Në vorbullën e pandemisë COVID-19 dhe disa ngjarjeve të tjera, gjeneralët grekë dhe Ministria e Mbrojtjes Kombëtare bënë një veprim të pazakontë. Përballë me bregdetin shqiptar në Ishullin Fanos (Othonoi) vendosën trupa ushtarake.

Baza, synimet e gjeneralit grek

Sipas portalit grek “Greek city times”, për herë të parë në Ishullin Fanos, pika më perëndimore e Greqisë (Kepi Boca i Othonia është pika më perëndimore e Greqisë), në veriperëndim të ishullit popullor të festave të Korfuzit, do të krijohet një bazë ushtarake. Gjeneral Lejtnant Charalambos Lalousis dha urdhër për të ndërtuar postin ushtarak shpejt dhe në heshtje.

Ky është një plan i vjetër, i cili nuk u zbatua, përkundër kërkesave të vazhdueshme nga banorët e ishullit.

Është një ishull me një sipërfaqe prej 10.8 km katrore dhe ndodhet 12 milje detare nga bregu veriperëndimor i Korfuzit. Imagjinojeni, se sa thelë futet Greqia në Jon tani që Greqia ka shpallur 12 milje, nëse matja do të lejohet të nisë nga ky shkëmb.

Historiani Isichios (shekulli i 3-të para Krishtit) e përmendi këtë ishull me emrin Othronos. Plini (shek. I) e quajti ishullin Thoronos. Emri i tij aktual Othonoi korrespondon me historianin bizantin Procopius, i cili jetoi në vitet e Justinianit (shek. 6).

Vendasit e quajnë atë Fidonisi për shkak të pranisë së shumë gjarpërinjve që i detyruan njerëzit të largoheshin nga ishulli. Në vitet e fundit ishulli është quajtur Fanos për shkak të ekzistencës së një fari, i ndërtuar në 1872 që shihet nga ata që lundrojnë nga deti Adriatik në Detin Jon.

Në regjistrimin e vitit 2011, ishulli kishte 393 banorë.

Gjenerali shqiptar: Ushtarët grekë në Othonoi, veprim provokues.

Gazeta e quan një reagim i papritur nga Shqipëria fqinje, kundërshtimin e opinionit shqiptar. Instalimi i postës ushtarake në Gavdos nuk provokoi asnjë reagim nga Turqia, thotë gazeta, sikur ky ishull të ndodhej në Egje dhe jo në kufi me Shqipërinë.

“Përkundrazi, kundërshton një ish-drejtues i lartë ushtarak shqiptar, gjenerali Piro Ahmetaj, i cili shumë shpesh shpreh qëndrime anti-greke në botimet e tij me artikujt e tij, godet kundër vendit tonë”, shkruan portali “Greek city times”.

Po kush është gjenerali shqiptar?
Ai ka 35 vjet prezencë aktive në Forcat e Armatosura Shqiptare. Nga 2009 në 2013 ai ishte përfaqësuesi kombëtar i Shqipërisë në Komandën e Lartë Aleate të NATO-s.

Në janar 2014, ai u emërua Këshilltar i Mbrojtjes i Presidentit shqiptar, ndërsa ka përgatitur studime për reformën e të gjithë sistemit të sigurisë kombëtare dhe të mbrojtjes të Shqipërisë.

Sot Ahmetaj është këshilltar për sigurinë në Partinë Demokratike të Shqipërisë. “Kohët e fundit, me artikuj dhe botime të shumta, ai ka kritikuar Greqinë dhe duke u përpjekur të provokojë qeverinë Rama të reagojë.

Ai kundërshton me forcë zgjerimin e ujërave territoriale Greke në 12 milje detare në Detin Jon dhe instalimin e një force ushtarake greke në Othonoi”, shkruan portali “Greek city times”
Më tej gazeta shkruan se “Rëndësia e ishullit Othonoi është e madhe pasi ajo vendos Greqinë në Adriatik, duke prekur pothuajse ngushticat e Otrantos, duke prerë çdo ambicie detare shqiptare (dhe turke).

Në një artikull më 16 nëntor 2020, Ahmetaj, i cituar nga portali “Greek city times”, shprehet:

“Nga ana tjetër, nëse e konsiderojmë një lajm të vërtetë se Greqia në kohën e negociatave për shënjimin e zonave ujore me Republikën e Shqipërisë planifikon të zhvillojë aftësitë ushtarake në një ishull me 400 banorë përpara një vendi anëtar të NATO-s, atëherë kjo do të ishte një sfidë serioze, për pasojë degradim i frymës së besimit të ndërsjellë dhe marrëdhëniet midis dy vendeve. Me fjalë të thjeshta do të ishte marrëzi ”.

Gjithashtu, Ahmetaj thekson se instalimi i një force greke në Othonoi do të thotë se Greqia ka qëllime afatgjata (!) dhe se perceptimi ushtarak i Greqisë ka ndryshuar për të zgjeruar kontrollin e zonës detare. Sipas gjeneralit shqiptar, Greqia nuk ka të drejtë të instalojë një forcë ushtarake në Othonoi.

“Nëse Greqia do të donte të sulmonte Shqipërinë, mund ta kishte bërë në mënyra të tjera, jo duke zbritur nga Othonoi! Z. Ahmetaj, mos ta harrojmë hapësirën ajrore shqiptare? Në vend që të thotë “faleminderit”, ai na fajëson”, komenton ushtaraku në gazetën greke.

Ahmetaj më pas kritikon qeverinë Rama për pranimin e shtrirjes së ujërave territoriale të Greqisë në 12 milje detare paraprakisht, gjë që do ta bëjë të vështirë për Shqipërinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Ai gjithashtu i kërkon Presidentit shqiptar Ilir Meta të kërkojë shpjegime të hollësishme nga Kryeministri Edi Rama për pranimin e shtrirjes së ujërave territoriale Greke në 12 milje detare dhe “militarizimin” e Othonoit, i cili “kërcënon seriozisht pozicionin e Republikës së Shqipërisë në ngushticën e Korfuzit ”

Më tej portali “Greek city times” akuzon gjeneralin shqiptar për lidhje me një gjeneral turk. “A ka Gjenerali shqiptar marrëdhënie të ngushta me disa nga kolegët e tij turq, të tillë si teoricieni i “Atdheut Blu”, Cihat Yayci? Dihet që, me sugjerim dhe inkurajim të turqve, marrëveshja Greqi-Shqipëri e vitit 2009 mbi Zonën Ekonomike Ekskluzive nuk u ratifikua kurrë. Dhe argumenti aktual i Ahmetaj na bën të mendojmë se drejtohet nga të tjerët”, nënvizon portali “Greek city times”.

Ideatori i vendosjes së ushtrisë në ishullin Fano

“Ne e mirëpresim fuqimisht vendimin e Gjeneral Lejtnant Charalambos Lalousi për krijimin e bazave ushtarake në Gavdos dhe Othonoi”, shkruan ushtaraku grek.

Megjithatë artikulli saktëson se deri tani baza në Othonoi nuk është vënë në funksionim.

“Le të shpresojmë se kjo ka të bëjë me disa çështje burokratike ose teknike dhe jo me një ndryshim të qëllimeve të Shtabit të Përgjithshëm. Turpi dhe poshtërimi janë fjalët që vijnë në mendje, nëse ndodh diçka e tillë”, shkruan ushtaraku.

“Le të mos arrijmë në pikën kur Shqipëria të fillojë të na kërkojë çmilitarizimin e ishujve grekë!”, shkruan portali “Greek city times”.