Quhet Mehmet Aqif Ersoy dhe është një poet i njohur, atdhetar dhe dijetar islamist. Lindi në vitin 1873 në Stamboll. Babai i tij, Mehmet Tahiri ka qenë nga një familje e shpërngulur prej katundit Shushicë të Pejës, Kosovë.

Sipas biografit turk me origjinë shqiptare, Nexhip Alpan, në librin e tij të famshëm “Shqiptarët në Perandorinë Osmane”, babai i Mehmetit kishte dëshirë dhe aftësi për kulturën islame, mërgoi në Stamboll dhe kishte shërbyer si komunikues i islamit.

Mehmet Aqifi mësimet i nisi në moshën 4 –vjeçare. Pasi mbaroi mësimet themelore në Ruzhdie e Idadie, u regjistrua në fakultetin e veterinarisë, të cilën e mbaroi me rezultate të shkëlqyera.

Që në shkollën e mesme kishte mësuar mirë arabishten, e cila ishte gjuhë e Kuranit dhe persishten, gjuha e letërsisë ormane. Më vonë në Paris përvetësoi dhe frengjishten. Theksojmë se Mehmet Aqifi zotëronte mirë dhe shqipen që e kishte gjuhë amtare.

Mehmet Aqifi doli veteriner, por e kishte me shumë zell letërsinë dhe poezinë. Qysh nga viti 1893 ai dha mësime e leksione për letërsinë turke në gjimnazin e veterinarisë në “Hallkalle” të Stambollit. Këtë punë e vazhdoi deri në Luftën Ballkanike më 1912. Gjatë kësaj kohe e sipër shërbeu dhe si inspektor i veterinarisë, afro 4 vjet në Rumeli e sidomos dy vjet në Kosovë, ku shkoi dhe në Pejë për t’u çmallur me të afërmit.

Mehmet Aqifi thurte vjersha duke pasqyruar ngjarjet tragjike në atë kohë. Ka shkruar vjersha elegjiake për luftën Ballkanike 1912-1913, Për Luftën e Parë Botërore 1914-1918 dhe për Luftën Nacionalçlirimtare turke 1919-1922. Ai ka pasqyruar mjaft bukur Epopenë e Luftës së Çanak Kalesë më 1915, të komanduar nga Ataturku.

Mori pjesë në luftën çlirimtare të Turqisë, duke bashkëpunuar me kryekomandantin Ataturk. Luftoi jo vetëm me shkrime e vjersha, por mbante dhe ligjërata nëpër xhami në Kastamonu e vilajete të tjera.

Më 23 prill 1920 kishte asistuar si deputet i rrethit Budur në Parlamentin e parë turk. Mori pjesë në konkursin për përpilimin e tekstit të Hymnit Kombëtar dhe vjersha e tij e gjatë epike “Marshi i Pavarësisë” fitoi vendin e parë dhe u aprovua njëzëri nga Parlamenti turk. Sot kjo poezi e tij është Hymni Kombëtar i Turqisë.

Pas shpalljes së Republikës, Mehmeti u ftua prej Universitetit të Kajros dhe nga viti 1926 në 1936 dha mësime për letërsinë turko-osmane në Kajro. U kthye në Turqi për shkak të një sëmundjeje të papritur dhe u nda nga gjiri i familjes më 26 dhjetor 1936. U varros në Stamboll. Populli turk nuk e harroi veprimtarinë e këtij shqiptari të famshëm. Shtëpia e tij në Ankara është shpallur muze, emri i tij u është dhënë shumë shkollave, lagjeve, shesheve, sallave, etj.

Në krijimtarin ë etij letrare një vend të veçantë do të zinte Kosova e tij e dashur. Në 21 shkurt 1912 do të shkruante:

“Ngrehu baba, ngrehu nga varri!

Dhe shih se si për qejfin e tre vetëve kokëkrisur si vritet një popull i varfër tre milionësh.

Eja shpejt se të gjallët nuk shkojnë të shpëtojnë atdheun tonë! Shqipëria po digjet flakë!…”

Poeti i madh i Hymnit turk nuk e fshinte fare faktin se e kishte farefisin shqiptar. Në një vjershë tjetër të tij do shkruhet:

“Shqipëria po digjet

Këtë dëgjojeni prej meje që jam shqiptar!S’kam tjetër t’ju them:Ja po digjet atdheu im, krejt po shkatërrohet!….”