Festivali më i madh evropian. “Eurovision Song Contest” pati një vit qetësie gjatë vitit 2020.

Ai u anulua dhe nuk u mbajt shkaku i izolimit global që u shkaktua nga pandemia COVID-19, gjersa ende nuk është bërë e ditur nëse do të mund të organizohet sivjet.

Sido që të jetë, shqiptarët kanë pasur paraqitje të veçanta ndër vite në këtë festival, duke u prezantuar me këngë e performanca nga më të ndryshmet.

Si tri nga paraqitjet më të suksesshme mund të kujtohen ajo e Rona Nishliut me “Suus” në vitin 2012 (vendi i pestë), Anjeza Shahini me “Image of you” në vitin 2004 (vendi i shtatë) dhe Eugent Bushpepa me “Mall” në vitin 2018 (vendi i tetë).

Faqja zyrtare e “Eurovision”-it në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram ka shpërndarë një video të veçantë, dedikuar Shqipërisë.

Ata kanë përmbledhur shkurtimisht disa nga performancat më të spikatura të Shqipërisë ndër vite në festivalin evropian, teksa kanë shkruar edhe pak në shqip në përshkrimin e kësaj videoje.

“Shpërndani pak ‘dashuri’ për Shqipërinë”, shkruan ata, duke e cituar fjalën ‘dashuri’ në gjuhën shqipe.

“Nota të larta, nota të gjata, zjarr! Hyrjet e tyre në Eurovision nuk kanë kurrë mungesë të fuqisë vokale dhe instrumenteve dramatike dhe ne i duam për këtë”, kanë shkruar tutje faqja zyrtare e “Eurovisioni”-it në Instagram.

Kujtojmë që vitin e kaluar ishte paracaktuar këngëtarja Arilena Ara për ta përfaqësuar Shqipërinë me këngë “Fall from the sky”, ndërsa sivjet do të jetë Anxhela Peristeri ajo që do të prezantojë shtetin shqiptar në “Eurovision 2021” me këngën Karma”.