Pasi deklaroi në emisionin “Gjurmë shqiptare” se është shqiptar i Shqipërisë, Odise Gremo thotë se ka marrë kërcënime dhe sulme të herë pas hershme nga minoriteti dhe konsullata greke.

Në emisionin e gazetarit Marin Mema, rreth 10 muaj më parë, Gremo shprehet se në fshatin Sopik po ndodh greqizimi i popullsisë. I ftuar në “Shqipëria live”, Odise Gremo, tregon se dy ditë më parë, një shtetas me iniciale J.K. i ka qëlluar qenin me çifte. “Kisha dalë me qenin si çdo ditë. Qeni u largua dhe më pas dëgjova çiften. Qeni ishte në tokë, ishte goditur, pashë personin me çifte në dorë. I thashë çfarë bëre, tha nuk qëllova qenin tënd, qëllova një tjetër. Kallëzova në polici dhe nuk është bërë asgjë”.

Gremo thotë se është kërcënuar vazhdimisht nga ky shtetas. “Më ka kërcënuar më parë, më tha qepe gojën se do të të zhduk. Pasi bëra një kallëzim se ka ndërhyrë në linjën kryesore të ujit, po na le pa ujë”.

Pas transmetimit të emisionit, Gremos i është anuluar viza greke. “Unë e kisha vizën sepse kam mamin me origjinë greke. Më është dashur të shkoj në Greqi për arsye shëndetësore por nuk më lejohet të shkoj më në Greqi. Si shkak, për anulimin e vizës, shkruhet “për arsye propagande shqiptare”. Lidhur me këtë, komenton historiania, Elena Kocaqi. “Ministria e Jashtme duhet të reagojë për këtë person. Në letra, si arsye është shkruar propagandë shqiptare, pse çfarë jemi ne këtu, komunizëm. Nuk mund të shkelësh të drejtat e individit, ai po deklaron se është shqiptar në Shqipëri”.

Në një kamera të fshehtë, në konsullatën greke, punonjësja greke i thotë Gremos, “të bësh kujdes herën tjetër kur flet në televizione, nuk je grek”.

Historiania, Kocaqi e sheh si të rëndë këtë deklaratë. “Të bëjë deklarata të tilla një punonjëse e jona në Greqi ndodh incident i madh diplomatik, këtu nuk bëhet asgjë”.

Sipas Gremos, sulmet ndaj tij kanë vazhduar gjatë gjithë kohës. “Ish-bashkëshortes time, ish-shefi i kriimeve të policisë i tha që të bënte kallëzim që të ka qëlluar burri. Përgatitën një skenar, mori urdhër mbrojtje ish-gruaja, ishte përgatitur nga ish-punonjësi.

Më shohin gjithmonë sikur kam thënë diçka jo normale. Para intervistës konsulli më priti mirë, tani nuk më pranon njeri. Vetëm se thashë që është fshat shqiptar”.

Ndërkohë, kryetari i bashkisë Finiq, Kristo Kiço, e konsideron të ekzagjeruar këtë diskutim, sepse sipas tij, ka një bashkëjetesë të mirë midis komuniteteve në Finiq. “Besoj se kemi një bashkëjetesë shumë të mirë me pjesën tjetër të popullsisë. Unë vetë jetoj në një pallat, ku kemi njerëz me kombësi të tjera. Ka ndikime që kërkojnë në momente të caktuar të prishin këtë harmoni. Unë nuk kam parë tendencë greqizimi, besoj se është e ekzagjeruar, secili ka origjinën e vetë”.