Behgjet Pacolli ka dorëzuar shtëpitë për familjet e prekura nga tërmeti në Thumanë.

E, më këtë rast, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se falënderoj nga zemra bacin Behgjet dhe kompaninë e tij.

Rama tha se këto pallate këtu janë pallate që i takojnë standardeve të larta.

“Dua te falënderoj nga zemra bacin Behgjet dhe kompaninë e tij, sepse këtu në Thumanë ishte vendi i duhur që të ndërtonim mure të qëndrueshme. Në fondacionin shqiptar për shqiptarët, janë vendosur në dispozicion të gjitha fondet e nevojshme, menjëherë. Këto pallate janë për ata që 95% prej tyre nuk mund të blinin apartamente të tilla, dhe janë falas, këta kanë vetëm një barrë që ta mirëmbajnë këtë mjedis kaq të bukur”.

“Unë jam shumë krenar që kemi bërë një program rindërtimi, është super i shpejtë në të gjitha aspektet, është i vetmi program ku nuk ngarkohen me asnjë detyrim financiar apo kredi. Në këtë proces ne kemi pasur në mes një ndërhyrje brutale nga pandemia, sepse do kishin përfunduar më shpejtë”, tha Rama.

Pacolli, tha se është krenar që është pjesë e këtij eventi dhe i qetë shpirtërisht që edhe ai ka bërë diçka.

“Unë nuk kam mbështet asnjë parti politike, por kam mbështet idetë e mira, mbështet qytetarin e Shqipërisë që kanë qenë ata që kanë paguar më së shumti nga tërmeti i vitit 2019 dhe kam mbështet idenë e kryeministrit. Pas një bisede të shkurtë vetëm dy ditë pas tërmetit e pash që dëshira e tij ishte tepër e madhe, se si tua garantojë këtyre qytetarëve një kulm mbi kokë. Sot jam krenar që jam pjesë e këtij eventi dhe mundem të jem i lumtur dhe i qetë shpirtërisht se edhe unë kam bërë diçka, me fat u qofshin banesat e reja këtyre familjeve, dhe nifsha gjithmonë mirë për juve”, tha Pacolli.