Bota është duke shkuar drejt një “të ardhme të kobshme”, ka paralajmëruar një grup ndërkombëtar i shkencëtarëve, duke theksuar se përshpejtimi i ndryshimeve klimatike dhe zhdukja e biodiversitetit po kërcënon mbijetesën e të gjitha specieve në planet.

Sipas shkencëtarëve, kjo do të ndodh nëse liderët botërorë nuk përballen dhe nuk ndërmarrin sa më shpejt veprime në këtë drejtim.

Grupi prej 17 shkencëtarëve ka tërhequr vërejtjen të mërkurën se e ardhmja e planetit është më e tmerrshme dhe më e rrezikuar se sa është kuptuar deri më tani.

Daniel Blumstein, profesor në Institutit të Mjedisit dhe Qëndrueshmërisë në Universitetin e Kalifornisë në Los Angelos dhe njëri nga autorët e artikullit, i ka thënë CNN-it se nuk është e ekzagjeruar të flitet për rrezikun potencial që po i kanoset civilizimit tonë.

“Ndoshta njerëzit e njohin, por nuk e kuptojnë urgjencën, ose ndoshta e njohin por nuk bëjnë sakrifica individuale”, ka thënë ai.

Duke cituar studimet e tyre për ndryshimet globale, ekspertët thonë se liderët botërorë duhet të zgjohen sa më shpejt dhe të ndërmarrin masa pasi kushtet mjedisore janë shumë më keq sesa besohet.