Është një numër veprash artistike që në mënyrë të çuditshme kanë parashikuar gjërat që kanë ndodhur vite më pas. Në shekullin XV, Leondardo Da Vinçi projektoi një makinë fluturuese, që sot ngjan me skicë të një aeroplani të sotëm. Ndonjëherë idetë, sado të çmenduara që duken, bëhen realitet. Por, sa janë gjasat që diçka fiktive të kthehet në realitet? Apo që diçka e publikuar më 13 dhjetor të vitit të kaluar të parashohë atë që do të ndodhë gjatë vitit 2020?

Kënga “Future” Nostalgia”, e shkruar nga Dua Lipa, Clarence Coffee Jr. dhe producenti Jeff Bhasker, sikur e ka këtë fuqi.

“Ju dëshironi një këngë që nuk e zbeh koha, unë dua ta ndryshoj lojën. Si arkitekti modern, John Launter, jam duke ardhur drejt jush”, këndon Lipa. E brenda tekstit të këngës thotë se dëgjuesit nuk janë mësuar me një grua alfa. Aty tregon qartë se po shkon rrugës edhe për të ndryshuar lojën, por edhe për të udhëhequr.

Viti që po lëmë pas është dëshmi që parashikimi i saj është realizuar. Lipa bëri revolucion në skenën muzikore dhe padyshim e kryeson atë. 2020-a është vulosur prej saj. Në botën e muzikës po se po. Por, edhe përtej.

Alfa e discos

Fillimi i vitit 2020 e zuri këngëtaren Dua Lipa në lot, ankth dhe shqetësim. Në mars, përmes një video sqaruese në “Instagram”, kishte thënë se situata me koronavirusin i kishte shkaktuar pasiguri për gjithçka. Dilemë kryesore e kishte pasur nëse duhej ta lansonte albumin e saj. Me shpresë që albumi i saj i dytë t’u japë njerëzve pak lumturi, kishte vendosur që ta lansonte.

“Shpresoj t’ju sjellë lumturi, t’ju bëjë të qeshni, vallëzoni me njëri-tjetrin. Gjithashtu, shpresoj do t’ju bëjë të ndiheni krenarë me mua”, kishte thënë Lipa duke qarë. Ishte brengosur kot pasi që në një vit të mbushur me frikë dhe stres, “Future Nostalgia” doli të jetë e nevojshme. Këngët u kthyen në hite, ani pse klubet nuk ishin të hapura. Muzika u bë doza perfekte e vitaminave në këtë kohë. Lipa gjeti sasinë e duhur me albumin e saj që shkumbëzon nga energjia. Secila nga njëmbëdhjetë këngët shpërndan një ndjenjë euforike që rritet nga tingujt e parezistueshëm. Sigurisht, albumi për suksesin e vet i ka borxh të madh së kaluarës nostalgjike e veshur me shkëlqimin e këngëve në disco dhe muzikës së viteve ’80. Këngët e Lipës janë të paturpshme në dëshirat e tyre, qoftë për të dalë me ish-të dashurin apo për të takuar dikë të ri.

Dua me këtë album mori epitetin “alfa e discos” me albumin e saj të ri, që dallonte nga debutimi i saj me pop të errët, që e vendosi në listën e artisteve premtuese me zërin e saj më të ngjirur dhe këngë si puthje të lehta, si “New Rules”, videoklipi i së cilës është shikuar mbi 2 miliardë herë në “YouTube”.

Në artikullin e “Billboard”, të publikuar më 5 dhjetor, ku tregohet sesi Lipa e bëri botën të vallëzojë, përkundër pandemisë, këngëtarja tregon se është në rrugë për ta dominuar botën. Flet edhe për kapërcimin dhe për muzikën. Thekson edhe kalimin te këngët më ritmike.

“Unë mund të bëj diçka me të cilën jam krenare e që reflekton ndjenja të lumtura dhe është ngazëlluese”, ka thënë ajo. Por këngët e saj shkrijnë shumë mirë realitetin. “Boys Will Be Boys” ka si referencë rrugën e vajzave për në shtëpi gjersa mbajnë në dorë çelësat.

E te “Levitating” dhe “Hallucinate” patinon në mes të linjave të mëndafshta të basit dhe tingujve të sinkronizuar të discos. “Physical” dhe “Break My Heart” ngjallin me të madhe dëshirën për festë edhe nëse jeni duke i dëgjuar në dhomën e ndejës ose duke bërë ushtrime. Lipa mund të ketë parashikuar klube dhe hapësira të mbushur me njerëz që djersitin nga vallëzimi që nuk ndalet, me pijet që nuk ndalen. Emri sugjeron që këngët të kujtohen me nostalgji. Ndoshta edhe ky kishte qenë një vizion që i kishte ardhur, por sa janë gjasat që dikush ta kujtojë me nostalgji vitin 2020? Por, Lipa padyshim që do ta kujtojë këtë vit. U bë diva e popit. U bë një nga lojtaret kryesore, jo vetëm në muzikë, por edhe në futboll. Në mënyrë virtuale atë mund ta zgjedhin si karakter kur luani futboll në përditësimin e bërë në “FIFA 21”. Po ashtu, gjatë këtij viti u bë pjesë edhe e dokumentarit “Song Exploder (Volume 2)”, të “Netflixit” – krahas artistëve si “The Killers”, “Nine Inch Nails” dhe Natalia Lafourcade – që eksploron sesi muzikantët me nam i sjellin në jetë kompozimet e tyre.

Gjashtëfish për “Grammy” dhe “Studio 2054”

Pas hyrjes në skenë me lëvizje të sigurta si “Queen’s Gambit” dhe pas shpërblimit për performancën më të mirë, si dhe si artistja më e mirë e re, në “Grammy 2019”, Lipa kishte vendosur që të mos luante më me hapa të sigurt. Publikimi i albumit dhe zgjedhja e formave për ta promovuar atë, si realizimi i videoklipeve me animacion në kohën kur nuk lejohej të punohej në grup, ishin vetëm disa nga hapat. Vitin e përfundoi me shah-mat me koncertin “Studio 2054”. Lëvizjen e fundit të saj për këtë vit e bëri pasi që ishte nominuar për gjashtë çmime “Grammy” – përfshirë albumin e vitit, albumin më të mirë pop për “Future Nostalgia”, këngën dhe incizimin e vitit dhe performancën më të mirë pop për “Don’t Start Now” dhe performancën më të mirë pop si duo a grup për bashkëpunimin e saj me Balvin, Bad Bunny dhe Tainy, për këngën “Un Dia” – me atë që u konsiderua si revolucionarizues i shfaqjeve online. Pak ka rëndësi nëse do të rrëmbejë trofetë e “Grammyt” më 31 janar. Ajo tashmë është fituese.

“Studio 54” mori emrin nga klubi më legjendar ndonjëherë në Manhattan. Ky klub gjatë viteve kur ishte aktiv, kishte ndryshuar industrinë e klubeve të natës, ishte më shumë se aq, diçka që ende askush nuk e ka arritur prej asaj kohe. Lipa, të paktën virtualisht, kishte nxjerrë në pah aurën e klubit dhe magjinë e saj. Apo, siç kishte thënë ajo, ta krijonte atë në një mënyrë moderne. Koncerti u ndoq nga 5 milionë shikues, një numër rekord për shikueshmëri “livestream”. Spektakli virtual nisi si një nevojë e Lipës për të përmbushur mungesën e turneve dhe bëri bashkë yje të njohura në industrinë e muzikës. Me të ishin: Elton John, Angele, Bad Bunny, FKA Twigs, J Balvin, Tainy dhe Miley Cyrus. Lipa e përfundoi në mënyrën më të fuqishme koncertin “Studio 2054” me hitin “Don’t Start Now”, që ka ritëm funk dhe disco e që mbi të gjitha shpërfaq vetëbesim. Kënga e vuri Lipën në piedestalin e stilit pop. Lipa me koreografinë e saj dhe me këtë hit arriti që të vendosë këdo në pistë të vallëzimit. Ishte një udhëtim njëorësh për të cilin bileta kushtoi 7 euro për kosovarët, duke ofruar zbritje 50 për qind për pjesëmarrësit e edicioneve të kaluara të festivalit “Sunny Hill”. Publiku u bë dëshmitar i një koncerti që të jepte ndjesinë e një videoklipi me 16 këngë, pa ndërprerje, një manifestim i këngëve disco, atyre të viteve ‘80, kulturës së klubeve, euro-popit, si një kujtim sesi ishte muzika më parë, me shpresë se ashtu mund të jetë përsëri, së shpejti.

Kosova në agjendën e yllit

Në veçanti, ky vit ishte dëshmi se Lipa ka tashmë përgjegjësinë e të qenët yll me nam. Në “Instagram” ajo ishte një zë i fuqishëm për çështje të ndryshme për të cilat është e ndjeshme: përkrahjen e lëvizjes “Black Lives Matter” në SHBA, reagimi pas shpërthimit vdekjeprurës në Bejrut dhe të drejtat e komunitetit LGBTQ. Por, ndonjëherë ky instinkt për të shprehur atë që mendon e vendos në ujëra të trazuar. Kështu ndodh zakonisht kur poston diçka për vendlindjen e saj. Postimi i imazhit të transparentit “Autochthonous”, shoqëruar me shënimin: “Autokton – mbiemër (banor i një vendi) vendas dhe jo pasardhës emigrantësh ose kolonistësh”, u bë viral dhe u mbush me komente përplasëse veçmas midis shqiptarëve e serbëve, por edhe më gjerë. Nga këta të fundit u cilësua si “propagandë”, “nxitje e terrorizmit” dhe pjesë e “agjendës naziste”, e nuk munguan as komentet “Šiptar” dhe slogani “Kosova është Serbi”. Lipa kishte dalë me postim duke potencuar se “Autochthonous” nuk ka pasur për qëllim të nxisë urrejtje dhe se është kundër ndarjeve etnike.

“Sa herë që postoj për Kosovën ‘feedi’ im çmendet, edhe nëse është diçka që ka të bëjë me gëzimin, ushqimin apo muzikën… Përballem me rezistencë të ashpër nga ideja e kulturës autentike kosovare. Ne të gjithë meritojmë të ndihemi krenarë për etnitetin dhe prej nga jemi”, kishte thënë ajo.

Këngëtarja shqiptare, e lindur dhe e rritur në Angli, për një kohë ka jetuar edhe në Prishtinë, para se të vendosej në Londër si 15-vjeçare për të ndjekur ëndrrën e saj. Lipa, bashkë me Rita Orën dhe yje të tjera, ishin arsye që këtë vit Kosova u vendos në hartën e kompanisë “Apple”. Vendimi u mor nga kompania gjigante, pas fushatës që u zhvillua nëpër rrjetet sociale.

Ajo që e lidh artisten në aspektin muzikor më së shumti me vendin, “Sunny Hill Festival”, anuloi edicionin e tij të sivjetmë për shkak të koronavirusit. Por, vizionet e Lipës për këtë aspekt janë të mëdha. Lipa, në maj të këtij viti, ishte zotuar për dy projekte të infrastrukturës kulturore në Prishtinë. E bëri atë përmes një video-lidhjeje ku ishte i pranishëm babai i saj, Dukagjin Lipa, dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Lipa pati thënë se do të punojnë në rregullimin e amfiteatrit në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ku do të qëndrojë një instalacion dhe do të jetë hapësirë për artistë, si dhe rregullin e një parku të festivaleve në Bërnicë. Pritet të shihet se si do të ecin planet e Lipës për Kosovë. E ajo tashmë e ka pushtuar botën.