Vetëm për një rast kanë qenë bërë 7 muaj kërkime nga njësitet e Policisë së Kosovës dhe mandej është arritur të arrestohen disa persona që kërkoheshin për kryerjen e disa grabitjeve të rënda në Kosovë. E ky rast dhe disa të tjera janë përmbyllur suksesshëm pasi policia mori informata nga qytetarët, të cilët në disa raste i ka shpërblyer edhe me 5 mijë e 10 mijë euro.

Këto shpërblime nga institucionet e sigurisë, e veçanërisht nga policia jepen bazuar në ligj dhe me qëllimin e vetëm që të eliminohen sa më shpejt problemet dhe shkelësit e ligjit të vihen para drejtësisë.

Kështu është vepruar edhe në rastin e hetimeve që patën dërguar në arrestimin në Hajvali, të Kastriot Shalës, i cili së bashku me disa persona tjerë kërkoheshin për kryerjen e disa grabitjeve të rënda me armë nëpër Kosovë.

Për këtë rast që përfundoi suksesshëm, policia kishte ofruar një shpërblim prej 5 mijë euro në fund të vitit të kaluar.

Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka kërkuar nga Policia e Kosovës detaje lidhur me formën e dhënies së këtyre shpërblimeve dhe numrin e tyre, por që një gjë e tillë nuk është treguar.

Nga zyra për media e Policisë s kanë thënë se dhënia e informacioneve të tilla konsiderohet si konfidenciale.

“Për hirë të sigurisë së qytetarëve dhe bashkëpunimit sa më korrekt, Policia e ruan konfidencialitetin e informatave të pranuara nga qytetarët, përderisa në rastet e caktuara sipas procedurave të parapara ligjore ofron shpërblime me qëllim të sigurimit të informacioneve për zbardhjen e rasteve të caktuara, të cilat shpërblime janë bërë publike”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Edhe pse në shumicën e rasteve qytetarët japin informata në baza vullnetare për raste të ndryshme, në disa që janë më të rënda dhe qytetarët kanë ngurruar të përfshihen, Policia e Kosovës është detyruar të ofrojë shpërblimet.

E këso veprimesh thuhet se merren me qëllimin e vetëm që të eliminohen sa më shpejt problemet dhe shkelësit e ligjit të vihen para drejtësisë.

Edhe nga zyra për informim e Policisë pohojnë se deri tani bashkëpunimi me qytetarë ka qenë në nivelin e duhur.

Por, zyrtarët policorë thonë se nuk mund të japin për publikun të dhënat e atyre që ofruan informata të rëndësishme për rastet e ndryshme.

Ata thonë se me shpërndarjen e infromacioneve të tilla do të shkelnin identitetin e qytetarëve.

“Bashkëpunimi në mes të Policisë së Kosovës dhe qytetarëve është në nivel të lartë. Policia vlerëson lartë bashkëpunimin me qytetarë dhe ju drejtohet atyre për ndihmë sa herë që është e nevojshme për kryerjen sa më me sukses të detyrave policore dhe arritjen e objektivave legjitime”, pohojnë nga Policia e Kosovës për FaktePlus.

Kujtojmë se përveç një shpërblim prej 5 mijë euro që Policia e Kosovës e kishte ofruar në fund të vitit të kaluar për të kërkuarit e grabitjeve, një shpërblim edhe më të madh, prej 10 mijë eurosh policia e ka ofruar sivjet për gjithë ata që japin informacione që zbardhin rastin e vrasje së politikanit serb në veri të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

E një shumë të njëjtë shpërblimi, Policia e Kosovës e kishte ofruar edhe disa vite më parë për gjithë ata që japin informacione që zbardhin rastin e vrasjes së kandidatit për deputet të PDK-së në zgjedhjet e vitit 2014, Elvis Pistës. Ky rast ende vazhdon të jetë i pa zbardhur dhe hetimet vazhdojnë./FaktePlus