Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vazhdon seanca ndaj të akuzuarit Salih Mustafa, ku në këto momente po e vazhdon intervistën dëshmitari i dytë.

I pyetur nga trupi gjykues se a ka pasur komandë qendrore ose koordinim për të bashkërenduar dy njësitë në Zllash, dëshmitari u përgjigj se “kur na sulmonin serbët jemi gjend qysh kemi mujt”.

“Nuk ka pasë koordinim. Nuk besoj që ka pasë për arsye se kur kanë sulmuar forcat serbe jemi gjind secili qysh kemi mujt për mu mbrojt. Komandë të veçantë s’ka pasë – as nga BIA as nga zona operative në Zllashë që ka vepruar, por kur kanë sulmuar ne jemi kon të gatshëm me dal përballë qysh kemi mujt”.

Ai gjithashtu ka thënë se komandant “Cali” e kishte zëvendësin, i cili sipas tij ishte i njohur me pseudonimin “Dardani”.

“Mustafa që njihej me pseudonimin komandant ‘Cali’ ka pasë një zëvendës që njihej me nofkën ‘Dardani’. Ata zakonisht kanë pasë pseudonime. Një pjesë të tyre ndoshta i kam harru. Jo vetëm ata por shumica e ushtarëve kanë qenë me pseudonime”, u shpreh tutje ai.