Vendimin e përbashkët të qeverisë greke dhe asaj shqiptare për t’iu drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës lidhur me çështjen e detit, mediat greke e quajnë “Lëvizje Mat” të Athinës zyrtare.

‘Ky ishte vendim i dëshiruar nga Athina zyrtare për të anashkaluar çështjen e mosfunksionimit të Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri’, shkruan portali grek “Newsbomb”.

“Ky është një zhvillim që Athina dëshironte, në mënyrë që të anashkalonte humnerën e kushtetutshmërisë që ka lindur në Shqipëri dhe ka qenë justifikimi i vendosur i Tiranës që nga viti 2009 për të shmangur debatin. Meqenëse Gjykata Kushtetuese nuk funksionon në Shqipëri për momentin, ngërçi ishte i dukshëm.

Është e qartë, megjithatë, në një nivel më të gjerë, se Ankaraja nuk dëshiron një zgjidhje të çështjes së detit midis Greqisë dhe një vendi tjetër fqinj. Nga Athina, iniciativa të ndryshme shqetësuese turke vërehen me interes për Shqipërinë fqinje, të tilla si, për shembull, dhënia e një kalate në portin e Vlorës në përdorimin për marinën turke”, thuhet ndër të tjera në artikull.

Ndërkohë portali grek nuk anashkalon edhe faktin që marina turke do të përdorë portin e Vlorës.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ministrin e jashtëm grek Nikos Dendias, Edi Rama do të shprehej:

“Më vjen keq që do të zhgënjehen patriotët e detit. Kemi rënë dakord që këtë çështje ta trajtojmë në instancat ndërkombëtare. Së bashku Shqiupëria e Greqia do i drejtohen drejtësisë ndërkombëtare për ti vendosur pikat mbi “I” në bazë të ekspertozës dhe të drejtës ndërkombëtare mbi detin”.