Kompania amerikane ‘Countour Global’ e cila ishte kontraktuar për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, dhe e cila u tërhoq nga projekti kohë më parë e për çka kompania amerikane tashmë ka paditur Kosovën në Gjykatën e Arbitrazhit.

Kontrata e Contour Global tashmë ka shkuar në Arbitrazh. Kështu bëhet e ditur nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit nëpërmjet një komunikate për media.

“Në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit ka mbërritur njoftimi nga Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar (International Centre for Settlement of Investment Disputes), përmes të cilit jemi njoftuar për hapjen e kontestit me investitorin Contour Global. Më datë 24.05.2020 ka qenë e paraparë që të bëhet Mbyllja Financiare e projektit Termocentrali “Kosova e Re”. Kjo nuk është arritur në kohë dhe pas dështimit të disa tentativave për zgjidhje të kontestit me marrëveshje, kërkesa për arbitrazh është parashtruar në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar nga investitori Contour Global”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje thuhet edhe se “Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, në bashkëpunim me Avokaturën e Shtetit ka marrë masa që ky proces të ndiqet dhe çështja të mbrohet në mënyrën më të mirë të mundshme”.