Eurodeputetët e Komisionit për Punë të Jashtme i kanë bërë thirrje BE-së që sa më shpejt të jetë e mundur të hiqet regjimi i vizave për shtetin e Kosovës.
Po ashtu, ata kanë bërë thirrje për hapje bisedimesh me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

“Mbajtja e derës së hapur për vendet e Ballkanit Perëndimor është në interesin e vet politik, të sigurisë dhe të Bashkimit Europian”, kanë thënë eurodeputetët.

“BE-ja duhet të sigurojë që metodologjia e saj e zgjerimit të mbështesë reformat dhe të sigurojë anëtarësimin e plotë si qëllimin përfundimtar për vendet që do të hyjnë”, përfunduan eurodeputetët e Komisionit për Punë të Jashtme në rekomandimet e tyre për Ballkanin Perëndimor, të miratuar të hënën.

Angazhim më i madh me vendet e Ballkanit Perëndimor

Vendimi për të hapur bisedimet për pranimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë e Veriut është në interesin politik, të sigurisë dhe të BE-së, thonë eurodeputetët.

Në thirrjen drejtuar BE-së për lejimin e liberalizimit të vizave në Kosovë ata thanë se BE duhet të angazhojë nga afër përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor në nismat e përbashkëta europiane (p.sh. politikat sektoriale dhe programet) përpara pranimit të tyre, përfshirë Konferencën për Ardhmërinë e Europës.

Luftimi i korrupsionit dhe promovimi i bashkëpunimit rajonal

Eurodeputetët shtuan se BE duhet të sigurojë që reformat në Ballkanin Perëndimor të përqëndrohen në ndërtimin e kapaciteteve shtetërore, zbatimin e vendimeve gjyqësore, reformat gjyqësore dhe përpjekjet për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“BE duhet të angazhohet gjithnjë e më shumë në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura bilaterale në rajon, duke promovuar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal”.

Financimi i duhur para pranimit, që të përfitojnë qytetarët e Ballkanit Perëndimor

Eurodeputetët kundërshtojnë çdo ndërprerje të fondeve të ndihmës para pranimit që mund të ngadalësojnë reformat në BE.

“BE duhet të prioritizojë projekte specifike në dobi të popujve të Ballkanit Perëndimor dhe të sigurojë që fondet para pranimit të ndahen në mënyrë transparente, proporcionale dhe jo-diskriminuese, bazuar në treguesit e performancës që matin përparimin e vendeve përfituese në zbatimin e reformave”.

Raportuesi i PE-së Tonino Picula tha: “Ky raport është një shenjë e qartë e mbështetjes së Parlamentit Europian për aspiratat dhe përpjekjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u bërë anëtare të BE-së, pasi të plotësohen të gjitha kriteret. Është gjithashtu një shenjë e qartë që ne mbështesim vazhdimin e procesit të zgjerimit në përgjithësi, pasi ai ka qenë një nga politikat më të suksesshme të BE-së. Politika e zgjerimit është gjithashtu një parakusht për të promovuar praninë e BE-së dhe interesin e saj strategjik në Ballkanin Perëndimor, kështu që duhet parë se është në interesin tonë të ndërsjellë”.

Rekomandimet u miratuan me 58 vota pro, 7 kundër dhe 5 abstenime. Ato do të dorëzohen në Plenarin e PE në një nga seancat e ardhshme.

Më 26 mars, Këshilli Evropian vendosi të hapë negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Para kësaj, në shkurt, Komisioni propozoi një metodologji të rishikuar që duhet t’i japë impuls të përtërirë zgjerimit të BE-së. Samiti për Ballkanin Perëndimor është planifikuar të mbahet para fundit të Presidencës Kroate në qershor.
Përveç Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Mali i Zi dhe Serbia tashmë kanë filluar negociatat e pranimit, ndërsa Bosnja e Hercegovina dhe Kosova janë kandidatë të mundshëm.