Kanë kaluar më pak se 2 muaj, kur Emina Çunmulaj dha lajmin se do të merrte përsipër realizmin e shtëpisë për familjen Poçi në Librazhd. Prej atëherë është punuar me ritme të shpejta me qëllim që familja të mos e kalojë më dimrin në çadër.

Sot, punimet janë drejt përfundimit dhe për familjen do të nis një jetë e re. Arben Poçi jeton në fshatin Hotolisht, në Librazhd, së bashku me bashkëshorten dhe 4 fëmijët. Prej kushteve shumë të rënda ekonomike, ata jetonin në çadër.

Arbeni e kishte shumë të vështirë të kujdesej për familjen e vetë, pasi ishte i pamundur për të punuar. Një incident në moshën 2-vjeçare i solli dëmtimin e njërës dorë. Pavarësisht kësaj çdo ditë ai dilte të mblidhte bimë medicinale, por paratë e mbledhura nga shitja e tyre nuk mjaftonin për të ushqyer fëmijët, e aq më pak të siguronin të ardhurat për të realizuar ndërtimin e shtëpisë.

Emina Çunmulaj sapo u njoh me rastin, premtoi që në bashkëpunim me “Fundjavë Ndryshe” do e ndërtonte ajo shtëpinë e re për këtë familje dhe tashmë dy muaj më pas, familja e Arben Poçit po shikon se si po ndërtohet streha e tyre e re.