Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë e Metohi në Qeverinë e Serbisë u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Serbisë që së paku një fundjavë të kalojnë në Kosovë, ai shtoi edhe një fjali të ‘mendjemprehtë’ duke porositur se për këtë “ka së paku 1389 arsye”.

Tash para zgjedhjeve që priten në Serbi zyrtarët e partive po garojnë se cila po shfaqet më nacionalistë me deklarata si kjo e Marko Djuric. Ai shfrytëzoi rastin kur po prezantonte tendën e turizmit të Zyrës së Kosovës duke thënë se udhëtimi në Kosovë është ndjenjë që përjetohet vetëm kur vizitohet, e ata që e bëjnë gjithmonë duan të kthehen.

“Unë kur shkoj, ndjehem si para portave të Jerusalemit” ishte deklarata patetike e Djuric.

Ai vazhdoi me deklarata të tilla duke thënë se qeveria serbe do të vazhdoj të investoj në “mjediset serbe” në Kosovë, pasi zhvillimi i tyre është një prej prioriteteve kyçe shtetërore dhe kombëtare.

Kjo është e rëndësishme sipas Djuric pasi populli në Kosovë duhet ta shohë dhe ndjejë se ka pas vetes 7 milionë qytetarë të Serbisë dhe të gjithë serbët kudo që jetojnë.