Kombëtarja shqiptare e futbollit do të zhvillojë një ndeshje miqësore me Kosovën më 11 nëntor 2020, datë ku më herët ishte njoftuar një sfidë miqësore me Gjibraltarin.

Zyra e shtypit në FSHF bën me dije se miqësorja me Gjibraltarin është anuluar për shkak të masave kufizuese në kuadër të pandemisë COVID-19, që vështirësojnë udhëtimet e skuadrave. Sipas marrëveshjes së arritur mes dy federatave, ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena” në orën 17:00.

Kapiteni i Kombëtares Etrit Berisha së bashku me trajnerin folën sot para ndeshjes miqësore me Kosovën. Kapiteni Berisha u shpreh se kjo është një ndeshje e veçantë për të, për shkak se është shqiptar i Kosovës.

“Meqë është miqësore apo vëllazërore, do të jetë takim i qetë. Po të kishim luajtur për kualifikim, që besoj do ndodhë, për ne do të ishte e vështrië, sepse e di që është vendi im Kosova, si dhe Shqipëria. Jam këtu me bindjen t’i përfaqësoj të gjithë shqiptarët. Ishalla bëhet një ekip kombëtar. Po të bëheshim një ekip, që do të na kishte frikë e gjithë Europa. Jemi në një moment të vështirë, duhet ta luajmë këtë ndeshje si vëllazërore,”-u shpreh Berisha.