Çun Lajçi që njihet si shkrimtar dhe aktor i më shumë se 200 roleve në teatër, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka reaguar pas humbjes se Bekim Jasharit në Skenderaj.

Po ashtu ai u shpreh se nuk do ta besonte që Drenica do të festonte humbjen e djalit të Hamëz Jasharit me kallashë.

Shkrimi i plotë:

Jasharajt janë Kosova

Tri ditë mbas masakrës se Jasharajve e pata shkrua nji monolog për plisin e dheun.

S’ishte ndonji mrekulli e madhe, por ishte shpresë (për ata që thojshin jemi ushtarët e Komandantit), se!

Ndër ato pak fjalë që po ia thosha Hamzës të varri, ishte edhe nji krahasim: Azemi vdiq e shkoi tue i knua “Azem Bejta Azem Galica, ta pau sherrin tan Drenica”

Cilit keni me ia knua ket kangë tash? Cilit?

Prap po them s’ishte profeci, por ishte brengë e artistit, se tue njoft popullin tim, kisha frikë se s’kan me shkua edhe shumë vite, e kemi me dyshua n’secilin e kemi me harrua edhe Hamzën edhe Ademin e lakmia ka me na i vërbua sytë.

E kisha nga frika, jo nga profecia!

Unë s’isha melaqe me pa fatin mbas njizetë vitësh, por edhe plisin edhe dheun kisha me hangër e s’kisha me besua se nji ditë Drenicë ka me iu gëzua aq shumë humbjës se djalit t’Hamëz Jasharit, e ka me zbrazë kallasha (edhe pse shumë kush s’u skuq e m’tha “m…t e bani edhe ky për 4 vjet”).