit të Parë të Këmbësorisë së Forcave Tokësore për certifikimin e tyre në detyrat e mbrojtjes territoriale.

“Ata u pritën nga komandanti i Regjimentit të Parë të Këmbësorisë, nënkolonel Albert Kuçi i cili me stafin e tij njoftuan lidhur me aktivitetet e zhvilluara në stërvitjen përkatëse, të arriturat, sfidat dhe qëllimin final të saj”, thuhet në kumtesë, transmeton Klan Kosova.

Para fillimit të demonstrimit stërvitor, fjalën e ka marrë Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni i cili duke përshëndetur trupat e Regjimentit të parë të Këmbësorisë për këtë arritje të veçantë ndër të tjera u shpreh se Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë shënuar një pikë kthese në historinë e tyre, duke validuar sot aftësitë dhe kapacitetet e para ushtarake në nivel skuadre për mbrojtjen territorial të vendit dhe pjesëmarrjen dinjitoze krah për krah forcave aleate në operacione paqeruajtëse.

“Validimi i këtyre skuadrave shënon përmbushjen më të rëndësishme deri më tani të detyrave tona që dalin nga Plani Gjithëpërfshirës të Tranzicionit . Me krenari këtë hap cilësor mund ta quajmë një ngjarje të veçantë në historinë e forcave tona”, ka thënë Quni.

Nga ana e tij, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama e ka vlerësuar lartë ngjarjen e sotme.

“Procesi i validimit sa krenari për ne më shumë nënkupton përgjegjësi dhe sakrificë. Ne do të vazhdojmë tutje deri në realizimin e plotë të objektivave tanë strategjik dhe vizionit tonë për të ardhmen”, është shprehur ai.

Në këtë atmosferë të veçantë janë ndarë edhe gradat për dy oficerë të angazhuar në stërvitje, respektivisht kapitenin e ri, Driant Hoti dhe togerin e ri, Valdrin Pollomi.