Dialogu i ndërmjetësuar nga BE mes Kosovës e Serbisë pritet që të rifillojë në Bruksel, më 12 korrik,

Siç bëhet e ditur përmes një njoftimi nga BE, përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell do të jetë nikoqir i takimit ku do të pret kryeministrin e Kosovës Avdullah Hotin dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vucic.

“Ky do të jetë takimi i parë i dialogut që nga nëntori i vitit 2018 dhe do të lehtësohet nga përfaqësuesi special i BE-së, i emëruar së fundmi, për dialogun Beograd-Prishtinë dhe për çështje tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak”, njofton Bashkimi Europian.

Siç bëhet e ditur, takimi do të vazhdojë me diskutimet dhe punën për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe do të merret me të gjitha çështjet e hapura.

Ky takim vjen pas samitit virtual të 10 korrikut, i organizuar nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe nga kancelaria gjermane Angela Merkel, në mbështetje të rinisjes së dialogut.

Kujtojmë se dialogu mes dy vendeve ishte bllokuar për plot 2 vite, pasi Qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj në vitin 2018 vendosi taksë 100 përqind ndaj produkteve serbe.