Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti takoi ambasadorin jorezident të Mbretërisë së Arabisë Saudite në Kosovë, Faisal Ghazi Hafizi.

Ai i uroi ambasadorit mirëseardhje në Kosovë dhe suksese në detyrën e tij të re.

“Kontributi dhe roli i Arabisë Saudite për pavarësinë e vendit sikurse dhe ndihma socio-ekonomike dhe mbështetja e vazhdueshme në arenën ndërkombëtare janë dëshmi se Kosova dhe Arabia Saudite janë miq dhe partnerë me lidhje të shumta dhe të mira, tha gjatë takimit Kurti.

Kryeministri e falënderoi Arabinë Saudite për mbështetjen që ajo i kishte dhënë Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në 2011 konkludoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte e ligjshme.

Ai shtoi se qeveria që udhëheq është e gatshme të rris bashkëpunimin me qeverinë e Arabisë Saudite në shërbim të marrëveshjeve të reja mes dy vendeve, sidomos në fushën e investimeve dhe shkëmbimeve tregtare, që i përgjigjen interesave të përbashkëta.

Ambasadori e falënderoi kryeministrin për mikpritjen. Ai ia përcolli Kurtit përshëndetjet nga mbreti dhe familja mbretërore e Arabisë Saudite. U shpreh se të dyja vendet dhe popujt kanë lidhje vëllazërore, kulturore dhe fetare, dhe tha se do të punojë në konsolidimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve tona.