Faik Konica: Shqiptarët kishin zakon të thoshin se shpëtimin dhe përparimin e Shtetit e ndalojnë tre veta: Esadi (Toptani), Bib Doda, Ismail Qemali. Njëri nga këta vdiq, dy u vranë. Që të tre u çduknë…

Nga Faik Konica*

Në një artikull, të botuar, kur mësuam se ra Guverna e Pandeli Vangjelit, i këshilloja Parlamentit të ftojë Fan Nolin në krye të kabinetit të ri. Dhe shumë njerës, këtu n’Amerikë, si m’at’anë t’ujit, ishin të bashkuar n’atë mendim. Po pak ditë pastaj ngjau një gjë e papritur: Korça, kurdoherë e patrembur, përzuri Jakovin edhe thirri në vent të tij Fan Nolin, i cili hyri në mes të entusiazmës popullore dhe meshoi në Shën Gjergj. Atëhere sicilido ndryshojë mendimin që pati, edhe tha se puna e do që paskataj Fan Noli të heqë dorë nga politika dhe të rrijë në Korçë, ku me diturinë dhe talentin e tij, do të bëhet për pak kohë jo vetëm kryetari fetar i njohur i gjithë orthodoksëve shqiptarë, po ndofta edhe njeriu më i besuar, më i pyetur dhe më i dëgjuar i tërë Shqipërisë.