vijon nga pjesa e parë

Zeusi

Në shkallën e parë të hyjnive pellazgët vinin Zeusin, të cilin latinët e quanin Jupiter.

Për të shpjeguar etimologjinë e termit Zευς, do të kujtojmë se që të lashtët e cilësonin hyjninë ”bubullues”,sepse midis të tjerash, ai ishte perëndia i gjëmimit. Kuptimi bubullues jepet plotësisht nga pellazgjishtja:Zë-ës, në greqishten φωνεις dhe që ka epërsinë se i përgjigjet plotësisht Zευς=zëës. Pra, nuk ka asnjë dyshim që: Zευς është një shtrëmbërim i vogël ose më mirë një evoluim i pellazgjishtes: Zëës: gjëmues.

Për shpjegimin e termit latin: Jupiter, ai po ashtu jepet nga gjuha e pellazgëve: tirrenëve ose etruskëve: Jupiteri do të thoshte ati ynë: ju(ni) piter, ashtu si Junon shënohet nga: ju(na)nân: nana jonë, ashtu si Iovi – ov Πελαγος ka kuptimin e famshëm: mare nostrum = deti ynë, latin, i cili në të vërtetë është pellazg ose etrusk, sepse janë këta të fundit që e kanë quajtur kështu: deti jonë = mare nostrum = deti ynë = ιονιον πελαγος. Së fundi Ιων-ες do të thotë jon-ët = tanët.

Më vonë Zeusi mori një personalitet moral dhe u bë hyjnia epror, gjë që konfirmon shpjegimin tonë të etimologjisë latine, që kemi dhënë më lart. Tradita e bën të lindur nga Saturni dhe Rea. Legjenda mitologjike na e tregon se zbret në tokë dhe viziton të shuarit; i joshte femrat që i pëlqenin dhe që pastaj i ngrinte në nderin e hyjnive, si për shembull, Temis, Tetis, Ceres, Mnemosina, Latona e Junona, që ishte vetë shoqja e tij e pashuarje.

Kulti i Zeusit ose Jupiterit, që nga solemniteti ia kalonte kultit të çdo perëndie tjetër, ishte i përhapur në gjithë Azinë e Vogël, në Greqi, Itali dhe në gjithë shtrirjen e pafund të botës pellazge. I kushtohej dushku.Atribute të tij ishin skeptri, shqiponja dhe rrufeja.

Por njerëzimi, duke u nisur nga parimi se asgjë nuk është e pamundur për perënditë, i atribuonte atij edhe një absurditet: besohej se Zeusi kishte lindur vetë Athinën ose Minervën, të cilën e kishte nxjerrë, – siç do ta shohim në pjesën për këtë hyjneshë, – nga truri i vet.

Hera ose Junona

Sipas legjendës Hera ishte bija më e madhe e Kronosit ose Saturnit dhe Reas, lindur në ishullin Samos; por fëmijërinë e kaloi në ishullin Eubea, deri ditën kur Zeusi vajti ta kërkonte për ta bërë të fejuarën e tij dhe për t’i dhënë sovranitetin, duke e ngritur që të rrinte pranë tij në Olimp.

Junona, “perëndesha llërëbardhë” kujdesej shumë për bukurinë e vet dhe nuk do t’i mungonin adhuruesit, po të kishte dashur; por me gjithë tradhtitë e shumta të Zeusit, ajo gjithmonë i ruajti të shoqit një besnikëri shembullore. Megjithatë disa herë u revoltua, por më shpesh këto i sillnin ndëshkime të ashpra, që e detyronin të nënshtrohej.

Hera nuk ia fali kurrë trojanit Paris, që parapëlqeu Afërditën ose Venusin, kur u bë gara e famshme e tri hyjneshave: Herës, Venusit dhe Athinës mbi malin Ida pranë Ilionit për të dhënë “Mollën e Sherrit” ose μηλον τις εριδος. Kështu zemërimi i saj, bashkë me atë të Athinës, u kënaq vetëm kur e gjithë raca e trojanëve u asgjësua.

Hyjnesha greke Ηρα identifikohej me perëndeshën e romakëve dhe të popujve të tjerë të Italisë Juno. Në fillim Juno ishte kryesisht hyjnesha e dritës së hënës dhe prandaj quhej Lucina e Lucetia, duke u përzier për këtë arsye me Dianën ose Αρτεμις.

Por më pas vetitë ose atributet e saj u shtuan dhe Junona u bë hyjnesha e dritës qiellore përgjithësisht, hyjneshë e qiellit, mbrojtëse si te grekët e martesës; për këtë arsye e kanë mbiquajtur Pronuba.

Me emrin Juga ajo ishte mbrojtësja e damave romake, të cilat e mbiquajtën Matrona dhe e nderonin gjatë festës së quajtur “Matronalia” në kalendarin e Marsit. Së fundi, e kanë mbiquajtur “hyjnesha mbretëreshë”, meqë ishte e shoqja e Jupiterit, mbretëreshë e qiellit dhe zonjë e Kapitolit.

Asaj i kushtoheshin kafshët: lopët dhe nga zogjtë patat që rriteshin në Kapitol. Prandaj asaj i bënin fli lopë e pata.

Athina ose Minerva

Etimologjia e emrit të saj kanë mbetur deri më sot mjaft e dyshimtë. Sipas Max MÜLLER, që në kundërshtim me pohimet dhe sigurinë e gjithë autorëve të lashtësisë, ka pretenduar se pellazgët nuk kanë ekzistuar asnjëherë, pretendon këtë radhë që AΘΙΝΑ është një fjalë greke (?), një evoluim i sanskritishtes:ahâna, që do të thotë që flakëron, që digjet; por ai nuk jep asnjë shpjegim, që të vendosë një raport çfarëdo ndërmjet AΘΙΝΑ dhe ahâna.

Sipas SCHWARTZ dhe gjuhëtarëve të tjerë, ATHINA është hyjnesha e vetëtimës, që përsëri vjen nga sanskritishtja. Së fundi, sipas një grupi të tretë, ATHINA vjen nga rrënja: αιθ, prej nga vjen gjithashtu αιθηρ=eter, ose më mirë rrënja: αθ, prej nga vjen fjala ανθος ose αθηρ=lule.

Nga ana tjetër, ka gjuhëtarë që e marrin tipin Aθηναια ose Aθηνιη jo si një emër, por si një epitet të Παλλας, dhe e përkthejnë shprehjen e Homerit: Παλλας Aθηναι me: Pallas Athinase. Megjithatë ne do të shohim më poshtë, që ky mendim është i gabuar dhe se Aθηναια, pavarësisht nga mbaresa e saj, që mund ta bëjë të merret kjo fjalë si mbiemër, duke u mbështetur në pellazgjishten ose shqipen, ajo përsëri klasifikohet me emrat, si: beteja, kalaja (fjalë shqipe ose pellazge dhe aspak turke ose arabe. Nga pellazgjishtja ose shqipja kjo fjalë, ashtu si shumë të tjera, ka hyrë në përdorim në gjuhën arabe dhe më pas në turqishten dhe në gjithë gjuhët e tjera të Europës juglindore), murtaja, Athinaja, etj.

Sido qofshin të gjitha këto shpjegime, e prekin fjalën Aθηνα vetëm shumë larg dhe nuk japin asnjë përkthim etimologjik të përshtatshëm të termit. Megjithatë, këto janë vetëm fjalë që janë kërkuar me mundim, me qëllim që ata, të cilët i kanë krijuar, të mund të thonë diçka, pavarësisht nga fakti që ajo çka thonë vlen apo nuk vlen diçka, kënaq apo nuk kënaq një mendim.

Nga ana jonë, ne do të japim shpjegimet e mëposhtme etimologjike, duke u mbështetur si zakonisht, në pellazgjishten ose shqipen:

Do të themi që në fillim, se nga dialektet shumë të lashta greke ne kemi forma të ndryshme të emrit Aθηνα: sipas Homerit, kemi Aθηνι, Aθηναια dhe në jonishten: Aθηναιη (Il. A.200; D, 78,; etj); sipas poetëve epikë dhe në dialektin jon, janë po ato forma si te Homeri më sipër. Në të gjitha mbishkrimet atikase para Eukleidit (430 para K.) dhe madje disa herë te autorët atikas (Æsch. Eum. 2888; Aristof. Iππ. ose Kal. 763; Eιρ 271; Oρν. 828, Eεν. Aναβ. 7.3.39 etj. etj.) gjendet vazhdimisht forma: Aθηναια. Në të gjitha mbishkrimet atikase pas Euklidit, forma Aθηνα(ι)α= Aθηναα ka dhënë formën e shkurtuar dhe përfundimtare: Aθηνα, që mbizotëroi ndër të gjithë atikasit dhe në greqishten e përbashkët, që quhet κοινη. Pikërisht kjo formë e fundit e Aθηναι (gjin. Aθηνας) u bë emri i zakonshëm i hyjneshës në Athinë, qyteti që ishte nën mbrojtjen e veçantë të saj; po ashtu është forma e parë e pashkurtuar Aθηνα, domethënë Aθηνα(ι)α=Athinaja, që është në përdorim në gjuhën e sotme shqipe; sot në Shqipëri thuhet Athinaja, ose fare shkurt Thina.

Më tej, ne kemi në dialektin dor dhe në dialektin eol formën Aθιναα (Alc. 9; Teokr. 28.1) në dorishten: Aθηναια (Teokr. 15,80) dhe së fundi Aθανα te atikasit dhe në dorishten.

I kemi cituar gjithë ato forma më lart, – dhe ka edhe të tjera, – për të dalë më mirë ngjashmëria ose më mirë identiteti ndërmjet emrit të hyjneshës Athina në dialektet greke dhe përkthimi i saj në pellazgjishten ose shqipen: E THËNA; duke e ditur se [u]e[/u] ose [u]ë[/u] pellazge i përgjigjen në greqishten dhe latinishten tri zanore të ndryshme: e dhe ë=α e dhe ë=e ose ε dhe e dhe ë =η, është bërë evoluimi nga E THËNA te A THËNA: ajo që duhet ose është e paracaktuar të lindë, të bëhet, të prodhohet sipas fatit, ose e destinuar. Dhe ky përkthim na çon pa gabim te një tjetër, jo më pak i goditur, që i përmbys të gjithë ata që kanë dashur të gjejnë një shpjegim të vlefshëm, cilido qoftë ai, dhe që nuk e kanë arritur dot. Në fakt, njihen mirë gjithë përrallat, legjendat ose gjithë mitet përkatëse lidhur me lindjen e Athinës. Ato janë shumë në numër; por më e lashta prej tyre, e cila madje ka sjellë lindjen e gjithë të tjerave dhe që na e njoftojnë HESIODI (Theog. 886), STESIHORI, PINDARI (OL. 235), HOMERI (te Himni për Athinën; XXVIII, 4 dhe 55) dhe mjaft autorë të mëvonshëm, është kjo që vijon:

“Zeusi e përpiu gruan e vet të parë, Mητις, personifikimi i urtësisë, që ishte edhe shtatzanë. I pari i hyjnive e mori këtë masë të rëndë, sepse mori vesh që pas vajzës, e cila do të lindte nga kjo barrë e parë, Mητις do të bënte një djalë, më të fortë, më të fuqishëm se i ati, domethënë se vetë Zeusi, që do ta rrëzonte nga froni dhe do ta bënte ta pranonte, në vend të tij, si kryetar të qiellit. Kur erdhi koha për lindjen normale të fëmijës së zënë nga Mητις, Zeusi ndjeu në kokën e vet dhimbje aq të padurueshme, sa Vullkani ose Hφραιστος (disa të tjerë thonë se Prometeu ose Merkuri, por pa ndonjë arsye të shëndoshë), duke marrë një sëpatë e goditi kaq fort në kokë Zeusin, sa doli Athina, krejt e veshur, krejt e armatosur dhe duke lëshuar britma të forta gëzimi; dhe ja përse gjithmonë është thënë se kjo hyjneshë ka lindur nga koka e Jupiterit.

vijon në pjesën e tretë