Është protokolluar në Kuvend drafti i ligjit që shpall ujërat që lagin zonën e Sarandës dhe bregut si “historike” dhe që ndikon fort në paktin e ujërave me Greqinë.

Drafti është paraqitur nga deputeti i opozitës parlamentare Kostaq Papa, i cili e depozitoi një muaj më parë, por më pas e tërhoqi për ta ripunuar.

Sipas draftit, theksohet se ky ligj ka “për qëllim shpalljen e ujërave të detit të Gjirit të Sarandës, Butrintit, Ksamilit, Himarës, Borshit, Qeparoit dhe Palasës, Ujëra të Detit të ‘Gjireve Historike’ të Republikës së Shqipërisë dhe përfshirjes së tyre në Ujëra të Brendshëm”.

Ky përkufizim e vendos edhe pjesën e Gjirit të Korfuzit, si një pjesë që nuk lejohet që të bëhet pakt që cenon këtë pjesë.

Në nenin 1 të draftit theksohet se “Ujërat e Brendshme të Republikës së Shqipërisë, janë ujërat e detit në drejtim të tokës, nga vija bazë nga ku fillon të matet gjerësia e Ujërave Territorial të Republikës së Shqipërisë, sipas nenit të 8 të Konventës së Detit  të vitit 1982, ratifikuar nga Republika e Shqipërisë në vitin 2003.

Drafti do të nisë menjëherë të diskutohet në komisione e më pas të dërgohet në seancë. Miratimi i këtij projekti shikohet nga Kostaq Papa si i rëndësishëm pasi “blindon” nga ana ligjore pjesën detare që pritet të jetë pjesë e negociatave me Greqinë.

Athina dhe Tirana kanë vendosur që ta zgjidhin këtë çështje në Gjykatën e Hagës ç’ka shkaktuar mjaft diskutime në politikën shqiptare.