Kujtimet veprimtarëve Dr.Zekeria Cana, Cen Desku, Fetah Bekolli, Avdyl Salihu e G. Shabani. Do rikujtuar se ideali i komandantit legjendar Adem Jashari dhe i të rënëve tjerë të UÇK-së, ishte liria e plotë, Pavarësia e Kosovës dhe bashkimi me Shqipërinë. Ishte padyshim edhe një Kosovë ndryshe, e prosperuar, me mirëqenie ekonomike-sociale dhe që nuk do të zhytet në varfëri, në krim e korrupsion.

Shkruan: Jusuf BYTYÇI

Kaluan 18 vjet nga Epopeja e lavdishme e UÇK-së në Prekazin legjendar, kur komandanti legjendar Adem Jashari dhe familja e tij, u përballën me makinerinë më masive vrastare të okupatorit serbo-sllav, që kërkonte me çdo kusht të gjunjëzonte Jasharajt dhe gjithë shqiptarët.

Sot 18 vjet, u bë ceremonia e varrimit të komandantit legjendar, Adem Jashari dhe familjes Jashari. Si rëndom, në këtë parapranverë, në Republikën e Kosovës, kujtohen zhvillimet më dramatike të asaj kohe, kur nisi lufta e hapur dhe frontale në mes forcave çlirimtare, UÇK-së që luftonte në tokën e vet, për lirinë e popullit të Kosovës, si dhe forcave barbare serbo-sllave, që kërkonin mbajtjen e Kosovës dhe popullit të Kosovës në robëri.

Në përvjetorin e tetëmbëdhjetë të Epopesë së lavdishme të UÇK-së, pos të rënëve të flakëve e fronteve të luftës, pra jo vetëm nga familja e komandantit legjendar Adem Jashari, nuk është në jetë një nga protagonistët e zhvillimeve më të rrezikshme jo vetëm në Prekaz, por kudo në Kosovë, profesori, historiani e veprimtari i shquar Dr. Zekeria Cana, që vdiq më 10 janar të vitit 2009.

Profesor Zekeria Cana ishte gjithsesi protagonisti kryesor i shumë ngjarjeve në Kosovën martire, përfshirë edhe i ceremonisë së varrimit të komandantit legjendar Adem Jashari e familjes Jashari në Prekaz më 11 mars 1998. Me këtë rast, pa keqkuptim, konsiderojmë se dikush, përfshirë edhe bartës të institucioneve, por edhe nga familja e të madhit Adem Jashari, u koritën që së paku nuk patën marrë pjesë as në një çast të vetëm të ngushëllimit për vdekjen e profesorit, të cilin e njohu jo vetëm Bota shqiptare, por edhe më gjerë.

Ai sakrifikoi shumë, madje edhe më shumë sesa kanë sakrifikuar atdhetarë të tjerë më të rinj në moshë. Profesori nuk diti ç’është frika, atë nuk e ndalën as tanket serbe, ai nuk u ndal kurrë së vepruari, qoftë për të uruar, qoftë për të pajtuar familje, qoftë për të ndihmuar në aksione solidariteti, për të inkurajuar, apo për të marrë pjesë në hidhërime e për të ngushëlluar.

Nuk është e ndershme, që të tjerët, të vetë lavdërohen me kontributin e të tjerëve, që edhe përkundër të gjitha trysnive dhe rrezikut serioz e permanent, patën guxim e kurajë që të mbeten aty në Prekaz, të përballen me gjithë atë arsenal armësh të rënda të makinerisë vrastare të Serbisë okupatore, vetëm e vetëm që të mos lejojnë përbaltjen e trupave të të rënëve nga këmbëshkelësit serbë. Profesor Cana i priu karvanit të veprimtarëve trima, gjatë kryerjes së ceremonisë varrimit të komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari e të familjes Jashari.

Më 10 mars 1998, ditën kur mendohej se do të organizohej ceremonia e varrimit, por që nuk u lejua nga prania e madhe e forcave serbe, në Skenderaj patëm rastin të kalojmë natën në banesën e mjekut stomatolog Dr.Avdyl Salihut, me detyrë që të nesërmen, të organizojmë sa më seriozisht varrimin e komandantit legjendar dhe familjes së gjerë Jashari në Prekaz. Në atë ndejë morën pjesë Dr. Zekeria Cana, Cen Desku, Fetah Bekolli, si dhe nikoqiri Dr.Avdyli nga Baksi.

Më 11 mars 1998 në Prekaz në varrimin tradicional, morën pjesë Dr.Zekeria Cana, Cen Desku, Fetah Bekolli, Rifat Bejta nga Prekazi, Emin Halimi, pastaj veterani i arsimit Sadri Rama (mik i familjes Jashari), babai i komandant Rrahman Ramës, Hilmiu, nga Klina e Drenicës, dhëndër i familjes Jashari, si dhe Shaban Shala, ish veprimtar i KMDLMNJ-së, (tani i ndjerë)që erdhi tek pasi ishin larguar forcat e okupatorit nga Kulla e Jasharëve. Kishte edhe ndonjë individ nga Drenica, si veprimtarja Ajnishahe Halimi, e të tjerë nga Malisheva. Atë ditë, në Prekaz, krahas ndonjë gazetari vendës, përfshirë autorin e këtij fejtoni, kishin arritur edhe shumë gazetarë të huaj, që interesoheshin për rrjedhën e ceremonisë së varrimit të të rënëve. Këtë ditë, policia serbe, me të gjitha mjetet e rënda vrastare, krahas një rrethimi total, kërcënonte se do ta na vriste, në rast se nuk largoheshim nga ai ambient sa më parë.

Pikërisht 8 vjet më parë, në dhjetëvjetorin e rënies së komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari, ne patëm takuar personalitete protagoniste të vizitës në Prekaz e ceremonisë së varrimit dinjitoz.

Në kujtimet e tyre, historiani tash i ndjerë Dr. Zekeria Cana, si dhe veprimtarët e shquar Cen Desku e Fetah Bekolli, gjatë një takimi me mjekun stomatolog Avdyl Salihu, kanë rrëfyer pjesë nga ajo ngjarje, e flijimit masiv. Profesor Z. Cana, ishte promotor, i pathyeshëm që të mos lejohet një varrim pa përfillje të traditës shqiptare, siç pretendonin e kërcënonin forcat serbe.

Do rikujtuar se ideali i komandantit legjendar Adem Jashari dhe i të rënëve tjerë të UÇK-së, ishte liria e plotë, Pavarësia e Kosovës dhe bashkimi me Shqipërinë. Ishte padyshim edhe një Kosovë ndryshe, e prosperuar, me mirëqenie ekonomike-sociale dhe që nuk do të zhytet në varfëri, në krim e korrupsion.

Veprimtarët Cen Desku e Fetah Bekolli, si dhe autori i këtij Fejtoni J.B., si gazetar, si ish- pjesëmarrësit e vizitave më të para në Zonën e Luftës, në Drenicë, si dhe pjesëmarrësit e varrimit të guximshëm dhe meritor të komandantit legjendar Adem Jashari, do të kujtojnë edhe shumë vizita paraprake në Drenicë, ku e kanë shprehur solidaritetin dhe përkrahjen e tyre me familjen e Shaban Jasharit në Prekaz. Cen Desku, me veprimtarët Bilall Kryeziun, ish i burgosur politik, gazetarin J.B., Mulla Xhevat Kryeziun, pajtimtar, dhe Avdyl Kryeziun, vëllain e dëshmorit Ali Kryeziu, rënë më 30 janar 1990 në Malishevë, vizituan familjen Jashari pas rezistencës që komandanti Adem Jashari me babanë Shabanin, vëllain Hamzën dhe familje bënë pas rezistencës së 22 janarit 1998 në Prekaz, kundër forcave të ish okupatorit serb.

Veprimtari, hoxha Fetah Bekolli, do të rrëfejë paraprakisht aktivitetet e organizimit për pjesëmarrje në ceremoninë e varrimit të 25 martirëve të Masakrës së Likoshanit, si banorë të dy fshatrave, Likoshan e Qirez, që u ekzekutuan më 28 shkurt 1998, gjatë luftës te Gjashtë lisat e Lokoshanit. Varrimi ndodhi më dt .03. 03.1998. Në evokimet e tyre, Dr. Zekeria Cana, Cen Desku, Fetah Bekolli e veprimtarët tjerë, rikujtonin me krenari ato përpjekje për një vlerësim meritor të asaj lufte e sakrifice.

Këta si dhe mjekët Avdyl Salihu dhe Gani Shabani, kanë rikujtuar edhe kontributin e ish mjekut gjinekolog tani dëshmor kombi Fahredin Hoti nga Krusha e Madhe e Rahovecit. Bashkë me Cen Deskun, bashkëshorten e tij zonjën Sanije Desku dhe Bajrush Hotin, tani mjek, kanë dërguar ilaçe në zonat e luftës, ndërsa pacientëve të shumtë, u kanë dhënë edhe ndihmën e nevojshme. Pjesë e kontributit është edhe Sedat Sertolli, nga Bellanica, pronar e barnatores private, që dhuronte ilaçe për atë kohë.

Grupi nga Malisheva, me ndihma sidomos në ilaçe, veshmbathje e gjëra të tjera, për zonat e luftës në Drenicë, kanë hyrë më 8 mars, duke shfrytëzuar rrugët përmes grykës së Llapushnikut, nëpër Krajkovë, Damanek, Baicë, Obri, Likoc e Rezallë. Ky rrugëtim është bërë me një kujdes e vëzhgim të jashtëzakonshëm gjatë natës.

Grupi përbëhej nga Cen Desku, Gani Krasniqi, Skënder Krasniqi, Hazir Krasniqi, Nuhi Kryeziu, Nuhi Shala etj. Atë kohë, brenda disa ditësh, falë aktivitetit të ish-kryesisë së Degës së LDK-së në Malishevë, së bashku me aktivet dhe nëndegët e LDK-së në terren, për në Drenicë, në Zonën e Luftës për Liri, kryesisht në Shtabin e Likocit, krahas ndihmave tjera në ushqim, ilaçe, veshmbathje e armatim, janë dërguar edhe afro 100 mijë marka gjermane.

Ndërsa më 9 mars, së bashku me grupin e veprimtarëve nga Malisheva, në përbërje Cen Desku, Gani Krasniqi, nga Këshilli Komunal i Financimit, Osman M. Mazreku, pronar i NT “Pajtimi”(tash i ndjer), Shefqet Mazreku, taksisti Bislim Berisha etj. E nga Prishtina, kishte arritur edhe prof. Dr. Zekeria Cana. Unë jam i interesuar të arrij në Prekaz, pasi ishte lajmëruar se varrimi do të bëhej më 10 mars, më thotë Dr. Cana, duke lavdëruar me fjalët “Lumë Drenica që e ka kojshi të mirë Malishevën”. Duke shfrytëzuar tani një rrugë tjetër për në Drenicë, përmes Mleçanit, Plloçicës, Murgës, Obrisë, Likocit e Rezallës.

Duke evokuar ngjarje të rëndësisë historike, veprimtarët Cen Desku e Fetah Bekolli, kujtuan edhe vizitën e një pjese të ish-kryesisë së Degës së LDK-së së Malishevës në Prekaz, fill pas sulmit të forcave serbe ndaj familjes Jashari, më 30 dhjetor 1991.

Në atë vizitë, në Kullën e Shaban Jasharit, ishin ish-kryetari Isni Kilaj, nënkryetari Cen Desku dhe anëtarët tjerë të kryesisë së Degës së LDK-së Fetah Bekolli e Jusuf Bytyçi, si dhe Mejdi Cikaqi, nga Dobërdelani i Suharekës, shoferi i veturës, që ishte nipi i Fetahut. Ditën që e vizituam Prekazin dhe Kullën e Shaban Jasharit, rrugëtimin e kishim përplot vështirësi, madje vetëm Zoti na shpëtoi nga barbarët serbë, që na ndalën në udhëkryqin e Skenderajt, tek sapo largoheshim nga Prekazi.

Hyrja në Prekaz, nderimet, varrimi dinjitoz

Kontaktuam me Dervish dhe Agron Malokun, i pari është vrarë më vonë në luftë. Këta na përcjellin me veturë deri në shkollën e Abrisë, ndërsa rrugës, si në Murgë, takojmë ushtarët e armatosur e të uniformuar, si Musa Ramaj me shokë, ndërsa në shkollën e Obrisë, na pret drejtori i shkollës Mehmet Çerkini.

Vazhduam më tej rrugës për në Rezallë e Likoc, ku vërejtëm një organizim të mirë ushtarak, duke njohur Ilaz Dërgutin, Afrim Gashin, Ahmet Drenica, nga Rezalla, në moshë etj. Ai sidomos, nuk donte të besonte se kishte rënë komandanti, duke dëshiruar që ai t’u printe deri në çlirimin e plotë të Kosovës. Ushtarët e atjeshëm, ishin shumë falënderues për vizitat dhe kujdesin e profesor Zekeria Canës në Zonat e Luftës. Pasi kishim kaluar natën në kullën e Hajzer Malajt, të nesërmen, së bashku me Ef. Osman Musliun, Murat Musliun, përshëndetemi me ushtarët, të cilët edhe na përcjellin për në Morinë, për të arritur në Prekaz, ka treguar Desku.

Te depoja në Skenderaj, ku ishin të vendosura kufomat, pamë tmerr, të forcave barbare serbe, pasi ndër të rënët pamë të masakruar edhe axhën Shaban, aty pamë edhe Hamzën, sikur të kishte rënë në grykë të topit si Mic Sokoli dikur, aty e pamë komandantin legjendar,Adem Jasharin, me një hije të rëndë që kujtonte Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, por që bënte dritë dhe dukej sikur të ishte gjallë e tek thoshte “VAZHDOJENI MË TUTJE LUFTËN”.

Aty vinin shumë delegacione e qytetarë nga të gjitha anët e Kosovës dhe ne, përpiqeshim, që sidomos fëmijëve, t’ua ndalonim që t’i shihnin ato pamje, e që ishte e pamundur. As fëmijët më nuk frikësoheshin, por përkundrazi kishin respekt për të rënët, të cilët i shikonin me admirim e pa ngurim. Por dukej qartë se u dhimbseshin që të gjithëve, sepse aty kishte edhe fëmijë. Në Skenderaj, pamë se kishte një organizim shumë të mirë të Këshillit të varrimit, në të cilin merrnin pjesë Rifat Bejta, Emin Halimi me bashkëshorten Ajnishahen, Hilmi Nuredini, Mon Veliu, Nazif Goxhuli, Xhafer Murtezi, Sadri Rama etj.

Ishte kohë e ftohtë dhe me acar e ngrirje toke, që kishte rënduar hapjen e varreve, që edhe ashtu ishin shumë, por aty kishin kontribuar i madh e vogël, mirëpo, i njëjti Këshill i varrimit, merr vendim që varrimi të shtyhet për 11 mars, me arsyetimin se afro 20 kufoma ishin të pa identifikuara. Pra, duhej kohë që të kontaktojnë të afërmit për identifikimin e tyre, dhe ashtu ishte vendosur, rikujton veprimtari Cen Desku.

Pas rrethimit, forcat e shumta të policisë serbe, morën kufomat te depoja, ndërsa ne mbetëm pa ditur saktë se çdo të ndodhte më vonë, duke menduar se ku do ta kalonim natën, sidomos ne që nuk ishim nga Drenica, pra edhe profesor Zekeria Cana. Ndërsa në ato momente, Rifat Bejta, na lut që të shkojmë në shtëpinë e tij në Prekaz, por, nuk mund të kishte siguri as për vete dhe as për ne, do të rrëfejnë bashkëbiseduesit tanë. Atëherë, veprimtari Emin Halimi, na priu për në qytezën e Skenderajt, drejt në banesën e Dr. Avdyl Salihut.

Ky është një akt i lartë i vetë martirizimit individual e kolektiv, ç’ prej kohës së lashtë e deri në ditët e sotme- i denjë për të zënë vend në Antologjinë Botërore”

Qe shprehur historiani dhe veprimtari i dalluar i çështjes kombëtare Dr. Zekeria Cana, duke e vlerësuar aktin e flijimit të familjes Jashari.

Dr. Z. Cana pati spikatur edhe ndaljet e bujtjet në Rezallë te plaku 97 vjeçar Hajzer Malaj, nga Rezalla, pastaj rrugën për Skenderaj, e nuk harron pa përmendur sjelljen e arkivoleve nga Gjakova dhe sidomos guximin e Qemajl Hajdaragës e siç e konsideron burrëreshën Mevlyde Saraçin. Profesor Z. Cana, rikujton kontaktet me Fetah Bekollin, Emin Halimin e bashkëshorten e tij Ajnishahen, Ilaz Dërgutin, Murat Musliun, hoxhën e Likocit etj. Forcat barbare serbe, më 10 mars kishin marrë arkivolet me dhunë dhe kishin rrafshuar varret me ekskavatorë, dhe se shumica e arkivoleve kishin mbetur të hapura.

Dr. Cana pati kujtuar shkuarjen në zyrën e Degës së LDK-së në Skenderaj. Kryetari Idriz Rrecaj, gjithnjë është i ngujuar në Llaushë ku zhvilloheshin luftimet. Ai ka ndihmuar kontaktet e aktivistëve të Malishevës dhe nga qendra të tjera të Kosovës, me Drenicën. Një kontribut të çmuar gjatë atyre ditëve në Drenicë, ka dhënë edhe Dr. Bajram Mëziu e njerëz të tjerë të devotshëm për të cilët do të kemi raste të shkruajmë në forma tjera.

Më 11 mars, Eminit dhe Rifatit, i propozuam, që t’i varrosim afër njëri tjetrit, bac Shabanin, Hamzën dhe Ademin, akt që u realizua. Ndërsa, duke fokusuar ngjarjet për Prekazin dhe sidomos periudhën e rënies e të ceremonisë së varrimit të komandantit legjendar Adem Jashari e familjes Jashari, që nga 9 marsi e deri më 11 mars 1998, historiani i shquar Dr. Zekeria Cana, në librin e tij “Ditari i robërisë” shkruan se “sot është vetëm një rrugëtim- drejt Drenicës, qoftë edhe me rrezik jete”.

Dr. Cana kujton Ramizin, shofer trim, pastaj infermieren e palodhshme e trime, Sanije Deskun, takimet me burrat e Malokëve, Limanin, Izetin e Dervishin e vrarë në luftë e të tjerë. Izet Maloku, prind i dy luftëtarëve në UÇK, Rasimit dhe Halimit, të dy dëshmorë, dhe Liman Maloku, po ashtu ushtar, ndihmuan karvanin. Një qeleshebardhë, që Rasimi i kishte blerë babait të tij Izetit, ia dhuruan profesorit Cana. Me atë plis, profesori hyri në Drenicë për te Jasharajt. Po me këtë rast, do rikujtuar se profesor Dr. Zekeria Cana, me t’u kthyer në familjen e tij në Prishtinë, ua ka lënë amanet familjes që kur të vdes, të varroset me atë plis që ishte dhuratë e një ushtari të UÇK-së, që ra dëshmor në luftën për liri. Kështu edhe ndodhi, amaneti i dërgua në vend, pasi ditën e varrimit të profesor Canës më 11 janar 2009, krahas Flamurit kombëtar, mbi arkivolin e tij qëndroi deri në varr plisi i bardhë.

Derisa në Skenderaj, nuk kanë arritur profesor Cana me bashkëpunëtorë, ne ishim të izoluar dhe madje as që guxonim të dilnim në rrugët e Skenderajt, do të rikujtojë Dr. Avdyl Salihu. Më 11 mars 1998, në këmbë, delegacioni në përbërje Dr. Zekeria Cana, Cen Desku, Fetah Bekolli, si dhe Sadri Rama, Emin Halimi, pastaj veterani i arsimit Sadri Rama (mik i familjes Jashari), babai i komandant Rrahman Ramës, Hilmiun, nga Klina e Drenicës, dhëndër i familjes Jashari, janë nisur nga zyra e Degës së LDK-së për në Prekaz.

Në Prekaz, duke na pritur ka qenë Rifat Bejta, ciceron i pasluftës në Memorialin përkujtimor “Adem Jashari”. Kur ju kemi parë juve profesor, ne sikur u ngjallëm dhe dolëm në rrugë për aktivitete, do të rrëfejë më pas Dr. Salihu. Forcat barbare serbe donin ta pengonin ceremoninë e dinjitetshme të varrimit në Prekaz. Delegacioni, prirë nga profesor Cana, takohet edhe me Rifat Bejtën dhe disa të rinj që kishin arritur nga lagja e Lushtakëve, për të marrë pjesë në varrimin e të rënëve.

Varrimi përfundon, hoxha Fetah Bekolli, kryen si duhet ritet fetare. Rreshtohemi para varreve dhe bëjmë homazhet sipas zakonit të Botës së civilizuar, me heshtje të thellë e përkulje koke, thotë Dr. Cana në ditarin e robërisë. Ai kujton edhe 15 shkurtin, kur ka qenë në vizitë para se të nisë lufta e gjerë frontale në Prekaz, ku e kishte pritur baca Shaban me të shoqen e tij Zahiden, si dhe nipërit e mbesa, të cilët i ishin hedhur në qafë profesorit, se “edhe ty të kemi gjysh”.

Duke i kujtuar fjalët e bac Shabanit, “se kemi vendosur të bëhemi kurban për Drenicë, Kosovë e Shqipëri”, Dr. Z. Cana, vlerëson se ky është një akt i lartë i vetë martirizimit individual e kolektiv, ç’ prej kohës së lashtë e deri në ditët e sotme- i denjë për të zënë vend në Antologjinë Botërore”. Këtë, historiani dhe veprimtari i dalluar i çështjes kombëtare Dr. Zekeria Cana, e pohonte, duke e vlerësuar lartë vetëflijimin vullnetar të familjes Jashari në shërbim të arritjes së lirisë kolektive për popullin e Kosovës.

Liria solli nuse, lindje, pasardhës: djem e vajza, që janë pasuria e lirisë

Në bisedat me veprimtarët Cana, Desku e Bekolli, si dhe nga të tjera burime, që autori i këtij fejtoni i ka siguruar gjatë vizitave që kemi bërë në Prekaz, mësojmë se deri më 5 mars 1998, familja e Shaban Jasharit kishte 30 anëtarë, 20 nga të cilët ranë në altarin e lirisë. Nga 10 anëtarët e mbetur të familjes së Shaban Jasharit, dy veta, përkatësisht Bashkimi dhe Besarta, kanë mbijetuar mu në betejën e ashpër midis forcave çlirimtare të komandantit legjendar Adem Jashari dhe forcave të okupatorit serb. Katër veta, si Rifati, Murati, Bekimi dhe Lulëzimi në atë kohë kanë qenë në mërgim, derisa katër anëtarë të tjerë të kësaj familje, si Iliriana (e plagosur më 22 janar 1998), Shqipja e komandantit, Fazliu e Marigona, kanë qëlluar atë kohë te dajët në Akrashticë.

Tetëmbëdhjetë vjet nga Epopeja e UÇK-së, kujtojmë se në betejën e Prekazit ranë 56 dëshmorë e martirë në mesin e të cilëve 12 femra, 2 të moshës mbi 70 vjeçare, 11 veta nën moshën 18 vjeç. Pos bac Shabanit, si kryefamiljar dhe nënë Zahides që kishin nga 74 vjeç, ranë edhe Adem Jashari 43 vjeç bashkë me të shoqen Adilen 40 vjeç dhe djemtë Fitimin 17 e Kushtrimin 13 vjeç, pastaj heroi Hamëz Jashari 47 vjeç me gruan Feriden 43 vjeç, djemtë Besimin 16 e Blerimin 12 vjeç si dhe vajzat Selveten 20, Afeten 17, Lirinë 14, Fatimen 9 dhe Blerinën 7 vjeç. Prej 5-7 mars 1998, nga kjo familje ranë edhe bashkëshortja e Rifatit–Zarifja 49 vjeç me djalin Igballin 13 vjeç dhe vajzat Hidajeten 18 vjeç, Valdeten 15 dhe Igballen 11 vjeç. Rënia e këtyre dhe 36 martirëve tjerë nga familja e gjerë Jashari, si dhe nga rrethi i miqve të kësaj familje në të vërtetë i dha një vulë të pashlyeshme ngjarjeve të kohës në Kosovë, mbase edhe në gjithë botën shqiptare.

Po me këtë rast do rikujtuar Ilirianën dhe Selvetën të plagosura në betejën e 22 janarit 1998, por që kjo e dyta ra më pas bashkë më 19 anëtarët e ngushtë të komandantit legjendar, derisa Iliriana ka mbijetuar.

Ndërsa 18 vjet pas, familja e komandantit legjendar, ka afër 40 anëtarë. Familja e komandantit Adem Jashari, e bac Rifatit, kryefamiljarit të tashëm të kësaj familje legjendare, që ka hyrë në analet e historisë më të re jo vetëm të popullit të Kosovës, por edhe më gjerë, ka tash shumë fëmijë, të cilët kanë përtërirë emrat e paraardhësve, përkatësisht bacë Shabanit, heronjve Hamëz e Adem, si dhe lokes së madhe Zahide etj.