Duhet pritur që të formohet administrata e Biden, dhe Madeleine Albright të përfshihet në negociatat me Prishtinën, Beogradi duhet t`ia bëjë të qartë administratës amerikane se “ajo është një bashkëbiseduese e padëshirueshme nga ana jonë.

Kështu tha kryetari i të ashtuquajturit Komision parlamentar për Kosovën, Milovan Drecun.

Siç deklaroi ai, arsyeja për një qëndrim të tillë të Serbisë mund të jetë sepse Albright është “e njëanëshme që do të thotë se nuk mund të ketë përparim në bisedimet e mëtejshme”.

Drecun gjithashtu thotë se mund të ndodhë që Albright të përfshihet në bisedime dhe thekson se ajo është mjaft me ndikim.

“Ajo që është e sigurt për tani është se Biden do të jetë i gatshëm t’i dorëzojë shumicën e këtyre bisedimeve në BE. Gjermania sigurisht ka atë rol dominues dhe ne duhet të presim më shumë koordinim midis Uashingtonit dhe Berlinit dhe të merremi me të më shumë sesa Madeleine Albright,” tha ai.

Drecun shtoi se shqiptarët dëshironin që administrata demokrate të kthehej.

“Këta janë lobistë shqiptarë, përfshirë Madeleine Albright, Eliot Engel, Server dhe shumë të tjerë, të cilët kanë reklamuar kohët e fundit, dhe kjo do të ndihmojë shqiptarët”, shtoi ai.

Drecun thotë se është e rëndësishme që së pari të presin që “Biden të formojë ekipin e tij dhe të shohë cilët nga njerëzit më me ndikim do të jenë atje. Pas kësaj, duhet vlerësuar nëse Albright dhe të tjerët do të arrijnë të pozicionohen në atë administratë ose do të ushtrojnë ndikim indirekt përmes mekanizmit të partisë dhe vetë autoritetit”.