Koronavirusi është përhapur në mbarë botën, megjithatë ka goditur më shumë disa vende, siç është Wuahn në Kinë dhe Milano në Itali.

Pikërisht kjo arsyeja se përse shumë studiues po përpiqen që të kuptojnë nëse kjo sëmundje përhapet më shumë në disa vende të caktuara.

Sipas gazetës italiane, Corriere della Sera, ndër vendet më të prekura është qyteti Wuhan në Kinë, Milano në Itali dhe rajoni i Qom në Iran.

A ka lidhje kjo me pozicionin gjeografik, temperaturat, lagështinë dhe nivelin e ndotjes së këtyre qyteteve?

Së pari, ashtu siç mund të shihet edhe nga harta, shkencëtarët amerikanë të universitetit të Merilendit, thonë se gjerësia gjeografike duket e ngjashme, të gjitha vendet më të prekura janë në intervalin mes 30 dhe 50 gradë në veri.

Kjo do të thotë se për shumicën e vendeve, ato janë në zonat me klimë të lagësht subtropikale, në të cilën ndodhet Italia veriore.

Së dyti janë temperaturat e regjistruara, nga 5 deri në 11 gradë përgjatë gjithë shpërthimit. Virusi nuk është përhapur në zona të ftohta shumë si Rusia apo Kanadaja, që kanë njohur pak raste. Por nuk është përhapur as në zona të ngrohta.

Në fund fare, lagështia. Duke analizuar një hapësirë kohore prej katër muajsh, nga nëntori deri në shkurt, mund të vërehet një përhapje e nivelit të ulur të lagështisë, veçanërisht në janar, me të dhëna mes 67 dhe 88 përqind.

Natyrisht të gjitha këto korrelacione kanë vetëm vlerë hipotetike, duke pasur parasysh se nuk ka modele parashikuese të provuara në shkallë të gjerë për koronavirusin.

Disa ekspertë shtojnë këtu edhe faktorin e cilësisë së ajrit.

Aty ku favorizohet përhapja e virusit, ekzistojnë edhe vlera të rëndësishme smogu dhe pluhuri.

“A ka një lidhje mes shpërthimit të epidemisë në Lombardi dhe cilësisë së keqe të ajrit, të regjistruar nga fundi i dhjetorit deri në mes të janarit?” pyet themeluesja e shoqatës, “Qytetarët për ajrin”, Anna Gerometta, duke kujtuar se në ato ditë ka pasur shtim të rasteve të urgjencave për fëmijët dhe të rriturit me probleme respiratore.

Një artikull në gazetën ‘Washington Post’ vlerëson po ashtu se ajri i keq mund të kontribuojë në përkeqësimin e efekteve të koronavirusit. Ekspertët thonë se edhe në epideminë e SARS në vitin 2002, u provua se virusi ishte më i dëmshëm dhe vdekjeprurës në rajone me ajër të ndotur.