Nga Thanas L. Gjika

Para disa ditësh Zonja Merkel deklaroi botërisht se Europa i ka një borxh shtetit shqiptar të cilin e krijoi te cunguar. Ky është i vetmi shtet në Europë që rrethohet nga të gjitha anët me banorë që flasin të njëjtën gjuhë. Duhet krijuar shteti kombëtar shqiptar, ku të bashkohen territoret shqipfolëse…

Kjo deklaratë e Zonjës Merkel tërthorazi i thotë Z. Putin se diplomacia rusomadhe ka qenë shkaktarja qe nuk u krijua shteti kombëtar shqiptar më 1912-1913 kur presionet e Rusisë Cariste detyruan Fuqitë e Mëdha të Europës të krijonin një shtet të cunguar shqiptar duke i dhënë Serbisë territore që nuk banoheshin prej serbesh, por prej shqiptarësh e maqedonobullgarësh. Pra, Z. Putin duhet të kuptojë se dhe Rusia i ka borxh Shqipërisë mosrealizimin e shtetit kombëtar shqiptar që 110 vjet më parë. Dhe si udhëheqës i Rusisë, shkaktares së kësaj vonese, ai duhet ta këshillojë deri në detyrim qeverinë e Serbisë që të mos bëjë më përpjekje për ta shtyrë shlyerjen e këtij borxhi ndaj popullit dhe shtetit shqiptar, fqinjit të tij.

Ndërkohë, deklarata e Zonjës Merkel kuptohet se u tërheq vëmendjen pushtetarëve të Shqipërisë e të Kosovës dhe drejtuesve të partive politike shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi që të krijojnë një strategji të përbashkët për të ecur drejt krijimit të shtetit kombëtar shqiptar, ku të përfshihen gjithë territoret ku flitet gjuha shqipe.

Mjaft humbët kohë zotërinj politikanë e partiakë me luftë interesash personale duke e maskuar me luftën partiake, se në Shqipëri nuk ka parti vërtet atdhetare që t’ju luftojnë juve. Punoni për realizimin e këtij plani strategjik, sepse e nesërmja e afërt nuk do t’ju falë e do t’ju dënojë si tradhëtarë.

Edhe për krijuesit shqiptarë kjo deklaratë nënkuptohet se është një thirrje për t’u larguar nga nostalgjia komuniste dhe nga shërbimi i maskuar ndaj partisë politike në pushtet. Qartësohuni se komunizmi dhe enverizmi ishin armiq të nacionalizmit dhe u përpoqën ta përjetësonin coptimin e popullit shqiptar në disa shtete.