Pas VV-së dhe PDK-ja ka refuzuar ftesën e kryeministrit Avdullah Hoti, për të marrë pjesë në takimin e Washingtonit.

Kjo është bërë e ditur përmes një letre që kryetari i PDK-së, Kadri Vesli i ka dërguar kryeministrit Hoti.

Në letër thuhet se përfshirja e SHBA-së në dialog është siguri dhe inkurajim për shtetin e Kosovës.

“Takimi i ftuar në Shtëpinë e Bardhë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i shërben dinamizimit të procesit të dialogut. Përfshirja e SHBA-ve në dialog është siguri dhe inkurajim për shtetin e Kosovës. Ky është një momentum i ri, i cili duhet të shfrytëzohet nga Republika e Kosovës. Mbetet qëndrimi im se aty ku është Amerika duhet të jetë edhe Kosova, sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me Bashkimin Evropian, janë partnerët më strategjikë të Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e Veselit.

Më tej theksohet se Partia Demokratike e Kosovës do ta ushtrojë rolin e saj kushtetues në procesin e dialogut, si opozitë në Kuvendin e Kosovës, por nuk do të jetë pjesë e delegacionit.

“Partia Demokratike e Kosovës mbështet vetëm një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare që është në përputhje me platformën tashmë të njohur të saj, e cila garanton njohjen e ndërsjellë, sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, karakterin unitar të shtetit dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB”, përfundon letra e Veselit për Hotin.